KQZ shqyrton ankimimin e LSI për Vorën, Manjani: Zgjedhjet jo të ndershme

521
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot mbledhjen e saj të radhës, ndërsa në fokus do jetë diskutimi i kërkesave ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet në Bashkinë e Vorës. LSI ka kërkuar që zgjedhjet në këtë bashki të shpallen të pavlefshme.
Në fillim të mbledhjes përfaqësuesi ligjor i Partisë Republikane, Arjan Madhi, kërkoi nga KQZ që të mos e shqyrtojë këtë ankesë, pasi kjo nuk është kompetencë e këtij institucioni, tha ai. Por, kjo këkresë e tij u hodh poshtë me votë nga të shtatë anëtarët e Komisionit, sipas të cilëve, shqyrtimi i ankesës së LSI-se është plotësisht brenda kompetencës së KQZ-së.
Më pas, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, parashtroi argumentet për shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në disa QV në Vorë. “Zgjedhjet në bashkinë Vorë ishin të lira, demokratike, pati garë dhe pjesëmarrje, por mungonte standardi i tretë, që është ndershmëria. Zgjedhjet në këtë zonë zgjedhore nuk ishin të ndershme, sepse kryetarin e bashkisë e kanë zgjedhur jo banorët e Vorës, por disa jabanxhinj elektoralë”, u shpreh Manjani.
Në zgjedhjet e 21 qershorit në bashkinë Vorë, në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë, Fiqiri Ismaili, i cili fitoi me rezultat të ngushtë kundrejt kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku, i propozuar nga LSI.
Sigal