Kreshnik Spahiu: Rama është kryeministër i përkohshëm

512
Sigal

Kreshnik Spahiu, kryetari i “Kuq e Zi”: Misioni historik është shpërndarja e këtij Parlamenti të inkriminuar

Kryetari i AK-së Kreshnik Spahiu në intervistën për “Telegraf”, thotë se Rama është kryeministri më i paaftë profesionalisht. Dështimet e qeverisë së tij janë pasojë ngaqë elektorati ynë nuk ka kulturën për të vendosur kontrata me pushtetin, sepse ai voton si militant. Misioni historik i politikës sot, sipas zotit Spahiu është që ky parlament i kriminalizuar të shpërndahet.  

 -Zoti Spahiu, si shpjegohet që ndërkohë kryeministri Rama rendit arritjet e qeverisë, kurse shqiptarët vuajnë për bukën e gojës dhe kërkojnë ta lënë vendin me çdo varkë emigrimi?

– Fatkeqësisht elektorati shqiptar nuk e ka kulturën për të vendosur kontrata me pushtetin. Ende, në tërësi votuesi shqiptar është një votues militant, i cili nuk e konsideron raportin me të zgjedhurin, raportin me deputetët apo me qeveritarët, një raport premtimesh të realizuara apo mashtrime të zyrtarëve. Me çfarë po ndodh sot në raport pushteti me popullin, është që qeveria nuk po i përmbahet asnjë prej premtimeve që ka dhënë 2 vite më parë. Sot qeveria, e cila 2 vite më parë premtoi uljen e taksave, ka ngritur taksat në sektorë më strategjikë të ekonomisë. Premtoi legalizim falas, veçse po shkatërron ndërtime dhe biznese të vogla. Premtoi rritje pagash dhe 300.000 hapje vende pune, shkaktoi largimin e  300.000 vetëve në emigracion. Shifrat janë dramatike dhe kjo shënon haptas një thyerje të kontratës të PS-së, në radhë të parë me elektoratin e saj, të cilët menduan se rotacioni politik do të sillte ndryshimet. Në të vërtetë ndryshimi ka ndodhur, por është regres dhe  kjo maxhorancë e ka futur Shqipërinë në një krizë ekonomike, politike dhe institucionale.

Cili është shkaku i mosmbajtjes të premtimeve elektorale nga Rama?

– Së pari, kryeministri është i paaftë profesionalisht. Bekgraundi i tij prej artisti e sportisti e mbajnë atë tërësisht larg cilësive për të qeverisur vendin, një shtet, Shqipërinë, që është vendi më i korruptuar në botë, që është populli më i varfër. Një kryeministër, që merr një shtet për ta qeverisur në një krizë kaq të thellë, duhet të kishte disa cilësi profesionale shumë të afta. Së dyti, që është edhe më e rëndësishme, nuk ka vullnet politik për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Së treti, qeveria socialiste nuk përfaqëson të majtën shqiptare. PS-ja është gjithmonë e larguar nga ideologjia e së majtës. Në vend që të ngrinte një shtet social, për të mbështetur shtresat e varfra dhe të mesme, ajo është një parti e miliarderëve dhe e kapitalistëve. Ndoshta është partia me deputetët më të pasur në Ballkan. Së katërti, kjo qeveri është e paaftë të ndërtojë një shtet social për njerëzit e papunë, për pensionistët, veteranët, për të përndjekurit, për shtresat në nevojë, por gjithnjë e më shumë thellon monopolet, të cilat ishin ndërtuar nga qeverisja demokrate.

Meqë kryeministri ftoi gjithë shqiptarët që t’i kërkojnë xhevap për qeverisjen e tij, ju do të donit t’i drejtonit ndonjë pyetje?

– Kjo nismë kineze e kryeministrit Rama është kaq komike, sa numri i telefonit të ish kryeministrit Berisha, që e la për të denoncuar korrupsionin. Si edhe gjërat e tjera, kryeministri shqiptar është një nga të rrallët që është një produkt mediatik. Rama premtoi që nuk do të pushtonte mediat dhe tv-të, si paraardhësi i tij, por ai jo vetëm që ka 10 herë që e ka tejkaluar prezencën e tij në media në raport me paraardhësin e tij, por ka tejkaluar edhe Enver Hoxhën, i cili dilte 1 herë në muaj në tv. Rama, sot ka mbetur që të japë edhe parashikimin e …motit. Rama duhet të kuptojë që nuk është profeti i shqiptarëve, duhet të kuptojë që është kryeministër i përkohshëm. Pyetja për Ramën është: A është i ndërgjegjshëm që është kryeministër i përkohshëm?

Cila nga palët politike fajësohet për dimrin e klimës politike shqiptare?

– Shkaku është PS-ja. Çdokush që kërkon që fajësinë ta gjejë te opozita, e ka gabim. Sidomos në Shqipëri, opozita është pa vlerë juridike, sepse votat e saj nuk mund të pengojnë asnjë projektligj, pasi votat e saj në Kuvend janë të barabarta me ato të AK-së, opozita, si të jetë në parlament, si të mos jetë, nuk kanë vlerë, sepse janë më pak se 3/5 e Parlamentit. Në këtë kontekst, në kushtet kur nuk ka një reformë zgjedhore, kur harta elektorale është bërë në mënyrë të njëanshme nga Rama-Meta, kur vota e emigrantëve nuk njihet, kur deputetët e opozitës rrihen me rrip në zyrat e Parlamentit, në kushte kur Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimet e paligjshme të shkarkimit të njerëzve të drejtësisë dhe maxhoranca përsëri nuk toleron, unë them, që në qoftë se ka një gabim që do të bëjë opozita, është që u fut në Kuvend. Kur PD-ja ishte në Kuvend, asnjë nuk e mbështeti. Bënte protesta me 200 vetë. Në ditën që zgjodhi bojkotin, dolën 250.000 veta në shesh dhe e mbështetën opozitën për kauzën që zgjodhi. Mes kauzës popullore dhe protestave popullore, apo rikthimit të disa ish ministrave të konsumuar në Parlament, do të donim që opozita të mos kthehet në Parlament. Është një parlament që duhet të shpërndahet, me njerëz të ndotur, që janë në krime dhe trafik, ky është misioni historik.

Derisa maxhoranca dhe opozita ranë dakord që do të dekriminalizojnë parlamentin, nga cila portë ka hyrë kriminaliteti në Parlament?

– Kjo është mundësia më e zgjidhshme për Parlamentin. T’i kërkohet Interpolit një listë me njerëzit në kërkim të njerëzve të Parlamentit shqiptar dhe çdo emër deputeti, i cili figuron i dënuar për trafiqe, për drogë, prostitucion, vrasje dhe krime të ndryshme në shtetet evropiane, automatikisht të largohen, të kujtdo partie qofshin. Mendoj që ky duhet të ishte hapi i parë që duhet të kërkojë PD-ja dhe ta pranojë edhe PS-ja.

Nëse ka vërtetë të tillë deputetë, tani duhet të besojmë që  kryetarët e partive që i futën (kriminelët) në lista, nuk u dinin biografinë penale?

– Nuk besoj se është padituri nga kryetarët e partive. Ne kemi të bëjmë me një popullsi dhe shoqëri të kriminalizuar. Shpeshherë, në fshatra dhe zona rurale, këta janë njerëzit më të preferuar, njerëzit më të votuar. Kur kemi një shoqëri që e mbështet elementin kriminal, është detyrimi i shtetit, që me duar të pastra, të pastrojë qoftë qeverinë, qoftë parlamentin dhe të vendosë barriera. Këta njerëz e kanë blerë pushtetin. I kanë dhënë paranë kryetarëve të partive, në rastin konkret PS-së, dhe kanë blerë vendin e deputetit, me para, me forcë, me dhunë, në zonat e tyre elektorale.

– A mund të bindë maxhoranca se e respekton ligjin dhe vijimësinë e shtetit, kur anashkalon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si edhe ndërton ligje duke çmontuar ligjet e mëparshme?

– Fatkeqësisht kjo maxhorancë gjen një terren të mentalitetit shumë të mbrapshtë në shoqërinë tonë. Shkelin Kushtetutën, shkelin ligjin, abuzojnë me pushtetin, vjedhin, korruptohen, dhe gjejnë një mbështetje popullore, ku thonë: “ E bëjmë se kështu vepruan edhe demokratët.” Ky është gabimi i një populli, që votojnë ndryshimin dhe sot legjitimojnë abuzimin, duke thënë “Edhe këta le të bëjnë ashtu siç vepruan edhe të parët”. Kjo nuk do të thotë ndryshim. Kjo do të thotë statuskuo. Kjo nuk do të thotë evoluim, por do të thotë regres.

– Konfliktualiteti midis Presidentit dhe maxhorancës është pasojë e boshllëqeve në kompetencat  kushtetuese të institucioneve?

– Ky konflikt fsheh antagonizmin e qeverisë me opozitën. Qeveria, sigurisht e konsideron Presidentin si njeri të opozitës dhe do ta luftojë dhe kufizojë kompetencat, deri në ditën që do ta zëvendësojë atë. Nishani e mbaron mandatin 1 muaj para zgjedhjeve të tjera parlamentare në 2017-n, në të cilën PS-ja do të tentojë të vendosë njeriun e saj. Besoj që drejt atij mandati do të jetë Ilir Meta.

– A është kushtetuese përpjekja e maxhorancës, që kapërcimin e ngërçit me Presidentin, ta zgjidhë me marrjen e kompetencave Presidencës?

– Maxhoranca është e vetëdijshme që bën disa hapa antikushtetues. Maxhoranca është e vetëdijshme që Gjykata Kushtetuese do t’i rrëzojë ligjet e saj.

Çfarë fiton qeveria në këtë valle?

– Fiton shumë, fiton kohë, sepse praktikisht paralizon dhe pezullon veprimet e Presidentit, edhe për disa muaj, edhe për një vit, duke e shtyrë kështu deri në kolaps, apo deri në skadimin e mandatit të Presidentit Nishani. Kjo sintezë prodhon analizën që maxhoranca bën çfarë mundet që të rrethojë kompetencat e Presidentit aktualit, deri sa t’i lënë Nishanit thjesht një kompetencë deklarative, si dekorimi i autoriteteve të ndryshme dhe varja e dekoratave në gjoksin e personaliteteve.

– Faleminderit!

 

Jakup B. GJOÇA