Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi vizitë zyrtare në Kosovë. Takim me Ramush Haradinaj dhe Kadri Veselin

476
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron në këtë vizitë në Kosovë, u pritën sot në një takim të veçantë nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.
Në komunikimin me mediat në përfundim të këtij takimi, dy personalitetet e larta shprehën kënaqësinë për këtë takim mes palëve, duke theksuar rëndësinë e vizitave të këtij niveli të lartë zyrtar për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Në fjalën e tij, z. Ramush Haradinaj u shpreh se ndjenja vëllazërore, gjithçka që na bënë ata që jemi, e bën këtë moment të ndjerë të, sikundër e nderon fakti që pret në një takim Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, si dhe kryetarët e tri grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, z. Taulant Balla nga Partia Socialiste, z. Edmond Spaho nga Partia Demokratike, si dhe z. Petrit Vasili nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Kryeministri i Kosovës theksoi gjithashtu dëshirën që, nga këto shkëmbime të krijohet më shumë përmbajtje në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke shprehur angazhimin që, përvoja, shkëmbimi dhe bashkëpunimin parlamentar, i trajtuar në takim me z. Ruçi, të vijojë e të shrihet edhe më gjerë mes dy qeverive, por edhe në rrafshin njerëzor. 
Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi shprehu urimin dhe inkurajimin që qeveria e re e Kosovës të përmbushë me sukses gjithë atë pritshmëri që ka i gjithë komuniteti kosovar. Z. Ruçi vlerësoi si mjaft pozitiv faktin që në përbërjen e qeverisë së re të Kosovës, prej pozicionit të ministrave e deri tek zëvendëskryeministrat, janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet. “Kosova si një shtet multi-etnik duhet të plotësojë të gjitha pritshmëritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të”, – u shpreh z. Ruçi, duke vënë në dukje se kështu mund të krijohet besimi dhe ndjenja e sigurisë tek të gjithë komunitetet dhe tek të gjithë banorët që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. 
Duke u ndalur në çështjen e integrimit në Bashkimin Europian, z. Ruçi nënvizoi se “në rrugën e gjatë, që ka për të bërë Ballkani Perëndimor për integrimin e tij në BE, dy popujt, ai serb, kudo ku jeton, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnje, si dhe populli shqiptar kudo që ai jeton, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, apo në Serbi, sigurisht kanë shumë në dorë për të evropianizuar Ballkanin në radhë të parë dhe për të integruar në BE Ballkanin Perëndimor”.
“Unë jam shpresëplotë dhe inkurajoj që të dy parlamentet e dy vendeve tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura për të unifikuar legjislacionin, për të hequr barrierat burokratike, që ekzistojnë në atë krah të kufirit apo në krah të shtetit të Kosovës dhe mbi të gjitha, për të përafruar legjislacionin tonë, për atë pritshmëri që ne kemi të gjithë bashkë për t’u integruar të dy vendet në BE”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Në përfundim të komunikimit të tij me median, z. Gramoz Ruçi iu përgjigj dhe interesimit të medias lidhur me faktin nëse parlamenti shqiptar është i gatshëm të ngrejë bazën ligjore për të dhënë pasaporta shqiptare për qytetarët kosovarë.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se “ne mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjet e vizave të qytetarëve të Kosovës” dhe se “BE nuk duhet të lerë në një ishull të izoluar vetëm qytetarët e Kosovës”. “Por”, – theksoi z. Ruçi, “duhet të bëjmë gjithçka për të gjitha barrierat që ekzistojnë deri tani” dhe shprehu edhe një herë inkurajimin për të gjitha forcat politike, të të gjithë spektrin politik në përpjekjet që duhet të bëjnë për çështjen e demarkacionit. “Kosova lidhur me liberalizimin e vizave i ka plotësuar të gjitha ato rekomandime që ka bërë BE-ja për liberalizimin e vizave. Të gjithë ne bashkë duhet të kërkojmë që ky proces të bëhet realitet për ta zgjidhur shqiptar me shqiptar, por për ta zgjidhur me partnerët tanë ndërkombëtarë, me BE-në, që liberalizimi i vizave të bëhet një realitet i vërtetë për qytetarët kosovarë”, – u shpreh z. Ruçi. “Sigurisht që kjo kërkon pak durim. Nuk duhet humbur ky durim. Nuk duhet humbur ky besim dhe kjo shpresë. Kështu që të gjithë ne duhet të ndikojmë që kjo shpresë të realizohet sa më shpejt dhe ky durim të forcohet dhe konsolidohet duke u mbështetur në radhë të parë për t’u zgjidhur në një kohë sa më të afërt”, – përfundoi komunikimin e tij me mediat Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi. 


Sigal