Kreshnik Spahiu: E keqja e demokracisë në Shqipëri është Edi Rama, jo Ilir Meta

599
Kreshnik Spahiu, kryetari i AK, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se në Shqipëri qeverisin Mafie politike, e cila është e paprekshme nga sistemi i drejtësisë, ndaj kjo elitë politike e korruptuar nuk mund të reformojë drejtësinë. Me këtë reformë, Edi Rama, i cili i trembet drejtësisë për biznesin e tij 200 milionë euro, thotë zoti Spahiu, kërkon që të vendosë njerëzit e tij në drejtësi e prokurori, në mënyrë që t’i sigurojnë atij paprekshmërinë e pandëshkueshmërinë. Ndaj, thotë zoti Spahiu, e keqja e Shqipërisë është Edi Rama dhe jo Ilir Meta. Zoti Kreshnik Spahiu shpreh bindjen, se AK është opozita që u duhet shqiptarëve, sepse është e pastër nga politikanët e korruptuar, ka frymë patriotizmi dhe shprehet i bindur se me aleancat që do krijojë në 2017 me forcat politike opozitare, do të jetë shpresa e politikës shqiptare. 
Zoti Spahiu, derisa drejtësia është kështu, sepse kështu e ka dashur politika, a mundet që politika me reformën që po bën ta kurojë drejtësinë?

– Jo! Nuk ka asnjë shpresë, që kjo elitë politike të mund të reformojë drejtësinë. Kriza e drejtësisë sot është në tërësinë e vet krizë e sitemit politik. Përsa kohë sot sistemi politik vuan nga një prej fenomenet të paprecedent të shekullit të fundit, që është inkriminimi i pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, nuk mundet që ajo pjesë e inkriminuar, të mundet të gjernerojë e të marrë protagonizmin e reformës në drejtësi. Njerëz, që duhet të jenë në bankën e të akuzuarve, nuk mundet të reformojnë pallatin e drejtësisë. 
– Sa imunitet nga ndikimi politik, ka kjo reformë, derisa interesohen drejtpërdrejt ndërkombëtarët?

– Askush nuk i përfill ndërkombëtarët tashmë në Shqipëri. Bëhet sikur u merret mendim ndërkombëtarëve, por në fund politika zgjedh modelin që i pëlqen për të mbajtur një sistem gjyqësor të varur, të kontrolluar dhe që t’iu garantojë politikanëve imunitetin dhe pandëshkueshmërinë. Në Shqipëri qeverisin Mafie politike, e cila ndihet dhe është e paprekshme nga sistemi i drejtësisë. 
– Ju çfarë kontestoni nga drafti i reformës që është publikuar?

– Të gjitha ndryshimet e pretenduara nga politika, janë tentativa për të vënë nën kontroll nga qeveria dhe ekzekutivi sistemin e drejtësisë. Besoj se ka një tentativë të drejtpërdrejtë që Edi Rama tenton të marrë Prokurorin e Përgjithshëm, duke shkarkuar Adriatik Llallën, të marrë Presidentin e Republikës, pa konsensusin me LSI, të marrë SHISH dhe të pergjojë gjithë kundërshtarët politikë, të marrë gjithë sistemin e drejtësisë dhe të ndëshkojë e të vërë në presion çdo opozitar. Kjo është dëshira dhe qëllimi i kryeministrit Rama dhe ky është fundi i sistemit demokratik në Shqipëri. 
– A mund të bëhet katharsi i Politikës, i Parlamentit nga kriminalizimi, nëse nuk jepet përgjegjësia politike?

– Besoj që Edi Rama e ka shumë frikë drejtësinë, si një nga politikanët më të korruptuar në Shqipëri. Pas publikimit të fakteve nga SHBA dhe OSBE, që ai dhe familja e tij pastrojnë 200 milionë euro, pasuri të vëna nga përqindjet e lejeve të ndërtimit në kryeqytetin shqiptar gjatë 3 mandateve të tij si kryebashkiak. Edi Rama ka shumë frikë që një ditë do gjykohet dhe hetohet, dhe si një politikan i frikësuar nga e ardhmja, kërkon të bëjë çmos që në sistemin e drejtësisë të vendosë njerëzit e tij. Në qoftë se ka ndonjë njeri që ka panik nga drejtësia sot, është Edi Rama dhe ai mundohet të mbysë çdo zë opozitar, të luftojë çdo kundërshtar politik dhe të vendosë disa njerëz në sistemin e drejtësisë, ku t’i garantojnë atij biznesin, të ardhmen dhe familjen e tij. 
– Që të bëhet katharsi i politikës nga kriminalizimi, çfarë duhet bërë?

– Po duhet shpërndarë parlamenti shqiptar. Duhet një sistem i ri elektoral, duhet ndryshuar gjithë elita politike dhe në njëfarë mënyre, duhen revolucionarizuar gjithë institucionet shqiptare. 
– Përse PD dhe PS nuk flasin për ndryshimet në Sistemin Elektoral?

– Sepse PD dhe PS kanë mbijetuar në politikë nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe e vetmja mënyrë për të mos lejuar lindjen dhe fuqizimin e forcave të reja politike, e rrymave dhe doktrinave të reja politike, është mbajtja e këtij sistemi zgjedhor, për të mbajtur sistemin dypolar politik në Shqipëri. Çdo lloj ndryshimi dhe reforme elektorale do të mundësonte që lëvizjet e reja politike të shkatërronin statukuotë e vjetra, ashtu siç kanë bërë në Itali ku erdhi Pepegrino dhe 5 Yje, në Greqi, ku u shkatërrua PASOK dhe ND dhe Papandreu e Samaras dolën në pension, duke sjellë SIRIZA dhe Cipras në politikë, si në Gjermani, Francë Angli, ku forca të reja patriotike, nacionaliste janë futur në skenën politike, ashtu do të ndodhë edhe në Shqipëri. Mungesa e zgjedhjeve të lira, mbajtja peng e Kodit Elektoral, bën të mundur që PD dhe PS, tashmë relike, qëndrojnë në politikën tonë dhunshëm dhe në mënyrë jo të ndershme.
– Si e shpjegoni ju, që nuk kemi një reagim popullor të fuqishëm, por mbetemi vetëm në konstatime kafenesh?

– Ka një shprehje të lashtë, ku thuhet që sistemet dhe shtetet e korruptuara mundohen të korruptojnë gjithë shoqërinë dhe popullin me qëllim që korrupsioni e krimi të duken fenomene natyrale. Dhe tashmë kjo, në një farë mënyre është arritur në Shqipëri, ku shoqëria e populli krimin e korrupsionin e shikojnë si fenomene mbijetese, si aspekte mbijetese të pranueshme, ku në fshat e qytet të respektuarit janë milionerët, që kanë pastruar para dhe të fortit e fshatit. 
– Përse ndërkombëtarët nuk e kërkojnë kriminalizimin e politikës te kryetarët e partive?

– Faktori ndërkombëtar ka qënë inkoherent në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Për disa vite me rradhë ata kanë konsideruar që rreziku për Rajonin është nacionalizmi. Pas shumëvitesh, Brukseli dhe Uashingtoni panë që liderët poltiikë, si Gruevski, Rama, Erdogan, Vuçiç, Xhukanoviç, etj ishin fuqizuar dhe pasuruar aq shumë, sa ata u kthyen në liderë autoritarë dhe kishin forcuar pozitat e veta të palëkundshme, duke injoruar dhe injoruar edhe axhentën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Tashmë, Brukseli dhe Uashingtoni janë të bindur që rreziku për Rajonin, nuk është më nacionalizmi, por banditizmi. Rreziku për Ballkanin nuk është patriotizmi, por është kriminalizimi dhe mafia politike, të cilët janë fuqizuar aq shumë, saqë për hir të ruajtjes së pushtetit, kanë borxh që gjithë shtetet e tyre t’i çojnë jashtë axhentave europiane, apo amerikane. Ndaj ndërkombëtarët janë të vouar, sepse këta elementë kriminalë, të cilët sot ata kërkojnë t’i pastrojnë nga politika, s’kanë bërë gjë tjetër, veçse i kanë forcuar dje, si disa servilë, për të ardhur në pushtet, vetëm e vetëm pse tregoheshin si internacionalistë. Internacionalizmi i Ramës dhe i shumë lidërve të tjerë rajonalë, sot është kthyer në një bumerang Perëndimit dhe një rrezik për stabilitetin në Ballkan.
– Në raportet e OSBE kishte gjithçka, por mungoi referimi për financimin e jashtëligjshëm të fushatës zgjedhore të 21 qershorit 2015. Ju si e shpjegoni?

– Sepse në njëfarë mënyre vetë ata e kanë lejuar dhe toleruar. Asnjëherë ndërkombëtarët nuk e kanë parë si problem dhe të vendosin kushte për transparencën e financimit të partive politike, apo të fushatave elektorale. Nëqoftëse OSBE dot ë konstatojë këtë fakt, të financimit të jashtëligjshëm elektoral të partive, ata duhet të mos njohin paskëtaj legjitimitetin e zgjedhjeve. Si mund të pranohet legjitimiteti i zgjedhjeve, kur PS ka kryer fushatën më luksoze në gjithë Europën, nga paratë e shumta që harxhoi. Dihet tani që tarifa për të kandiduar në listat e Edi Ramës për deputet i zgjedhur është 2-4 milionë euro. Ndaj tani Edi Rama e ka të pamundur që të heqë të inkriminuarit nga Parlamenti, sepse duhet t’u kthejë milionat euro, që u ka marrë.
– Mund të bëhen zgjedhje në 2017, me këtë system elektoral?

– Jo! Çdo lloj zgjedhjeje e cila do të bëhej me këtë lloj sistemi elektoral, do të rikonfirmonte fitoren e paligjshme të Edi Ramës, si kryeministër.
– Partitë e vogla janë të papërfaqësuara në Parlament edhe pse kanë rreth 200.000 vota, ndërkohë, që partitë e tjera, me 9.000 vota kanë një deputet. Sa imediat është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, nisur nga kjo nevojë demokratike?

– Kjo hedh dritë mbi antikushtetueshmërinë e Kodit Elektoral, sepse në Shqipëri vota nuk është e barabartë. Ka parti që me 4.500 vota kanë deputet sot, sepse prezenca në koalicion u mundëson të kenë deputet edhe me 4.500 vota. PD-PS në shumë qytete kanë deputetë të tyre me 4.500 vota, ndërkohë që AK me 16.000 vota nuk ka asnjë deputet. 
– Si e vlerësoni ju opozitën e PD?
– Unë nuk shikoj që PD, sot të justifikojë zërin e opozitës në parlament, për shkak se ajo nuk po arrin të ngrejë dot frymën e revoltës popullore. PD çdo ditë nxjerr mesazhe për daljen e popullit në revolta në rrugë, dhe çdo ditë PD ulet vetë në Kuvend. Nuk mund të ketë revolucion popullor, ku populli të çohet dhe liderët të ulen. Ka një kontrast mes PD, që është në parlament dhe liderit që flet nga konferencat e shtypit. 
– A ka sot kauzë politike PD, që të ngjallë besim si forcë alternative për qeverisje?

– Mendoj që jo, sepse deri më sot po t’i pyesësh 3 milionë shqiptarë, askush nuk mund të thotë me një fjalë se cila është kauza e PD. 
– Çfarë risie solli Dr. Halim Kosova në politikë me kandidimin e tij në 21 qershor 2015?
– Mendoj që kandidimi i Halim Kosovës ka qënë aq sa pozitiv, aq sa edhe negativ. Besoj, që ishte vlerësimi maksimal që PD gjeti një figurë brilante për të kandiduar dhe i dha një karakter moral fushatës zgjedhore. Nga ana tjetër, dështimi i kandidaturës së Kosovës, tregon se ka një krizë shumë të fortë besimi te opozita. Nuk mendoj që dështimi erdhi prej Kosovës, por erdhi prej logos së opozitës. 
– Çfarë opozite kemi nevojë sot? Kush forcë politike mund ta mbartë këtë mision?

– Unë mendoj që vetëm Aleanca KuqeZi mbetet e vetmja alternativë e paprovuar në Shqipëri. Është një forcë e re, ka përjashtuar çdo ish-funksionarë të politikës në AK, është e vetmja alternativë që ka një frymë patriotike dhe nacionaliste, është e vetmja lëvizje opozitare me orientim të djathtë dhe muajt në vijim do të jenë një suprizë për gjithë shoqërinë, për mnëyrën sesi po ngrihet dhe riorganizohet AK, për të zënë spektrin politik të opozitës. 
– AK, çfarë do të bëjë në zgjedhjet parlamentare të 2017?

– AK, këtë rradhë ka si objektiv të qartë ndërtimin e një fronti opozitar, me qëllim rrëzimin e Edi Ramës nga kryeministria. Aleancë me çdokënd, por me një objektiv: Rrëzimin e qeverisë “Rama”. I vetmi kundërshtar politik i AK mbetet një njeri që është Edi Rama, kryetar i PS dhe ne mendojmë që për të arritur këtë objektiv, duhet që çdo forcë politike të bëhet pjesë e këtij synimi, i cili do t’i rikthente shpresën shqiptarëve. 
– Ka ndonjë obsion politik, që me këtë Kod Zgjedhor, me këtë situatë të mbingarkuar të kriminalizimit të politikës, që AK të mos marrë pjesë as në zgjedhjet e 2017?

– Jo. Ak është e vendosur që me çdo kusht dhe çdo mjet të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2017, ose edhe më parë, nëse bëhen të parakohshme, sepse AK është e sugurt me një sukses të mundshëm, dhe në arritje të një kualicioni të suksesshëm, këtë rradhë. Mendojmë që AK këtë rradhë, në këto moment do të jetë ura e bashkëpunimit me dhumë forca politike, të cilat nuk kanë mundur të ngrenë një front opozitar. Çdokush do të ketë nevojë për AK për dy arësye. Së pari, për moralin e ndryshëm që sjell, sepse sot të gjitha forcat politike, pozitare dhe opozitare nuk kanë më moral. Dhe e dyta, për shkak të kauzës, sepse është e vetmja lëvizje politike, e cila indentifikohet në një kauzë shumë të fortë, e cila është kauza Kuq e Zi. 
– Zoti Spahiu, ju para disa ditësh u bëtë apel ndërkombëtarëve. Çfarë kërkuar nga ata?

– AK u kërkoi ndërkombëtarëve që të zgjedhin një elitë të re politike, meqë edhe ata e pranuan që në Shqipëri qeverisin të inkriminuarit, që në parlament kemi trafikantë. Të bojkotojnë elitën e vjetër dhe politikanët e korruptuar. Të izolojnë dhe të mos japin viza ministrave dhe deputetëve që janë të lidhur me krimin. Të mos dalin më nëpër media duke ngrënë dreka dhe darka dhe gosti me politikanët e inkriminuar. Të deklarojnë hapur që në Shqipëri dhe në Rajon nuk është më rrezik patriotizmi, por banditizmi. Të kërkojnë shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Të mbështetin një reformë reale në drejtësi, e cila duhet të bëhet nëpërmjet shpërndarjes së parlamentit. 
– A mendoni që femomeni i kriminalizimit të politikës, do të shkaktojë reagim te votuesit në 2017? Në 2015 pati shumë pak impakt.

– Unë mendoj që kriminalizimi dhe blerja e votës është një sëmundje kronike për Shqipërinë, dhe do duhen shumë vite për ta kuruar. Jam i sigurt, që edhe për 2 ose 3 palë zgjedhje, 10-30 % e zgjedhësve do të jenë të infektuar nga ky fenomen. Uroj që gazeta “Telegraf” të vazhdojë këtë zë të fortë kritik dhe opozitar, krejt ndryshe dhe të veçantë nga gjithë media shqiptare. 
– Faleminderit!
Sigal