Kreshnik Çollaku: Fitorja e Trump dhe karta Soros e Ramës. Dashuria me Vuçiç, BE, Merkel, Kosova dhe çështja çame

472
Sigal

Kreshnik
Çollaku, kreu i Departamentit të Jashtëm në PD

Në qasjen e kryeministrit Rama me Çështjen
Çame ka një aromë të forte hipokrizie. Sjellja në retorikën e kryeministrit të
Çështjes Çame ka një synim të qartë dhe afatshkurtër. Kryeministrit i duhen
votat e tyre, jo Çështja e Çamëve

 

Dashuria
Rama Vuçiç ndërton mure ndarëse të Kosovës në Mitrovicë

Jakup
B. Gjoça

Kreshnik Çollaku, kreu i Departamentit të Jashtëm të
PD në intervistën për gazetën “Telegraf” përgënjeshtron pretendimin e
kryeministrit, se deputetët gjermanë në Tiranë, shfaqën opinione personale.
Zoti Çollaku argumenton, se deputetët gjermanë folën në emër të grupit
parlamentar gjerman të partisë së Merkel, por Ramës nuk i intereson integrimi,
sepse “Një qeverisje larg monitorimit evropian është më e tunduar për të rënë në
abuzivitet dhe autoritarizëm”. Zoti Çollaku vlerëson se në retorikën
nacionaliste të kryeministrit Rama ka doza hipokrizie, sepse Ramës i duhen
votat e patriotëve të mirë, por jo Çështja Çame. Në marrëdhëniet me Greqinë,
zoti Çollaku pohon, se zinxhirin e deklaratave nacionaliste e prodhoi i pari
Edi Rama, por problemet ndërshtetërore me Greqinë zgjidhen në tryezë edhe me
praninë e evropianëve. Gjithashtu, zoti Çollaku thotë, se politika “Zero
probleme  me fqinjët”, e predikuar nga
Rama, nuk mund të ekzistojë  ose do të
thotë që të tërhiqemi nga çështjet tona kombëtare. Afrimi i Ramës me Vuçiç,
sipas zotit Çollaku, është në dëm të interesave të Kosovës, dhe se ndihmon të
lartësohet muri, që ngrenë serbët ne Veri të Kosovës. Zoti Çollaku, me përvojën
që ka si njohës i konjukturave të politikës së SHBA, thotë për “Telegraf”, se
Sorosi gjithmonë ka kontribuar dhe ndihmuar udhëheqësit e rinj të PS kundër
liderit Nano, dhe se Rama, në fushatën elektorale kundër Trumpit, ndoshta u
vetëofrua te propaganda soroiane kundër kandidaturës së Trumpit, për përfitime
të tij politike. Ndërsa sulmin elektoral të kryeministrit Rama ndaj kandidatit
Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, zoti Çollaku e vlerëson si sulmi me fyerje personale ndaj një
kandidati si ajo që bëri Rama nga CNN ndaj Donald Trump është një rast i
paprecedent, është sharlatanizëm që nuk mund të shpjegohet me gjendjen klinike
të një paranoje delirante”.

-Zoti
Çollaku, deputeti gjermanë që erdhën në Tiranë, shprehën qëndrime personale apo
institucionale, për qëndrimin që mbajtën ndaj procesit të integrimit të
Shqipërisë?

Është qesharak
ky pretendim i ngritur dhe i fryrë nga makineria e propagandës së qeverisë.
Gunter Krichbaum është kryetari i komisionit të çështjeve evropiane në
Bundestagun gjerman. Ai në konferencën që mbajti për publikun deklaroi se
fliste në emër të këtij funksioni dhe përfaqësonte qëndrimin politik të grupit
që përbën maxhorancën e qartë në Bundestagun gjerman, maxhorancë që qeveris
vendin, përmes Kancelares Merkel. Të promovosh një tezë të tillë, është një
mjerim i plotë intelektual dhe një perversitet politik.

Kryeministri Rama akuzoi Opozitën, se ka ndikuar te
deputetët gjermanë, që ata të vlerësojnë negativisht progresin e Shqipërisë për
hapjen e negociatave.  A mund të ketë
kredo politike Opozita, nëse Bashkimi Evropian nuk hap negociatat me Shqipërinë
për anëtarësim?

Opozita është
faktori i parë më i interesuar që negociatat të hapen e që ritmi i Shqipërisë të
rritet drejt integrimit në BE. PD u lind si një parti pro evropiane dhe në
funksion të ëndrrës evropiane të shqiptarëve. PD ka bërë ç’është e mundur për
ta ndihmuar këtë proces. Pasi në mënyrë logjike, një opozitë i intereson rritja
e monitorimit ndaj qeverisë nga struktura europiane. Një qeverisje larg
monitorimit evropian është më e tunduar për të rënë në abuzivitet dhe
autoritarizëm. Në këtë këndvështrim pyetja e vërtetë që duhet bërë është:
“A i intereson qeverisë Rama, të kapur nga krimi e droga, monitorimi evropian,
i cili vjen gjatë procesit të negocimit” ?

Edhe
kancelarja Merkel i përsëriti kryeministrit Rama në Berlin  5 kushtet e BE për  hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë  për anëtarësim. Sa kohë mendoni se i duhet
Shqipërisë, që të përmbushë këto 5 kushte?

Kancelarja
Merkel konfirmoi faktin se qëndrimi Krichbaum ishte qëndrimi i parlamentit
gjerman, por dhe qeverisë gjermane, konfirmoi atë që dimë të gjithë dhe që është
fakti, se me një qeveri të inkriminuar, me drogë korrupsion, me një qeveri që
konsideron opozitën armike, një qeveri që kërkon të kapë drejtësinë, me një
qeveri që blen zgjedhjet, nuk ka integrim në BE. Kushtet janë shumë të lehta për
t’u përmbushur, por për ta bërë këtë duhet një element kyç, vullneti politik.
Një  qeverie të tillë, t’i kërkosh të
gjejë një vullnet të tillë politik,  është
njësoj sikur  t’i kërkosh një bande të
shkojë e të vetëdorëzohet para ligjit. Kjo mundësi është vetëm teorike.
Praktikisht, unë nuk besoj se ky vullnet do të gjendet me këtë grup politik, që
sot qeveris vendin, ndaj u takon shqiptarëve që me votë të lirë të rikthejnë
normalitetin në qeverisjen e vendit.

Mos
vallë Këshilli i Evropës do të vendosë për hapjen e negociatave me Shqipërinë,
me kritere politike, pa pritur që Shqipëria të përmbushë detyrimet e saj të
integrimit demokratik?

Integrimi Evropian
është një proces konkret përafrimi standardesh demokratike  të një vendi të caktuar me ato evropiane. Nëse
nuk përmbushen standardet, nuk ka integrim. Çdokush duhet të heqë iluzionin se
në BE mund të futesh për mëshirë, apo për presion. Integrimi në BE është rritje
standardesh dhe ky është një proces jetik për çdo qytetar dhe për të ardhmen e
Shqipërisë.


A është politikë diplomatike në interes të Shqipërisë qëndrimi i tanishëm Edi
Ramës ndaj Greqisë, sidomos, kur Shqipëria pret një përgjigje pozitive nga të
gjitha vendet e BE për hapjen e negociatave, apo Rama provokoi Greqinë?

Marrëdhëniet me
Greqinë kanë hyrë në zinxhirin e deklaratave nacionaliste, naive nga të dy palët.
Kur ka një klimë të tillë deklaratash publike, diplomacia çarmatoset, ndaj kjo
vetëm diplomaci nuk është. Unë besoj, se hallkën e parë të këtij zinxhiri
deklaratash e prodhoi Rama. Sigurisht, politikanë patetikë në Greqi nxituan ta
pasojnë, aq sa tani jemi në një ngërç absurd në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Situata të tilla veçse rëndojnë zgjidhjet e problemeve që kemi mes dy vendeve.

 Dmth, a është koha e përshtatshme politike
dhe diplomatike, diplomacia dhe politika e 
kryeministrit Edi Rama ndaj Greqisë dhe cënimi i pronave të  minoritarëve në Himarë?

Çështjet që kemi
me Greqinë janë aty dhe ato duhen zgjidhur, por unë besoj se zgjidhja e tyre bëhet
duke u ulur në tryezë bisedimesh e sidomos duke thirrur në të njëjtën tryezë
dhe aktorë evropiane. Me deklarata patetike nervoze e provokuese asnjë nga këto
parametra nuk mund të plotësohen e problemet në këtë mënyrë nuk zgjidhen, por rëndohen.

Mund
të pretendojë Edi Rama nga Greqia trajtimin dhe zgjidhjen e Çështjes Çame, kur
ndërkohë mazhoranca që ai drejton në Parlament nuk voton Rezolutën Çame?

Është e vërtetë
kjo që thoni për qasjen e kryeministrit Rama me Çështjen Çame ka një aromë të
forte hipokrizie. Sjellja në retorikën e kryeministrit të Çështjes Çame ka një
synim të qartë dhe afatshkurtër, që është grumbullimi i atyre votave të
shqiptarëve të mirë e patriotë që vërtetë e ndjejnë Çështjen Çame si pjesë e çështjes
kombëtare e që ka nevojë për zgjidhje. Fatkeqësisht këta shqiptarë do të zhgënjehen
shpejt. Kryeministrit i duhen votat e tyre, jo Çështja Çamëve.

Mendoni
se kryeministri Edi Rama ruan ekulibrat e diplomacisë dhe të politikës në
Ballkan, kur kërkon afrimitet me Vuçiç, ndërkohë që njëkohësisht acaron
marrëdhëniet me Greqinë? Kam parasysh, se Serbia dhe Greqia kanë interesa të
përbashkëta në Ballkan, aq sa ato  pardje
ranë dakord që të kenë një qëndrim të njëjtë ndaj Erdoganit.

Marrëdhënia e
ekzagjeruar me Vuçiç ka sjelle gjithashtu komplikime në qasjen e politikës së Jashtme
të Shqipërisë. Për shkak të saj, marrëdhëniet zyrtare me qeverinë e Kosovës kanë
regjistruar një tension të tillë, si asnjëherë më parë. Pretendimi naiv se marrëdhënia
Rama-Vuçiç mund të shpallë paqen Shqiptaro-Serbe në Ballkan, është një thikë pas
shpinës së Kosovës, një sabotim i dialogut të vështirë Serbi – Kosovë. Është një
bonus i panevojshëm, që Tirana i jep Beogradit, në kurriz të Prishtinës. Sa më
shumë afrohet Rama me Vuçiç, aq më arrogantë e shpërfillës sillen serbët me
Prishtinën. Lajmi i sotëm që në të kundërt të asaj çka deklarohet, sërbët në Veri
të Kosovës kanë filluar ngritjen e një muri, është skema e ndarjes së  Kosovës dhe mbase prag i një konflikti tjetër
në Ballkan.

Pas
3 vjetëve në qeverisje, Rama, sa e ka konkretizuar diplomacinë në Ballkan,
sipas zotimit në programin qeverisës: “Zero probleme me fqinjët në Ballkan”?

Ky ka qenë
premtimi i qeverisë Rama në fillim të mandatit të tij. Sot jemi në ditët më të
këqija të raporteve të Shqipërisë me të gjitha vendet kufitare e fqinje. Ky është
një ndër dështimet spektakolare të Rilindjes. Në një rajon si i yni, do të
ishte e vështirë të bëjë “zero” problemet me fqinjët,  përveçse në një rast, që të tërhiqesh nga çdo
interes i vendit tënd. Në të kundërt nga çfarë u premtua, marrëdhëniet janë përkeqësuar
dhe problemet janë shtuar. Në politikë të Jashtme mendjelehtësia e një dite
mund të të kushtojë punë për dekada për ta ndrequr. Sjelljet mendjelehta të kësaj
qeverie në politikë të Jashtme kanë zgjatur më shumë se ditë, ndaj problemet e
hapura dhe ndreqja e tyre do të kërkojë shumë kohë, mjerisht.

 

BOKS

Rama
është vetëofruar të luajë kartën e Sorosit kundër  kandidaturës së Trumpit për përfitime
politike

 

Kryeministri Rama, gjatë fushatës elektorale
presidenciale në SHBA, u shpreh se, nëse fiton Trumpi,  atëhere Trump si president i SHBA do të
dëmtojë marrëdhëniet SHBA – Shqipëri. Çfarë do të ndodhë tani në marrëdhëniet
SHBA – Shqipëri, me president Trump dhe kryeministër Ramën?

Ajo deklaratë
ishte një sharlatanizëm publik i një përmase ndërkombëtare. Nuk arrij ende ta
besoj e as ta kuptoj dot me çfarë mendje kryeministri i vendit u përlye në një
situate të tillë. Nuk do të kishte asnjë dramë të ishte shprehur me simpati për
znj Klinton, shumë lidera në botë e bënë. As kjo nuk do të ishte shumë etike,
pasi të jesh një kryeministër është një përgjegjësi e lartë publike dhe është
traditë etike që në gara të një vendi tjetër, zyrtarë të huaj të mos ndërhyjnë.
Por them që ajo çka bënë dhe liderë të tjerë në Evropë mund të mos ishte etike,
por deri diku e kuptueshme. Ndërsa sulmi me fyerje personale ndaj një kandidati
si ajo që bëri Rama nga CNN ndaj Donald Trump është një rast i paprecedent, është
sharlatanizëm që nuk mund të shpjegohet veçse me gjendjen klinike të një
paranoje delirante. Unë besoj se ajo është produkt i një njohjeje të dobët të
politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe tregues i një koncepti provincial,
se dhe bota funksionon si ky “katundi” ynë i vogël, plot intriga e
mbetje atavike nga kultura të vdekura e të mbetura mbrapa në kohë.

Mendoni
se kryeministri Rama u nxitua që u shpreh publikisht kundër kandidaturës së
Trumpit apo zbatoi urdhërat e Sorosit, ngaqë dihet që Soros e luftoi
kandidaturën e Trumpit?

E përsëris, ai që
një akt sharlatanizmi ndërkombëtar. Por le të heqim disa vija logjike analize. Është
fakt i ditur dhe i pohuar nga palët, se Fondacioni Shoqëria e Hapur (Soros) ka qenë
një mbështetës i kahershëm i të Majtës shqiptare dhe PS, përveç dhe një pjese të
Shoqërisë Civile që ka anuar majtas. Unë mendoj se ky aktivitet në Shqipëri ka
luajtur një rol  në transformimin e PS,
duke mbështetur largimin e lidershipit të vjetër socialist dhe zëvendësimin e
tij me drejtues të rinj.  Është fakt i
ditur edhe  marrëdhëniet e afërta e miqësore
me drejtuesit e sotëm të PS. Është fakt i njohur, gjithashtu, se në Washington,
fondacioni  Soros  ka shërbyer si një një lloj force lobuese në
favor të grupit të ri drejtues të PS. 
Por kjo është çështje e tyre e në Washington çdokush lobon. Lobimi në Washington
është proces normal dhe i ligjshëm, por nuk është  gjithçka. Lobimi ndihmon, ose vështirëson, por
nuk përcakton qëndrimet dhe vendimet. (Për t’u dhënë një shembull.., kujtoj se
në kohën kur unë kam shërbyer në SHBA një ndër kompanitë më të forta lobuEse
ishte ajo që lobonte për presidentin e Iranit, Ahmendinejad, edhe pse ky i
fundit nuk i lejohej të futej në territorin e SHBA, përveç ambienteve të
kufizuara të OKB në New York). Fondacioni ka mbështetur qartë PS, si në opozitë
dje, po ashtu në pushtet sot. Në (PD) këtë e kemi ditur dhe e kemi përballur
shpesh herë me sukses, si në opozitë, edhe në pushtet përgjatë këtyre
viteve.  Për t’u kthyer te zgjedhjet
presidenciale, është fakt i ditur, gjithashtu, se Sorosi u përfshi, madje si
asnjëherë në fushatën presidenciale në SHBA në krah të zonjës Klinton.  Por, për t’u përgjigjur pyetjes suaj, a ka
urdhëruar Sorosi komentet e Ramës ndaj Trump, do më duheshin edhe elementë të
tjerë informacioni, që nuk i kam. Paradoksi është, se përse një lobisti të
sofistikuar dhe të fuqishëm, (sikurse Soros) do t’i duhej investimi i një
politikani ballkanas me interesa mediokre. Ajo çka unë mendoj më shumë është, se
Rama, me një filozofi krejt proviniciale, është vetëofruar në këtë rol, me
shpresën se do të mund të kishte përfitime politike. Në këtë operacion Rama ka qenë
dritëshkurtër,  pasi nuk ka kuptuar,ose
nuk ia kanë sqaruar ata që e kuptojnë, se fuqia lobuse në Washington edhe ajo më
e forta ka kufizimet e veta.  Sistemi
amerikan nuk lejon shkelje parimesh e përfitime korruptive politike. Akti i Ramës
ishte një akt i pastër i Korrupsionit Politik, 
por, po aq, qe një akt i mjerë. Pasi, përveç ndonjë selfie me ndonjë president
apo kandidat për president, nuk do të mund kurrë të përfitonte më shumë, ndërkohë,
që futi veten dhe qeverinë e tij në një situatë të komplikuar me presidentin e
ri të zgjedhur.

A
mund të jetë ky ndikim i lobimit Sorosit?

 Mundet, logjika aty të çon. Por edhe nëse ka qenë
investim i Sorosit, besoj ka qenë investimi më i pavlerë që ka bërë ndonjëherë.