KQZ: Nuk e hetojmë dot shit-blerjen e votave

149
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për herë të parë i përgjigjet akuzave politike për vjedhjen dhe deformimin e votave, duke pranuar se ka mundësi të kufizuara për hetimin e këtyre rasteve. Në analizën e punës së këtij institucioni për vitin 2017 në Komisionin parlamentar të Ligjeve, kryetari i KQZ, Klement Zguri, tha se denoncimet e paraqitura për shitblerje votash, presione apo përdorim të administratës, kanë qenë anonime dhe pa prova. Zguri theksoi se mundësitë e komisionit për hetimin e këtyre rasteve janë të kufizuara, qoftë në anën financiare, ashtu edhe në kompetenca. “Ata që kanë telefonuar kanë qenë anonim, nuk kanë sjellë prova të qarta që t’i imponoheshin KQZ-së. Fuqitë tona deri këtu shkojnë, KQZ qoftë në kompetenca ligjore apo në burime financiare është e kufizuar”, tha Zguri. Deklaratat e kreut të Komisionit erdhën në përgjigje të akuzave të deputetëve të PD, Enkelejd Alibeaj dhe Gent Strazimiri, të cilët thanë se presioni politik dhe trysnia e mazhorancës ndaj KQZ-së ka qenë asfiksuese. Sipas tyre, shitblerja e votës ka tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve në masën 20 për qind. “Doni shembull? Përse Edi Rama u thotë policëve hiqni grada, hiqni kapele bëni vota për PS. Për investimin e parasë së krimit dhe kanabisit për atë proces”, tha deputeti demokrat. Nga ana tjetër deputeti i PS, Alket Hyseni, kërkoi kujdes në mënyrë që personat me precedentë penalë të mos punësohen në administratën zgjedhore.