KQZ-ja, pengu i marrëdhënieve pozitë-opozitë

442
Sigal

Maxhoranca e re ka “harruar” që t’i kthehet legjitimiteti KQZ-së

KQZ-ja, e cila ende funksionon me 4 anëtarë, vendimin e fundit që mori, është të përjashtojë nga konkurrimi për kryetarin e Bashkisë së Korçës, kandidaten e FRD-së, për shkaqe të parregullsive në regjistrimin e saj. Pa u futur në brendinë e ligjshmërisë të këtij vendimi, fakti që KQZ-ja funksionon vetëm me 4 anëtarë, të cilët janë propozuar vetëm nga një kah politik, është e logjikshme dhe e natyrshme, që vetë vendimi më i fundit që KQZ-ja mori për përjashtimin e kandidates së FRD-së, për kryetare e Bashkisë së Korçës, është i paragjykuar.

Maxhoranca e ka “harruar” KQZ-në

Qysh në 23 Qershor, kur rezultati i zgjedhjeve thuajse ishte i zbardhur dhe i pamundur që të kontestohej nga palët politike, PS-ja dhe LSI-ja, e “harruan” fare KQZ-në e cunguar, e  cila funksiononte me 4 anëtarë. Së pari, PS-ja pranoi që të ishte Kolegji Zgjedhor, ai që do të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve, në pamundësi që këtë ta bënte KQZ-ja me 4 anëtarë, sipas detyrimit ligjor që e përcakton Kodi Zgjedhor. Që këtu, PS-ja, për hatër të fitores së madhe të zgjedhjeve, pranoi me vetëdije, që të shkelte Kodin Zgjedhor. Paskëtaj, kjo parregullsi dhe shkelje e shpërfillje e hapur ndaj Kodit Zgjedhor, sidomos nga PS-LSI, vazhdoi edhe në certifikimin e mandateve të deputetëve, pasi sërish, Kolegji Zgjedhor dha vendimin, pasi KQZ-ja me 4 anëtarë nuk e ka mundësinë ligjore. Dhe tani, ndonëse kanë kaluar 4 muaj nga dita e zgjedhjeve, dhe pothuaj 2 muaj që maxhoranca e re ka mandatin e saj, për KQZ-në ende nuk është bërë asgjë. Maxhoranca e re, që në fillimin e punës së saj, nxori 2 akte normative, për problemet që ajo i trajtoi me përparësi, shtyrjen për 6 muaj të ligjit “Për Nëpunësin Civil” dhe “Për disa ndryshime në buxhetin e 2013-s”, ndërsa për KQZ-në, jo vetëm që e ka futur në sirtar kthimin e legjitimitetit të saj, por e braktisi tërësisht, derisa hoqi nga sekretariati për Çështjet Zgjedhore, edhe Gjiknurin, edhe Çuçin, të cilët u bënë ministra në qeverinë e re, por edhe Koli Belen, edhe Genc Gjonçajn, të cilët u ngarkuan me detyrë tjetër, po kështu edhe LSI-ja, hoqi përfaqësuesit e vet nga KQZ-ja, Muho dhe Manjanin, duke i ngarkuar me poste të rëndësishme qeveritare. Më e keqja është se as PS-ja dhe as LSI-ja nuk i kanë zëvendësuar personat që u larguan nga çështjet që kanë të bëjnë me KQZ-në.

Reformimi i KQZ-së, pengu politik pozitë-opozitë

Harresa dhe braktisja e KQZ-së nga PS-LSI nuk është një rastësi, por është një taktikë politike. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, në intervistën më të fundit në “Telegraf”, pohoi se maxhoranca do të bëjë gjithçka, që  KQZ-ja të rikompozohet apolitike, duke mos zbardhur asgjë, si mund të arrihet kjo. Së pari, maxhoranca, sikur edhe kur ishte opozitë, përjashton mundësinë e plotësimit të 3 vendeve vakante në KQZ. Përkundrazi, kur bën fjalë se do të bëhet rikompozimi dhe do të synohet që të jetë një KQZ apolitike, maxhoranca e re, nënkupton, që do të ndryshojë gjithë përbërja e re e KQZ-së. Po kështu, edhe kryetari i ri i KQZ-së, do të jetë dikush tjetër, dhe jo më Lefterie Lleshi. Mirëpo, që të bëhet ky rikompozim, kështu siç e percepton maxhoranca e re, së pari, duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Nuk ka rrugë tjetër, pasi, opozita e sotme, kurrsesi nuk mund të japë konsensusin e saj, që të hiqen 4 anëtarët aktualë të KQZ-së. Edhe pse maxhoranca i ka 84 vota, gjithsesi, nuk mund të bëhet një rikompozim i KQZ-së, me Kodin aktual Zgjedhor, pa konsensusin e opozitës, sepse, kjo do të thotë që edhe kjo maxhorancë, të sillet politikisht njësoj sikurse u soll maxhoranca e atëhershme me shkarkimin e Muhos, si anëtar i KQZ-së. Por ka edhe një fakt tjetër. Rikompozimi i KQZ-së do të acarojë në kulm marrëdhëniet pozitë-opozitë, madje, edhe më shumë se Akti Normativ i qeverisë “Për Nëpunësin Civil”, të cilin opozita e bojkotoi. Problemi më i pazgjidhshëm për maxhorancën, pikëpyetjet që shtrohen para saj, është se cili do të jetë raporti politik i përfaqësimit në KQZ-në e rikompozuar? Do të jetë raporti forcave politike në Kuvendin, i cili miratoi Kodin aktual Zgjedhor, apo KQZ-ja do të reflektojë raportin e forcave politike në Kuvendin e ri? Ky do të jetë ngërçi kryesor, që do të acarojë klimën politike. Derisa Shqipëria është në pragun e diskutimit nga BE-ja të dhënies së statusit kandidat, maxhorancës së re, nuk i intereson, që barometri politik të kalojë kufijtë e kuq të konfliktualitetit, qoftë edhe për shkak të rikompozimit të KQZ-së. Ndaj, KQZ-ja, është një bombë e konfliktualitetit politik, që “fle” në sirtarët e projekteve të maxhorancës, e cila ka shumë mundësi që ta risjellë për t’u shqyrtuar, vetëm në fillimvitin e ardhshëm, kur BE-ja t’i ketë dhënë statusin kandidat Shqipërisë. Kësisoj,  pasojat e sherreve, grindjeve, acarimet politike, që do të shkaktojë rikompozimi i KQZ-së, do të amortizohen, pa kosto të madhe politike, në 84 votat që zotëron maxhoranca e re.