Kreu i LSI, Petrit Vasili: “Paketa ‘McAllister’ duhet të zbatohet pikë për pikë”

59
Pas përfundimit të mbledhjes në kryesinë e kuvendit mbi shqyrtimin e paketës McAllister për medien është prononcuar dhe Kreu i LSI, Vasili. 
Prononcimi për median
Z. Vasili, a ka një marrëveshje midis palëve?
Sot ne patëm mundësi të zhvillonim një dialog më të gjerë, pasi kishte një pjesëmarrje të të gjithë partive parlamentare. Besoj që ishte një nismë e dobishme, padyshim, pasi u diskutua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe u njohëm në mënyrë edhe më të detajuar me produktin e negociatave të zhvilluara mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të ndërmjetësuara në momentet e fundit pas vizitës së Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee dhe me paketën, tashmë të mirënjohur, “McAllister”.
Kështu që besoj që baza themelore e diskutimit ka qenë kjo gjë. Besoj që përsa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne vazhdojmë të jemi të bindur dhe të palëkundur në atë që paketa “McAllister” duhet të zbatohet pikë për pikë.
Ishte një paketë, e cila duhej pranuar që në momentin e parë që ajo u bë publike, megjithatë nuk është asnjëherë kurrë vonë dhe ajo është një bazë shumë e mirë, racionale që i jep përgjigje krizës së krijuar, krijon një besim të duhur për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme dhe është një paketë kompromisi e pranueshme për të gjithë.
Problemin kryesor që do të nënvizoja është mbi të gjitha vlerësimi i momentit dhe i kohës, pasi qartësisht çdo minutë kohë e humbur, është një minutë në dëm të vendit, natyrshëm në dëm të stabilitetit dhe të sigurisë së vendit dhe jo vetëm paketa “McAllister”, por e gjithë sjellja politike duhet parë nën këtë dritë dhe nën këtë përgjegjshmëri. Pasi çdo shkarje nga një përgjegjshmëri e tillë është një shkarje në drejtim të pasigurisë dhe të paqes sociale të cenuar të vendit në tërësi. 
Ngërçi ka mbetur te data e zgjedhjeve z. Vasili, duket se është problemi?
Paketa “McAllister” e ka një datë zgjedhjesh brenda, që është data 16 korrik. 
Një datë tërësisht normale, nuk është një datë që krijon ndonjë gjë të jashtëzakonshme, pasi duhet të jemi të gjithë objektivë, duke qenë se bëhet fjalë për jo më shumë se 4 javë nga data tashmë e fiksuar e që sigurisht është një limit i arsyeshëm në kohë në raport me detyrimet për ngritjen e Parlamentit të ri.
Pra siguron një moment optimal edhe për të davaritur të gjithë mosbesimin, pasiguritë dhe pakënaqësitë e opozitës, njëkohësisht është edhe një pikë e vendosur në mënyrë të paanshme në paketën “McAllister”, e cila për mua dha një zgjidhje që besoj për momentin ishte një zgjidhje optimale.
Po përsa i përket paketës së ofruar nga amerikanët z. Vasili? 
Besoj që paketa ishte një paketë e integruar, pasi është e mbështetur dhe nga partnerët amerikanë, kjo është thënë qartë dhe saktë në publik, kështu që besoj se nuk kemi hapësirë për të diskutuar më për këtë gjë.
Si e vlerësoni qëndrimin e z. Rama, i cili ka ofruar një paketë tjetër ndërkohë?
Z. Rama besoj do të prononcohet vetë për të gjitha, ndërkohë që nuk kam asnjë arsye të paragjykoj asnjë qëndrim, jo vetëm të z. Rama, por të askujt tjetër, pasi ju jeni në dijeni që ka një diskutim kokë më kokë mes z. Rama dhe z. Basha pas debatit dhe dialogut që u zhvillua gjerësisht në tavolinë.
Unë shpresoj pse jo, që nisur nga përgjegjshmëria e duhur dhe duke pasur në duar një produkt politik kompromisi të shkëlqyer siç është paketa “McAllister”, që nuk ka ndonjë arsye dhe duhet të jemi shpresëplotë që ky kompromis i dobishëm për të gjithë, jo vetëm për opozitën dhe mazhorancën, por të gjithë shqiptarët, nuk ka ndonjë arsye pse të mos arrihet.
Nuk besoj se duhet të jemi peng apo viktima të paragjykimeve apo komplekseve. Ju thashë që është shumë e qartë paketa “McAllister” dhe le të qëndrojmë këtu, sepse jemi në një bazë shumë objektive.