Kreshnik Çollaku: Maxhoranca të çojë para përgjegjësisë dhunuesit e deputetit demokrat

503
Sigal

Intervistë me Kreshnik Çollakun, shefi i departamentit të Politikës së Jashtme të PD-së: Qeveria neglizhon fatalisht procesin e integrimit në BE

Kreshnik Çollaku, shefi i departamentit të Politikës së Jashtme në PD, në intervistën për “Telegraf”, thotë që është maxhoranca ajo që neglizhon fatalisht për integrimin, sepse nuk ka vullnet për konsensus. Dhe më tej, z. Çollaku, thotë që deklarata e Metës se do të “dekriminalizojë” parlamentin është hipokrite, sepse ata që ushtrojnë dhunën në parlament ndaj opozitës, sipas Çollakut, janë zbatuesit e ortakëve Rama- Meta.

 – Zoti Çollaku, ju mendoni se vetëm maxhoranca ka përgjegjësi që palët politike nuk bashkëpunojnë as për çështjet e progresit të integrimit të Shqipërisë?

– Që në ditën e parë të daljes së PD në opozitë, qëndrimi ka qenë se në procesin e integrimit, PD do të mbështesë pa kushte qeverinë në çdo nisëm. Duhet të kujtoni se PD vinte nga një qeverisje, ku opozita e kohës së Ramës vetëm për “Vangjelin e Fierit” bllokoi dhe vonoi dhënien e konsensusit dhe vonesën për tre vjet të marrjes së statusit kandidat. Nevojës së vendit dhe kërkesës së BE për konsensus, maxhoranca iu  përgjigj me përpjekje që të sigurojë maxhorancën më të madhe se ajo që i dhanë votuesit. U blenë deputetë të opozitës, ka përpjekje agresive për të blerë të tjerë dhe kjo vetëm me synimin për të pasur supermaxhorancë dhe për të bërë të pavlefshëm dhe të pamundur konsensusin politik. Ndaj, sjellja e maxhorancës dëshmon qartë për mungesë vullneti për konsensus politik dhe veprim politik në të kundërt të konsensusit.

– Po opozita a e ka përmbushur detyrimin e saj, kur ndërkohë bojkoti vazhdon?

– Opozita ka një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin prej disa muajsh. Ky qëndrim u kushtëzua në një situatë e paprecedentë në parlament, dhuna e organizuar fizike karshi përfaqësuesve të opozitës. Opozita u vu në kushte të cenimit fizik. Dy ishin rrugët e reagimit, reciprociteti dhe përplasja fizike në parlament, që do të ishte një barbari e padenjë për Shqipërinë e 2014. Besoj se me rrugën që zgjodhëm, atë për refuzuar marrëdhënie rrugaçësh me qeverinë, në një mënyrë kontribuuam në përpjekjet për një politikë civile dhe europiane në vend, sigurisht me një kosto për vete, por të bindur se një politikë rrugaçësh e me rrugaçë është një dëm i madh i që bëhet vendit.

Si e shpjegoni që aleatët e opozitës kanë qëndrim politik kryekëput me PD-në përsa i përket bojkotit të stërzgjatur?

– Çdo parti politike ka mëvetësinë e vendimit dhe gjykimit të qëndrimeve. PD ka dhënë prova se me aleatët ka treguar shenja luajaliteti dhe bujarie, pavarur nga pesha e tyre elektorale. Respektojmë çdo qëndrim, por nuk duhet harruar se PD mban peshën e frymës opozitare në vend dhe përgjegjësia e PD-së është, së pari, në raport me votuesit dhe qytetarët e vendit.

– A nuk mund të quhet papjekuri e politikës tonë, që nuk mund të arrijë një marrëveshje bashkëpunimi dhe dialog konstruktiv, pa pasur arbitër faktorin ndërkombëtar?

– Po, këtu keni të drejtë. Në fakt është shumë e padenjë që gjendemi në këtë stad. Ne jemi një komb që kemi tradita të lashta e në mes tyre, ndër më të spikaturat, është zgjidhja e konflikteve me kuvend e mençuri. Kjo situatë nuk përputhet me asgjë nga këto tradita.

 

– Cila është kundërpërgjigja juaj ndaj  pohimeve të  Ramës dhe Metës se PD-ja nuk ka kauzë për bojkotin, kur ndërkohë Rama dhe Meta thonë që do t’i plotësojnë të gjitha kushtet opozitës që të kthehet në Parlament?

– Reagimi i ortakëve Rama-Meta është shprehje e qartë e arrogancës dhe një sjelljeje tipike bizantine orientale. Hile dhe pabesi ndaj opozitës po ashtu ndaj qytetarëve që i votuan. Dhunën në parlament shqiptarët e panë. Ortakët e qeverisë, dhunuesit i mbajnë aty dhe i përkëdhelin dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë ç’ kërkon opozita. Kjo është ai lloj i të bërit politikë, i padenjë për vendin dhe është pikërisht nga ky standard që duhet të largohemi. Ne do bëjmë sa të kemi mundësi. Pjesa tjetër u takon qytetarëve të mençur të këtij vendi. Unë kam bindjen se përgjigja nga qytetarët nuk do vonojë dhe ajo do jetë e hidhur për ortakët e qeverisë.

– Shumë analistë janë shprehur se bojkoti i stërzgjatur i PD-së është krizë e identitetit politik të partisë dhe jo alternativë demokratike. Cili është argumenti juaj?

– Ka një përpjekje më të gjerë se kaq, për të goditur deri në asgjësim PD-në, dhe me këtë opozitën reale dhe të vetme në vend. Përpjekja orkestrohet  nga ortakët e qeverisë. Në këtë përpjekje rekrutohen media, analistë etj. Ne këtë pikëpamje jemi të gatshëm dhe dëshirëmirë ta dëgjojmë dhe pranojmë çdo kritikë nga çdo element i shoqërisë shqiptare. Dallojmë kurën nga helmi. PD është në përputhje të plotë me identitetin e saj politik. Dhe thelbi i tij është rinovimi, ndryshimi, modernia, sigurisht me forcën e qëndrueshmërinë në bindjet e parimet tona te liria lufta dhe respekti për të. Ne çdo ditë marrim mbështetjen e njerëzve të thjeshtë e të mençur, të cilët, edhe pse nuk kanë mundësi t’u qasen ekraneve, arrijnë të përçojnë në PD frymën e tyre, e për ne kjo frymë është mbështetje dhe forcë për të vazhduar në krah tyre.

–  Shumë politikanë e analistë në Shqipëri i kërkuan PD-së rinovim dhe riformatim pas 23 Qershorit, ndërsa tani, ku shumë figura historike nuk u zgjodhën në forumet drejtuese të PD-së, këtë e quajtën spastrim. Pse ky qëndrim?

– Kësaj i thonë si ajo fabula “hip se të vrava, zbrit se të vrava” dhe ka një absurditet, si bosht logjik. Në fakt, gjithçka merr kuptim nëse e sheh misionin, jo për të këshilluar apo kritikuar PD, që do të ishte e mirëpritur, por për të sulmuar PD-në, duke u bërë në mënyrë mercenare pjesë e strategjisë së kësaj maxhorance, në përpjekjen naive, por kriminale, të likuidimit politik të PD dhe më tej, të krejt opozitës në vend. Këta duhet të kuptojnë se ne reformimin e PD e realizojmë, jo si qoke për të tjerë, por si një nevojë e brendshme dhe si një trend i pandryshuar i kësaj partie që nga themelimi. 

– Ju si e perceptuat pohimin e zoti Meta, që do të bëhet  “dekriminalizimi” i Kuvendit?

– Deklaratë hipokrite, ndërkohë që emisarë të maxhorancës çdo ditë në çdo institucion ushtrojnë veprimtari kriminale, vjedhje, korrupsion dhe, siç patë në Lushnjë, edhe prostitucion institucional. Është hipokrite, kur rrugaçët e parlamentit janë këshilltarët më të mirë e të afërt të ortakëve Rama-Meta.

– Ju, çfarë kushti politik do të pranoni si opozitë që parlamenti të “dekriminalizohet”?

– Kushti është një dhe i thjeshtë. Maxhoranca të dënojë e distancohet nga grupi i rrugaçëve të parlamentit. Të heqë dorë nga shndërrimi i rrugaçërisë në mënyrën e të bërit politikë. Kërkesa është e thjeshtë, por, mesa duket, e pamundur për t’u realizuar. Fatkeqësisht, brutaliteti politik është bërë elementi dominant i kësaj qeverisjeje të majtë.

– A mund të pranohet  reforma në Drejtësi  e maxhorancës pa konsensusin e opozitës, edhe nëse kjo reformë miratohet me 84 votat e maxhorancës? 

– Në fakt, do të ishte e pamundur një reformë e tillë, por edhe reforma të këtij karakteri e dimensioni në mënyrë të njëanshme. Kjo është një kërkesë e pandryshuar e BE. Kjo është një kërkesë e pretendim permanent i opozitës dhe PD. Uria e maxhorancës, për të gllabëruar e goditur pushtetet e pavarura, është e dukshme. Tundimit për t’i gllabëruar ato i ka frenuar disi vetëm dhe pas presionit të faktorit ndërkombëtar. Gjasat janë të pakta që dhe kësaj reforme, aq të rëndësishme për vendin, t’i qasen në mënyrë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Pasi gjithëpërfshirja dhe konsensusi çojnë në mënyrë të shëndetshme drejt forcimit të këtij sistemi, ndërsa duket qartë se dyshja Rama-Meta duan ta aneksojnë atë.

–  Ju si e vlerësoni angazhimin e diplomacisë së qeverisë sot në dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë?

– Ndihet një ftohtësi me SHBA, kryeministri qëndron një javë në SHBA dhe nuk pritet nga asnjë zyrtar i administratës amerikane. Ndihet një afrim me vende të Lindjes, Rusi, Kinë. Ka konfuzion në përcaktimin e partnerëve strategjikë. Pas çdo takimi dëgjojmë kryeministrin që i quan partnerë, apo miq strategjikë, ndërkohë që partner strategjik i vetëm dhe i provuar i shqiptarëve dhe Shqipërisë është provuar SHBA. Në rajon qeveria e sotme trashëgon një rol kryesor të Shqipërisë si faktor stabiliteti. Atij i duhet vetëm të ndjekë këtë trend e të mos eksperimentojë në këtë drejtim. Në raport me Kosovën, ç‘mund të themi, kur nga përfaqësues të kësaj maxhorance sulmohet, ende pa u ulur në karrige, kryeministri e qeveria e re e Kosovës. Ndihet një përpjekje naive nga ana e maxhorancës për të pasur një qasje partiake në raporte me Kosovën dhe jo kombëtare, gjë që përbën një naivitet të pafalshëm.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA