KQZ, relike e së kaluarës politke

466
Sigal

Nishani dekreton datën e  zgjedhjeve  lokale, që do të  mbahen më 21 qershor 2015

 Maxhoranca e Majtë injoron KQZ-në, duke mos e plotësuar, dhe vë në pikëpyetje zgjedhjet vendore

 Presidenti  Bujar Nishani  dekretoi dje, në limitet e fundit datën e zgjedhjeve lokale të 2015 dhe ajo është pikërisht 21 qershori i vitit të ardhshëm. Mirëpo, që nga prilli i 2013-s, KQZ-ja funksionon vetëm me 4 anëtarë, sepse PS-ja PBDNJ-ja  i tërhoqën  anëtarët e saj, si shenjë proteste për shkarkimin e anëtarit Ilirjan Muho nga maxhoranca e atëhershme, për shkak të largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës i Berishës.

Pas 23 qershorit 2013 maxhoranca e Majtë shpërfill KQZ-në

PS-ja dhe LSI-ja, në prill 2013 krijuan Aleancën për Shqipërinë Europiane, por nuk pranuan gjithsesi, që të plotësonin vendet vakante që krijuan në KQZ, kështu që zgjedhjet e 23 qershorit 2013 u zhvilluan nga një KQZ me 4 anëtarë. Shumë u fol, sidomos nga të Majtët, para zgjedhjeve, duke vënë në dyshim që kjo KQZ e cunguar nuk mund të certifikojë dot as mandatet e deputetëve të dala nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Çelësi magjik për të kapërcyer këtë pengesë kushtetuese u gjet, pasi e  Majta fitoi bindshëm zgjedhjet, dhe nuk kontestoi  atë që vetë kishte denoncuar si pamundësi, për KQZ-në e cunguar. Mirëpo, derisa e Majta fitoi në parlament 84 vota, dhe, kur pritej, që hapi i parë i saj, do të ishte plotësimi i vendeve vakante të KQZ-së, pasi tani nuk do të kishte asnjë pengesë, as në numrin e kartonëve në Kuvend, ndodhi e kundërta. Maxhoranca e shpërfilli fare KQZ-në, thua se ishte një relike që i përkiste së kaluarës (politike), por nuk harroi që të shpërblente njerëzit e saj, që ishin bërthama e Çështjeve Zgjedhore.

Shpërblime me poste qeveritare për të përkushtruarit e sekretarisë të Çështjeve Zgjedhore

Kryeministri Rama, shpërbleu të gjithë njerëzit e tij që u morën me Çështjet Zgjedhore, për kontributin që dhanë, përballë një KQZ-je tejet një partiake, të mbetur, pasi PS-ja tërhoqi anëtarët e saj nga ky institucion. Kështu, Damian Gjiknuri, i cili ishte sekretar për Çështjet Zgjedhore u emërua nga Rama si ministër i Energjitikës, duke marrë sekretar të përgjithshëm të kësaj ministrie edhe zëvëndësin e tij në sekretarinë për Çështjet Zgjedhore të PS-së, Koli Bele. Ndërsa Bledi Çuçi, i cili ishte zëvëndësi tjetër i kësaj sekretarie të PS-së, u emërua nga Rama si ministër për Pushtetin Vendor. Ndërsa 2 anëtarët e KQZ-së, që u (vet)tërhoqën nga KQZ-ja, Denar Biba dhe Albana Shtylla, u emëruan në strukturat më të larta, dhe emërimet e tyre pas 23 qershorit, dëftuan që ata nuk dhanë vullnetarisht dorëheqjen, por e bënë me urdhër partie.

Arroganca e maxhorancës

Treguesi kryesor i mirëqeverisjes të një maxhorance, nuk është kurrë sasia e kartonëve që zotëron në Kuvend, por sa respekton Ligjin, Kushtetutën dhe institucionet e pavarura në qeverisjen e saj. Në të kundërt, kur maxhoranca përpiqet që të shpërfillë ligjet, duke i zhbërë dhe bërë ligje sipas prizmit të saj partiak, duke mos respektuar bashkëpunimin ndërinstitucional, por duke u marrë atyre kompetencat me ligje teknikë që miraton, pa pyetur se ç’ thotë Kushtetuta, kjo demonstron arrogancë politike të maxhorancës. Sjellja e maxhorancës së Majtë, pas 23 qershorit 2013 me KQZ-në, dëshmon pikërisht për një arrogancë të saj politike ndaj institucioneve të pavarura. Maxhoranca e Majtë, duke e “kaluar lumin”, meqë fitoi zgjedhjet, e konceptoi KQZ-në si një relike të së kaluar politike, që nuk i shërben më, ndaj nuk u interesua që të përmbushë detyrimin e saj kushtetues, që të plotësojë vendet vakante.  Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i pyetur dje, se kur do të konstituohet plotësisht KQZ-ja, u përgjigj: “Edhe kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. E rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në mënyrë bindëse dhe jo në mënyrë të diskutueshme për të rrëzuar kërkesën ose pretendimin bazë, që kishte të bënte me anti kushtetutshmërinë gjoja të kësaj reformë dhe të mënyrës sesi ajo është realizuar. Tani çdo gjë shkon drejt 21 qershorit.” Armando Subashi, deputeti i PS-së dhe nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, në prononcimin e tij për “Telegraf”, pohoi se deri tani PS-ja nuk ka asgjë konkrete për KQZ-në. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i pohoi “Telegraf”, se maxhoranca nuk ka diskutuar deri tani asgjë për problemin e hapur të KQZ-së.

Kleçka e politikës së maxhorancës

Që nuk janë plotësuar vendet vakante në KQZ, edhe pse kanë kaluar mbi 1,7 muaj nga zgjedhjet e fundit, kjo është tërësisht dhe ekskluzivisht përgjegjësi e maxhorancës së Majtë. Lind pyetja përse? Maxhoranca e Majtë nuk do thjesht që të plotësojë vendet vakante në KQZ, por kërkon momentin e duhur të situatës politike në Shqipëri, që ta zhbëjë tërësisht edhe këtë KQZ të mbetur me 4 anëtarë, siç zhbëri me ILDPK-në, me AMA, me KLD, që nëpërmjet procesit të votimit në Kuvend, u hoqi mandatet drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre institucioneve të pavarura dhe i zëvendësoi me të preferuarit e saj, edhe pse këto janë në kundërshtim të plotë me stutusin kushtetues që kanë këto institucione të pavarura. Mirëpo, bojkoti i opozitës, siç duket, i dogji maxhorancës edhe kartën për zhbërjen e KQZ-së dhe ri formatimin e saj nga e para, por tani në përshtatje me realitetin e ri të Kuvendit. Zhbërja e KQZ-së nga maxhoranca, në mënyrë absolute do të kishte reagim të ashpër politik nga opozita, që do ta acaronte në mënyrë të pakorrigjueshme gjithë klimën politike, ndaj maxhoranca fle, si ariu në dimër, për plotësimin e KQZ-së.

Kjo KQZ me 4 anëtarë nuk mund të bëjë dot zgjedhje vendore

Tani që Presidenti Nishani dekretoi edhe datën e zgjedhjeve të pushtetit lokal, që do të zhvillohen më 21 qershor 2015, lind pyetja. A mundet kjo KQZ me 4 anëtarë të bëjë  edhe këto zgjedhje? I pyetur nga “Telegraf”, ish anëtari i KQZ-së, Denar Biba, pohoi se kurrsesi KQZ-ja me 4 anëtarë mund të bëjë zgjedhje, sepse, sipas zotit Biba, tani është tjetër situatë, nga ajo që ndodhi në prill të 2013. Atëhere, në prill të 2013-s, edhe pse KQZ-ja mbeti me 4 anëtarë, sipas zotit Biba, KQZ-ja më parë, pasi kishte të 7 anëtarët e saj, kishte bërë punët përgatitore, dmth, kishte miratuar me votë të cilësuar, të gjitha ato vendime që duhej vota e cilësuar, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Ndërsa tani, që ende KQZ-ja nuk ka filluar aspak punë, qoftë edhe atë parapërgatitore, për zgjedhjet e 21 qershorit të 2015, një KQZ me 4 anëtarë nuk mund të marrë asnjë vendim që detyrimisht kërkon votim të cilësuar, pra, më shumë se 4 anëtarë. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së, në prononcim nga “Telegraf”, pohoi që zgjedhje me KQZ me 4 anëtarë do të ishte gjëja më e keqe e mundshme.

Çfarë do të ndodhë?

Përballë këtij realiteti politik, detyrimisht maxhoranca e Majtë do të gjejë mundësinë që të dalë nga qorrsokaku i saj politik. Opsionet janë. E para, që maxhoranca tani thjesht të plotësojë vendet vakante. Kjo është një mundësi shumë reale që të ndodhë. Denar Biba, para një jave ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij shtetërore, ku ishte emëruar pas 23 qershorit 2013. Madje i pyetur nga “Telegraf”, nëse ka ndonjë mundësi që të rikthehet në KQZ, zoti Biba u përgjigj “ Edhe ndoshta”! Kandidati i dytë mund të jetë sërish Ilirjan Muho, si përfaqësues i partisë së dytë të maxhorancës, i cili, i pyetur nga “Telegraf”, pohoi që deri tani askush nuk i ka thënë asgjë, por asgjë nuk përjashtohet. Kandidatja e tretë mund të jetë një emër i ri, dhe do të jetë femër, pasi Albana Shtylla, është emëruar nga Kuvendi anëtare e KLD-së. Këto 3 kandidatura do të kalojnë për miratim nga Kuvendi. Opsioni i dytë, është që nga janari, kur opozita të jetë rifutur në Kuvend, maxhoranca të përpiqet që të riformatojë nga e para KQZ-në, dhe të amortizojë reagimet e PD-së. Por kjo mundësi duket e vogël për maxhorancën.

 Flasin për Telegraf

Armando Subashi, deputet i PS-së: Deri tani, nuk kemi diskutuar për KQZ-në

Deri tani ne nuk kemi diskutuar fare për KQZ-në. Ata persona që ishin në sekretarinë e PS-së për Çështjet Zgjedhore janë ende në detyrë. Së shpejti, do të vendosim si maxhorancë për zgjidhjen e mundshme për KQZ-në

Petrit Vasili, deputet i LSI-së, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së: Është problem i maxhorancës, jo i LSI-së

Ju e dini që problemi i KQZ-së është i maxhorancës dhe jo i LSI-së. E vërteta është që deri tani nuk e diskutuar KQZ-në. Duhet t’i japim sa më shpejt një zgjidhje dhe do ta gjejmë zgjidhjen e duhur.

Kristaq Kume, ish kryetar i  KQZ-së: Zgjedhje me KQZ me 4 anëtarë, e keqja më e madhe

Përgjegjësinë që ende nuk është plotësuar KQZ-ja me 7 anëtarë e ka vetëm kjo maxhorancë, sepse vendet vakante i takojnë asaj, në bazë të Ligjit për Kodin Zgjedhor. Është pamundësi që KQZ-ja me 4 anëtarë mund të bëjë zgjedhjet e 21 qershorit 2015, sepse kjo do të ishte e keqja më e madhe.

Denar Biba, ish anëtar i kësaj KQZ-je: “Ndoshta rikthehem”

Është një pamundësi që KQZ-ja tani me 4 anëtarë të bëjë zgjedhjet e 21 qershorit 2015, sepse tani situate ka ndryshuar nga prilli i 2013-s. Atëherë, KQZ-ja deri kur unë dhashë dorëheqjen, i kishte marrë vendimet të cilat kërkonin votë të cilësuar, për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ndërsa tani, kur ende puna nuk ka filluar fare, KQZ-ja me 4 anëtarë nuk mund të marrë asnjë vendim që kërkon votë të cilësuar. Ndoshta rikthehem në KQZ.

DEKRET I PRESIDENTIT PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1 dhe 2 dhe nenit 10, paragrafi 1 dhe 2 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar,

Dekretoj
Neni 1
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e diel, më datë 21 qershor 2015.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë