Kreu i PD-së, Lulzim Basha nga Shkodra/Sot përpos vesit të komunizmit, të marksizëm-leninizmit e stalinizmit, kemi vesin e krimit në pushtet

95

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Shkodra, ku kujtoi heronjtë që dhanë jetën për të rrëzuar diktaturën hoxhiste, tha se në Shqipëri për 50 vjet nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe që rrjedhin nga ideologjia staliniste. Basha shtoi se dje ishte ideologjia staliniste ajo që “vriste” shqiptarët, kurse sot krimi e vesi janë në pushtet.

“Sulmet ndaj shkrimtarit Agron Tufa, Çelo Hoxhës janë triumfe të vesit mbi vlerën. Triumfi i vesit dhe krimit mbi vlerën vazhdon. Një nga arsyet pse kundërshtarët tanë nuk e mohojnë vesin dhe krimin është se ata nuk u dënuan, por u lartësuan. Këtu jemi në një vend me burra dhe gra dinjitoze, fëmijë që u poqën para kohe dhe sot i kemi me thinja kokë. Ne e lamë harresën dhe nuk i dhamë goditjen e merituar fatale diktaturës së përbindshme.

Përtej dëmshpërblimit për të përndjekurit, duhet që të jemi me zemër me ta. Përtej ndryshimit të ligjit, bëhet fjalë për dënimin e krimit në nivel kombëtar. Ne kemi bërë të mundur që disa vende të kthehen në zona të frekuentuara nga njerëzit. Historia na tregon se krimi e vesi për 50 vjet qëndruan në pushtet. Përsëri modeli është i njëjtë. Sot përpos vesit të komunizmit, të marksizëm-leninizmit e stalinizmit, kemi vesin e krimit në pushtet. Sot në pushtet janë hipokritët, ata që zvarritën pas pushtetit. Shqiptarët duhet të besojnë në Zot, në atdhe, në votën e lirë dhe të ndershme.

Në respekt të atyre që përjetojnë dramat e jetës, me respektin më të madh të viktimave të kësaj dhune. Ata janë heronj, janë martirë, pa të cilët kombi nuk mund të ketë fibrën e kujtesës, të qëndresës dhe ringritjes, siç qëndroi kur rrëzuam diktaturën më 1990. Nuk ka fitore të vlerave pa sfidë. Diktatura i donte të harruar, mirëpo nuk ia doli dot. Ne jemi këtu për të mbrojtur tiraninë, lirinë që është pushtuar nga vesi e krimi”, tha Basha.