Krerët e tri partive me më shumë vota pas LSI-së mblidhen bashkë

403
Paskal Milo, Skënder Gjinushi dhe Artur Dojaka janë parë sot së bashku në hotel Tirana në kryeqytet. Në këtë foto të Erion Habilaj shihen krerët e tre partive aleate të PS-së të renditura respektivisht në vendin e katërt, pestë dhe gjashtë për nga numri i votave të fituara në 23 qershor.
Bëhet fjalë për tri parti të papërfaqësuara në qeverisje megjithëse ekziston një marrëveshje mes tyre dhe PS-së e firmosur nga vetë Rama para zgjedhjeve të 2 viteve më parë. Milo dhe Gjinushi kanë tërhequr shpesh vëmendjen për shkeljen e marrëveshjes në fjalë, kurse Dojaka, është shfaqur më i rezervuar në publik. Nuk dihet nëse ka qenë një takim miqësor apo zyrtar. Milo është shprehur disa ditë më parë për një koalicion të ri në zgjedhjet lokale me parti të majta që janë ndjerë të papërfillura nga maxhoranca aktuale, pavarësisht se në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 arritën të sigurojnë një numër të konsiderueshëm votash. “Nuk kërkojmë asnjë gjë më shumë as më pak veç atyre që na janë premtuar. Aleancat të mos i shohim si të përkohshme dhe konjukturale që të bëhen kur afrojmë zgjedhjet por të jenë afatgjate dhe në bazë të aleancës të qëndrojë morali – tha kreu i PDS dy ditë më parë pas një takimi në PS. Këto tri parti aleate të PS kanë numrin më të lartë të votave pas LSI dhe PBDNJ. Së bashku ato morën mbi 30 mijë vota në zgjedhjet e fundit. Numri duket impresionues sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, ku jo rrallë, e veçanërisht në Tiranë fituesi nga humbësi janë ndarë me një numër minimal votash.
Sigal