KQZ me vendim unanim: Shkarkohet nga detyra kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku

452
Sigal

Me 5 vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra kryebashkiaku e Vorës, Agim Kajmaku.

Kajmaku nuk është i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij Isuf Shehu.

“Verifikimet nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë të paplota. Prokuroria nuk mund të dalë në konkluzione pa ardhur letër-porositë nga institucionet greke. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar”, tha Avokati i tij Isuf Shehu.

Sipas KQZ-së, Kajmaku ka bërë deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit duke fshehur dënimin në shtetin grek.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, n ë mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi projektvendimin:

– “Shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion Kryetar i Bashkisë Vorë, Qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
KQZ vendosi të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të funksionarit publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion Kryetari i Bashkisë Vorë, Qarku Tiranë”, njoftoi KQZ.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë, çështja mund t;i drejtohet gjykatës Administrative.

Kujtojmë që kohë më parë është tërhequr edhe kryebashkiaku socialist i Shkodrës, Valdrin Pjetri, I cili po ashtu kishte fshehur një dënim në shtetin Italian.

Kajmaku është kryebashkiaku i dytë pas denoncimeve të PD-së, ndërsa lista e tyre vijon edhe me atë të Vaut të Dejës, Mark Babani.