Kreu i PD Lulzim Basha nga Korça: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor!

490
Sigal

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje lokale më 30 qershor dhe se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Duket se nuk ka asnjë tërheqje nga Partia Demokratike, me gjithë qëndresën e maxhorancës për të mbajtur zgjedhjet në fund të qershorit.

Basha theksoi se data nuk është e parëndësishme por se më e rëndësishme është të mbahen zgjedhje me standarde. Ai deklaroi se kushti më minimal që ka opozita është që të mos ketë zgjedhje me Ramën kryeministër.

“Vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ne nuk jemi futur në këtë betejë për një gjysmë fitore. Zgjedhje të parakohshme do të thotë për ne zgjedhje me standarde. Data nuk është e parëndësishme por vendimtare janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e parëndësishme por zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Ai nuk meriton të marrë pjesë në zgjedhje. Por kushti më minimal që kërkojmë përdhunuesi i zgjedhjeve nuk mund të jetë kryeministër.
Është e qartë që më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për t’iu imponuar shqiptarëve një proces të diktuar nga krimi do përballet me rezistencën më totale, më sypatrembur, fshat më fshat, qytet më qytet. Zgjedhje në Shqipëri më 30 qershor nuk do të ketë. Rruga e zgjidhjes politike është e qartë”, deklaroi i prerë Basha.