Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Me krimin s’ka marrëveshje, Edi Rama është një kriminel

466
Sigal

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, tha se në tokën ku ka humbur dinjiteti i njeriut, lulëzon vetëm krimi dhe korrupsioni. Basha tha se ky është dëshpërimi që ndjejnë shqiptarët që poi kin përditë duke gjetur rrugë si të shkojnë në perëndim.

“Edi Rama nuk e ble dot historinë me para. Por ai nuk është i vetmi, pasi dështimi për t’u përballur me korrupsionin është një nga shkaqet që që prodhoi Edi Ramën”, tha Basha, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat pas përgjimeve të Bild.

Sipas tij, pa largimin e Edi Ramës nuk do të ketë asnjë hap përpara, me të do të merremi sepse ai është kriminel.

Basha tha se me krimin nuk mund të ketë negociata, nuk do të ketë dialog dhe nuk do të ketë lëshime.

Kreu demokrat tha se ky është standard perëndimor, pasi me krimin nuk mund të ketë marrëveshje.

“Si njeriu që për gjashtë vjet rresht është përpjekur çdo ditë t’i bëjë njerëzit të shikojnë atë, që sot është shpalosur hapur para syve dhe veshëve të gjithë botës, do të duhej që sot të ndjehesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe.

Sot, kur nuk ka më njeri që nuk është bindur se i vetmi projekt që ka patur Edi Rama është plaçkitja e Shqipërisë përmes pushtetit në ortakëri dhe aleancë me çdo keqbërës të mundshëm, nga ata të botës së malavitës tek ata të botës së mercenarëve publikë;

Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës,

Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne.

Por unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar.

Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull.

Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë.

Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.

Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci.

Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve:

Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur”, tha Basha

Sipas tij, në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm – ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.