KQZ mesazh qytetarëve: Vendos për të ardhmen me votën tënde të shenjtë

476
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë sot në votimet e sotme, pasi vota përcakton të ardhmen. Në një mesazh të KQZ-së thuhet se ” të votosh është drejtë kushtetuese por edhe përgjegjësi qytetare, ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Ju bën apel të gjithë qytetarëve që kanë të drejtën e votës t’i drejtohen qendrave të votimit dhe të ushtrojnë të drejtën votës në mënyrë të fshehtë, të lirë dhe të pandikuar. vota përcakton të ardhmen tënde, të familjes tënde, të vendit tënd, ndaj merr pjesë në votime dhe vendos Ti për atë që e gjykon se është alternativa më e mirë”.
“Të nderuar zgjedhës manifestoni qytetari dhe përgjegjshmëri duke marrë pjesë në votimet e datës 21 Qershor. Nëse Ju votoni, do të rrisni sdandardet e llogaridhënies nga ana e të zgjedhurve në bashkitë dhe këshillat bashkiakë. Jepini vlerën dhe rëndësinë e duhur votës tuaj, sepse jeni Ju ata që vendosni fatet e vendit tonë, rrisni standardet e demokracisë së vendit tonë, dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. I nderuar zgjedhës, Ti vendos vetëm me votë, prandaj është e shtrenjtë dhe e shenjtë vota juaj”, theksohet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, në të gjithë vendin aktualisht situata për sa i përket rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë dhe pa probleme. “Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor”, përfundon mesazhi i KQZ-së.
Sigal