Kreu i LSI, Petrit Vasili: Zgjidhja për oligarkinë, abuzimin, dhe arrogancën është numri 1

470
Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në mitingun e Tiranës 
Përshëndetje të gjithëve! Jeni të mrekullueshëm, do të doja t’ju përqafoja të gjithëve një për një e bashkë me ju do të doja të përqafoja një për një të gjithë Shqipërinë, që na ndjek sot nga anembanë vendit. Është dita jonë e madhe. Ky shesh nuk ka parë kurrë në jetën e tij një festë kaq të madhe popullore. Që populli ynë të çlirohet përfundimisht nga e keqja, e popullit që do të çlirohet gjithnjë e përgjithmonë nga mizoritë, një popull që do të eci përpara me të rinjtë. Sot është dita që ne kthejmë përgjigjen e madhe me një plan të madh. Ne kemi një plan, plani për Shqipërinë. Planin e madh, që u kthen mirëqenien shqiptarëve, plani që ul taksat e shqiptarëve, plani që i bën shqiptarët më të begatë, planin që i bën ata të mos punojnë më e të derdhin gjakun për oligarkinë gjakpirëse dhe për tepsinë e pangopur të të panginjurve. Kjo sot është dita që nga japim këtë përgjigje. Qindra-mijëra të rinj presin me padurim 25 qershorin për të vënë në vend atë dinjitet, atë fuqi, atë forcë të jashtëzakonshme që e rinovon, e çon përpara këtë vend.
Ky është plani për Shqipërinë. Ky është plani për rininë. Ky është plani për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri që nuk qëllon, për një Shqipëri që të afron. Ky është plani që ndërton shtetin e dashur, jo shtetin që fut në burg, jo shtetin e taksave çnjerëzore, jo shtetin që merr gjakun e pagave tuaja dhe ua kthen oligarkëve të panginjur në dhjam dhe kënaqësi. Sot është dita e madhe që me planin tonë të shporrim planin e tepsisë dhe të timonit. Është koha për të ngritur republikën e të rinjve, jo Republikën e re. Është Republika e tyre. E meritojnë. Duhet ta kenë.
Ne kemi një plan për të gjithë. Kemi katër kolona. Kemi taksa të ulëta. Kemi të rinjtë të parët. Kemi në plan të parë një bujqësi dhe një turizëm. Po të tjerët çfarë kanë? Të tjerët kanë drogë. Të tjerët kanë gjoba. Të tjerët kanë plehra. Të tjerët kanë koncesione dhe pazare. Në këtyre katër rrënimeve të mëdha u kthejmë 4 rrugë autostrada të mëdha zhvillimi. Vendi ka nevojë për autostrada zhvillimi. Vetëm LSI, vetëm nr. 1, e vetmja zgjidhje për Shqipërinë është plani ynë, LSI-a. Në çdo prind, në çdo familje, çdo gjysh, çdo gjyshe, pret një fjalë të ngrohtë për të rinjtë, pret një gëzim në familjen e saj. Këtë gëzim, këtë dashuri mund ta japë vetëm një forcë: ajo është LSI.
Dhe ne do t’jua kthejmë dashurinë e munguar. Do ta heqim zgjedhën e një shteti të pamëshirshëm. Zgjedhën e një shteti që është bërë gur në qafën e çdo qytetari. Sot është dita të ndahemi nga një shtet i tillë dhe kjo ndarje do të ndodhë më 25 qershor. Kemi një zgjidhje për oligarkinë dhe për abuzimin, dhe për arrogancën. Zgjidhja është numri 1. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Kjo është zgjidhja, rruga ku do të ecin të gjithë shqiptarët. Rruga që e transformon Shqipërinë, e bën një vend më të begatë, një vend që u thotë “Po” investimeve të huaja, nuk ua mbyll derën. Që ua hap derën bizneseve vendase, nuk ua mbyll atë. Nuk u qëndron taksidar si çifligar në kokë, por krijon Shqipërinë e vegjëlisë. Mijëra njerëz në këtë shesh janë vegjëlia e këtij vendi, që sot po marrin mesazhin e një shprese të madhe. Të një LSI-e që ka një plan, të tjerët kanë tepsinë. Shqipëria ka nevojë për një plan. Ka një plan për Shqipërinë. Të tjerët kanë republika të reja. T’u themi “Jashtë!” politikave të vjetra. T’i themi “Jashtë!” tepsisë dhe timonit. Le t’u mbeten atyre kullat e shëmtuara nëpër sheshe, si dëshmia e një kohe të çmendur ku qeveris një i çmendur.
Të ndahemi një herë e përgjithmonë nga çmenduria. T’ua japim të rinjve shansin. T’iu japim të gjithë burrave dhe grave shansin e tyre që të ecin përpara. Nuk ka të drejtë njeri t’ua heqë këtë shans. Të gjithë këtu kanë një shans. Këtu në këtë shesh ka qindra e mijëra shanse për të gjithë. Jo shans për një tepsi, jo shans për një oligarki, shans për një shpresë të re, shans i cili me LSI e heq mjerimin nga fjala jonë, shans që i jep rinisë të jetë e lumtur në vendin e saj. Është një shans që i bën të rinjtë të jenë këtu, të rrinë këtu, të jenë këtu, të jenë sipërmarrës këtu e jo të ikin e të braktisin këtë vend të mrekullueshëm që ne e duam dhe e kemi në zemër. Mos e harroni kurrë! Shqipëria është e të rinjve, nuk ua merr dot njeri Shqipërinë të rinjve. Asnjeri. Është e tyre.
Ne kemi misionin që t’ua kthejmë Shqipërinë të rinjve. Atë Shqipëri që ua morën peng ca me timonë, ca me tepsi, ca që i lyejnë gishtat me yndyrën e gjakut dhe të djersës së njerëzve të ndershëm. Ora nuk pret më. Ora është sot. Ora është më 25 qershor. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër, vetëm njëshin, njëshi është rruga e madhe, rruga e pastër, rruga që e çon Shqipërinë në Evropë. LSI, numri 1, është Shqipëri drejt begatisë, është një Shqipëri për mijëra gra e vajza që meritojnë shanse të tjera, jo përbuzje. Nuk meritojnë nënvlerësim. Të rinjtë e Shqipërisë kanë ditën e tyre të madhe në 25 qershor. Ta kthejnë 25 qershorin në festën e njerëzve të vegjëlisë që meritojnë shansin e tyre. Ne jemi parti e vegjëlisë. Oligarkia është e të tjerëve. Ta marrin. Nuk ua duam. Ne jemi të vegjëlisë. Kështu do të jemi. Do të jemi partia që në 24 orë në ditë jemi me veshin te njerëzit, që nuk do të lodhë rininë dhe do të luftojmë me dy armiq të betuar: papunësinë dhe varfërinë. Do t’i shembim me planin tonë për Shqipërinë. Plani ynë i godet dhe rikthen punën dhe gëzimin, heq gëzimin e oligarkëve. Kjo është dita ta ndryshojmë Shqipërinë.
Drejtimi i ri me një plan për Shqipërinë e çon Shqipërinë atje ku kishte ëndërruar, por duart e liga, duart intrigante e mbajtën peng për 25 vjet. Nga ky shesh në të gjithë Shqipërinë vjen sot mesazhi i LSI si forcë e parë dhe vetëm e parë. Do të ecim në këtë rrugë pa kthim. Rrugën e kanë përcaktuar të rinjtë, gratë, burrat e ndershëm, gjyshërit tanë të nderuar. Të gjithë bashkë më 25 qershor. Pa asnjë dallim që do bëjmë ndryshimin e madh. Koha ka ardhur. Më 25 qershor votojmë planin për Shqipërinë, votojmë nr. 1 sepse Shqipërinë e duam dhe LSI-në e duam. Të gjithë më 25 qershor në zgjedhje, të gjithë te nr. 1. Fitore e padiskutuar e LSI, për gëzimin e të gjithë shqiptarëve këtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Fitore!
Sigal