Kreu i antimafies italiane: Po na pushton droga nga Shqipëria

618
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias Italiane, Franko Roberti, ka vënë alarmin në lidhje me tonelatat e drogës që lëvizin nga Shqipëria drejt Italisë. Franko Roberti ka dhënë një zgjidhje, sipas tij, për të luftuar bandat kriminale, që është legalizimi i drogave të lehta. Mediat italiane shkruajnë se kryeprokurori i ka kërkuar parlamentit dhe qeverisë italiane të gjejnë zgjidhje mbi këtë shqetësim. “I kemi kërkuar Parlamentit dhe Qeverisë të gjejë një zgjidhje. Ose të bashkojmë të gjitha forcat për të luftuar trafikimin e drogave të lehta, ose të legalizojmë prodhimin dhe shitjen e tyre. Qëllimi i shtetit është të mposhtë fuqitë kriminale dhe të bashkëjetojë me ta”, tha prokurori Më tej, zyrtari i lartë italian tha se është rritur furnizimi i drogave të lehta në mënyrë eksponenciale. “Është zvogëluar sasia e drogave te forta në tregun italian, por furnizimi i drogave të lehta është rritur në mënyrë eksponenciale, pavarësisht përpjekjeve për ta luftuar. Drogat e buta kanë pushtuar vendin tonë, edhe masakra e San Marco në Foggia, është për shkak të trafikut të drogave të lehta nga Shqipëria”, shtoi më tej kryeprokurori i Antimafias. Për Prokurorin e Përgjithshëm Antimafia shteti duhet të prodhojë dhe të shesë drogat e buta me çmime konkurruese ndaj organizatave kriminale. “Shteti duhet të prodhojë dhe të shesë droga të buta me çmime konkurruese, në mënyrë që të jetë konkurrues me çmime e vendosura nga organizatat kriminale”, përfundoi zyrtari i lartë.
Sigal