KQZ shqyrton ankimimin e partive politike, Bujar Fezga konteston zgjedhjet në Këlcyrë

445
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të dikutuar ankesat e partive politike për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kandidati i pavarur për Bashkinë e Këlcyrës Bujar Fezga ka kontestuar zgjedhjet në këtë bashki. Ankimimi i Fezgës është mbështetur nga Partia Demokratike. Sipas anëtarit të djathtë në KQZ, Ivi Kaso, në Këlcyrë rezultojnë votues edhe emigrantët qe nuk ndodhen ne Shqipëri. Ai thekson se rezultati është manipuluar në dëm të Bujar Fezgës.
Pasditen e sotme (ora 16:00), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë edhe kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kundërshton rezultatin për kryetar të bashkisë Vorë. KQZ pranoi të shqyrtojë ankimimin e depozituar dje nga LSI, përmes të cilit kërkohet shpallja e pavlefshme e rezultatit në 18 qendra votimi të kësaj zone zgjedhore, pasi ky subjekt zgjedhor pretendon se ka pasur votues fiktivë.
Në zgjedhjet e 21 qershorit në bashkinë Vorë, në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë Fiqiri Ismaili. Ismaili fitoi me rezultat të ngushtë kundrejt kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku, i propozuar nga LSI. Situata parazgjedhore në Vorë u shoqërua me tensione, pas akuzave të LSI-së ndaj kandidatit Ismaili për shtim fiktiv të listave të votuesve në këtë zonë zgjedhore. 
Sigal