Kreshnik Bozho: Programi im është ringritja e qytetit bregdetar

682
Pse kandidatura juaj është mirëpritur nga komuniteti dhe ju shohin si shpëtimtar të qytetit dhe hallzgjidhës i problematikave të tyre?
Unë jam lindur dhe rritur në qytetin e Sarandës ku kam kryer një pjesë të madhe të aktivitetit tim njerëzor, profesional e politik. Unë vij në Sarandë si një njeri që e do shumë qytetin e tij. Edhe kur kam qenë në detyra të ndryshme në Tiranë apo në vende të ndryshme asnjëherë nuk kam reshtur së menduari për punët dhe hallet e qytetit tim, aq sa kam mundur. Unë vij në Sarandë si njeri prej qytetarëve për t’u bërë qytetari i parë, njëkohësisht njeriu më i përulur në punët e Sarandës, Ksamilit dhe gjithë bashkisë së re. Kam kohë që mendoj për të ardhmen e këtij qyteti, kam evidentuar dhe specifikuar problematikat e qytetit, këto kanë qenë treguesit e parë që kam punuar dhe kam hartuar një program që na diferencon, programi aktual që ne kemi shpallur.
Nga pala rivale duke përfshirë edhe kryeministrin jeni përballur me akuza që kapërcejnë etikën qytetare dhe atë elektorale, por s’është ndjerë një reagim, kur duhej të reagonit. Pse ky qëndrim dhe kjo qetësi absolute e fushatës suaj?
Unë nuk mund t’i përgjigjem një artisti, i cili bën karagjozin me artin e dikujt tjetër. Arti është një nga pasionet e mia të mëdha dhe sipas meje është po njëlloj i vlerësueshëm arti i atij që bën me laps dhe arti që tjetri bën me vegla muzikore. 48 fjalitë e Kryeministrit nuk mund të bindin qytetin dhe qytetarët për 48 vitet që ata i kanë jetuar bashkë me Nikun. Unë kam filozofinë time për fushatën, pa sharje, pa fyerje dhe pozitive. Ne jemi rritur në këtë qytet, njihemi shumë mirë, kemi ndarë gëzime dhe hidhërime bashkë, kemi luajtur në të njëjtat rrugica, jemi larë në të njëjtin det. Me rivalen time sot, kemi qenë shumë miq dje, si mund të luftoj unë me hallet që kemi ndarë si miq deri dje?! Nuk do t’ia lejoja kurrë vetes që të flisja me gjuhë të ashpër dhe mbi interesin e përbashkët që është Saranda të vendosja pasionet politike.
Cilat do të jenë përpjekjet tuaja të bashkëjetesës së biznesit me kulturën?
Është fakt që bashkia e re Sarandës është potencial turistik. Ne do të promovojmë turizmin kulturor, duke ruajtur kështu vlerat dhe traditat autentike vendase, çka do të gjenerojmë më shumë të ardhura për bizneset. Do të nxisim dhe aktivitete kulturore që qyteti jonë mbart, si psh Festivali i Butrintit, rikthimi i Festivalit të Bandave Frymore, krijimi i Bienales së Sarandës.
Cili është vizioni juaj për marrëdhëniet midis biznesit dhe pushtetit lokal? 
Çdo kryetar bashkie ka vizionin e tij për zhvillimin e çdo fushe strategjike për bashkinë të cilën drejton. Unë nuk mund të hyj në diskutim sesi paraardhësit e mi, kanë ruajtur raportet e tyre në çdo fushë përfshirë këtu dhe biznesin. Unë kam filozofinë time të drejtimit dhe ajo është: “Bashki-Biznes, Partenerë të Përhershëm”. E sipas kësaj motoje ne do të ulim taksat për bizneset vendore deri në 30 %. Do të krijojmë një One Stop Shop për bizneset për t’iu ofruar shërbimet e domosdoshme në kohë rekord. Gjithashtu, përmes lehtësirave fiskale do të nxisim hapjen e bizneseve të reja, nga të rinjtë, gratë, emigrantët, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Cilat janë raportet tuaja me paratë?
Meqë kam dhe një damar gjirokastriti, jam një person, i cili nuk bën shpenzime të tepërta, dhe që më pëlqen që ajo që shpenzohet të ruaj vlera morale më shumë sesa vlera materiale.
Ç’staf pune do të ketë bashkia e ardhshme e Sarandës nën drejtimin e Kreshnik Bozhos?
Të gjithë e dimë që Saranda ka burime njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme intelektuale, që do të shërbejnë në bashkinë e re. Ne do të ftojmë të gjithë qytetarët sarandiotë që të bëhen pjesë e vizionit tonë të zhvillimit për Bashkinë e re Sarande. Projektet e sapo nisura në bashkëpunim me akademik të shquar si z. Besnik Aliaj, do të vihen në jetë pikërisht nga këta intelektualë që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për Sarandën.
Duke trokitur për ndihmë tek fantazia mund të na i përshkruani Sarandën pas 4 vitesh të qeverisjes suaj?
Saranda që ka mbi pesë vite që zhvillohet në fantazinë time, do të jetë e prekshme për të gjithë pas katër vitesh. Do të jetë një qyetet model me gjelbërim të dukshëm, me detin kristal, me një shëtitore moderne që zgjatet drejt Ksamilit, me zona rurale dhe urbane të rigjeneruara, me një stacion multi-modal moderndhe një linjë transporti urban efikas, me tregje bashkëkohore në infrastrukturë, me kthim në identitet të ndërtesave dhe shkallareve të famshme të Sarandës, me një infrastrukturë rrugore të përmirësuar ndjeshëm, me një klimë biznesi të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj.
A mendoni se e ardhmja e rinisë së qytetit tonë do të jetë më e suksesshme se e juaja dhe ç’vend do të zërë shkollimi i tyre në qeverisjen tuaj apo sikur të ishit në moshën e tyre, cila do të ishte dëshira që kryebashkiaku tu realizonte?
Nëse nuk do të besonim që e ardhmja e fëmijëve tanë do të ishte më e mirë se e jona, atëhere do të kishim një vizion shumë dritë shkurtër. Sigurisht që besoj se e ardhmja e të rinjve në qytetin e Sarandës do të jetë shumë më mirë, pasi Saranda ka potencialet e nevojshme për t’iu ofruar të rinjve më shumë. Ne kemi prioritet të rinjtë, të cilët do t’i mbështesim me projekte konkrete, duke filluar nga hapja e qendrave rinore, mbështetje maksimale për nxënësit dhe studentët ekselentë, duke vazhduar me mbështetjen që do t’ju ofrojmë institucioneve dhe krijimin e Panairit të Përvitshëm të Punës, për të krijuar një urë lidhëse ndërmjet të rinjve dhe tregut të punës.
Si do ta realizoni pjesëmarrjen aktive në qeverisjen vendore të inteligjencës së qytetit?
Bashkia e re do te promovoje transparencën, do të inkurajojë qeverisjen e hapur, dhe do të krijojë pronësi qytetare në qeverisjen publike. Për të qenë koherent të këtij vizioni do të themelohet Zyra për Hulumtime dhe Opinion Publik, e cila do të bëj përcjelljen permanente të disponimit te qytetarëve për politika të ndryshme publike.
Keni dështuar ndonjëherë në përpjekjet tuaja?
Dështimet janë pjesë e jetës, kush thotë që nuk ka dështuar gënjen. I dështuar nuk konsiderohet ai njeri që mbas dështimit nxjerr mësim dhe ringrihet sërish në këmbë, i dështuar është ai që nuk pranon dështimin e vet.
Si e ndjeni veten tani në fundin e fushatës?
E nisa fushatën me shumë optimizëm dhe me shumë besim. Ditë pas dite duke shkuar në qyetet dhe në fshat, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, duke folur zemër më zemër, jam i mbushur me përgjegjësi përballë mbështetjes së pakufishme që këta njerëz më ofrojnë, dhe zotohem t’ju përkushtoj çdo ditë të jetës sime në bashki me ta. Tashmë jam më optimistë se kurrë.
A ndjeheni sot i lirë dhe cili është koncepti juaj për lirinë?
Liria është një koncept shumë i gjerë, ajo ka lind bashkë me njeriun. Të gjithë kemi raportet tona me lirinë, jam i lumtur që kam qenë dhe jam pjesë e asaj gjenerate që luftuam për më shumë liri, punë dhe dinjitet. Dua t’ju them gjithë atyre politikanëve dhe qeveritarëve të dështuar dhe të përkohshëm që me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të vendit dhe të miat nuk mund të luajnë dhe çdo veprim i tyre do t’u kthehet në bumerang.
Çfarë keni kontestoni më shumë nga qeverisja e PS-së në Sarandë dhe që nuk doni të përsëritet më në qytetin tonë?
Shkëputjen totale të institucioneve nga qytetarët, kapadaillëkun brutal dhe feudal të partisë në pushtet dhe deputetit pasha, më 21 qershor do të marrin mësimin e radhës dhe kjo do jetë një ndihmë e madhe dhe për vetë ata.
Si do të menaxhohen fondet e Bashkisë së re Sarandë?
Fondet do të menxhohen në mënyrë efektive duke i shpërndarë ato në mënyrë proporcionale, bazuar në prioritetet që bashkia ka. Prioritetet do të përcaktohen bazuar në një komunikim dy kahësh me aktorët kyç: Qytetarë-Bashki-Biznes. Nëpërmjet seksionit për Mbajtje të Premtimeve Administrative, puna e bashkisë do të mund të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Sigal