Kremtohet sot dita e lindjes së Krishtit, mesazhet për besimtarët

116
Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot ditën e lindjes së Krishtit. Papa Françesku bëri thirrje për paqe në botë “veçanërisht për popujt, që vuajnë në konfliktet aktuale”. Ai shprehu edhe afërsinë e tij me viktimat e furtunës tropikale në Filipine. “Furtuna solli shumë të vdekur dhe shkatërrim”, tha ai në Romë. Ati i Shenjtë dha siguri se do t’i përfshijë ata në faljen e tij. “Le të lutemi për ta”, tha Papa para rreth 17.000 besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit. Në prag të Krishtlindjeve, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Engjëll Masafra u përcolli besimtarëve mesazhin tradicional të Krishtlindjeve, përmes të cilit u bëri thirrje që të ndjekin veprat e mira, duke u distancuar nga fenomenet negative që kanë prekur shoqërinë shqiptare, fenomene këto si padrejtësia shoqërore, korrupsioni apo droga. Duke uruar besimtarët, imzot Masafra i ftoi të kenë besim tek e mira, e cila, tha ai, rritet duke qenë solidare dhe humane me njerëzit në nevojë. Gjithashtu, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, në mesazhin për Krishtlindjen e këtij viti, bëri thirrje qytetarëve për më shumë paqe e dashuri mes njerëzve. Ai tha se shpesh Krishtlindjes i ndryshon kuptimi prej festimeve në mes të histerisë së konsumizmit dhe indiferencës shpirtërore.