KQZ-ja e re e Lleshit, (sërish), në shërbim të PD-së

461
Sigal

Nuk miratohet vendimi për ndarjen e ZAZ-ve,  çështja shkon në Kolegjin Zgjedhor

1. PS-ja e ka humbur betejën politike në KQZ, qysh në procedurën e zgjedhjes të anëtarëve të saj

PS-ja, kushtin kryesor në reformën zgjedhore, që u miratua në beharin e shkuar, kishte rikompozimin e KQZ-së, për shkak të kontestimeve që i kishte bërë KQZ-së së Ristanit për zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s. Qëllimi kryesor i PS-së, me rikompozimin e KQZ-së nuk duhet të reduktohej në heqjen e Ristanit nga kreu, por me një përzgjedhje sa më asnjanëse të përbërjes së KQZ-së së re, të ishte sa më e mundur që konsensusi politik për anëtarët e KQZ-së së re të mos ngurtësohej në raportet 3 + 3 dhe Kryetari të zgjidhej me shumicën e thjeshtë parlamentare.  Procedura e zgjedhjes të Kryetares  së KQZ-së, dëshmoi qartazi, se  ajo  ishte përpiluar e tillë, që  Kryetar i ri i KQZ-së do të zgjidhej një kandidaturë e preferuar nga maxhoranca, ndërsa opozita- sërish- ishte ne rolin pasues. Dhe kështu ndodhi. Lefterie Lleshi u votua në parlament vetëm me votat e maxhorancës. Atëherë, për cilin rikompozim të KQZ-së bëri fjalë PS-ja? Apo u mjaftua vetëm me heqjen e Ristanit, duke shpresuar, se cilido kryetar tjetër, do të jetë më …human, më… i drejtë…më i …logjikshëm, se Ristani? PS-ja nuk u përpoq, për një procedurë të zgjedhjes të KQZ-së, ndryshe, nga kjo që dha konsensusin  dhe që solli fryt kryetare Lleshin, ngaqë luftën e quajti të humbur në mungesën e kartonëve në Kuvend, ndaj u mjaftua me qëndrimin e pasivitetit politik. Ditët e para të KQZ-së së re, fatkeqësisht për PS-së, dëshmojnë se KQZ-ja e re ka në krye një Ristan me …fustan! Gazeta “Telegraf” ka botuar opinionin e saj, që ditën që u votua në Kuvend kandidatura e Lefterie Lleshit për Kryetare e KQZ-së me titullin “Një Ristan me fustan në krye të KQZ-së”  dhe tashmë qëndrimi dhe sjellja e zonjës Lleshi në KQZ, e vërtetojnë objektivitetin e analizës të “Telegraf”.

2. Vendimet e KQZ-së, sipas preferencës partiake

KQZ-ja e Lefterie Lleshit e filloi punën nga rishpërndarja e mandateve të deputetëve në qarqe, duke u bazuar vetëm në të dhënat e ministrisë së Brendshme. Dihet, që në saj të gjendjes që paraqiti kjo ministri për popullsisë në qarqe, KQZ-ja u përpoq që të hiqte një mandat nga qarku i Beratit dhe t’ja jepte qarkut të Kukësit. Ajo çka ia vlen ta përmendim, është se Kryetarja e re e KQZ-së, – e cila u miratua  në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës, – nuk u dha asnjë mundësi opozitës që të kishte materialin e ndryshimit të popullsisë në qarqe, por u mundua të vendoste apriori. Madje, kryetarja e re e KQZ-së, zonja Lleshi,  u përpoq që ligjin për rishpërndarjen e mandateve ta quante të miratuar në parim, edhe pse u votua vetëm  nga 4 anëtarë në KQZ dhe jo nga 5, që parashikon Ligji i KQZ-së. Pra, kryetarja e KQZ-së, u mundua që të bënte vjedhjen me shumicë- sikurse u shpreh Skënder Gjinushi, në intervistën për “Telegraf”, datë 21 dhjetor, duke i marrë PS-së një mandat në tavolinë, pasi KQZ-ja nuk dha asnjë provë, asnjë dokumentacion, asnjë sqarim, edhe pse opozita e kërkoi me ngulm. për rritjen e popullsisë në disa komuna të qarkut të Kukësit, që të justifikojë shtimin e mandatit të deputetit.

3. Shtimi i ZAZ-ve, e vështirëson monitorimin dhe shton probabilitetin për spekulime e vjedhje të votës me …pakicë

Ndërmarrja e dytë e kryetares së re të KQZ-së, Lefterie Lleshi, ishte ndarja e ZAZ-ve, Zonave të Administrimit Zgjedhor.  Edhe pse në Kodin e ri Zgjedhor janë thjeshtëzuar shumë procedura e numërimit të votave, sikurse janë materiali zgjedhor, që lehtëson shumë procedurën e numërimit dhe shkurton kohën e nxjerrjes së rezultateve, PD-ja u përpoq që të rriste numrin e ZAZ-ve,  me  justifikimin e shkurtimit të kohënxjerrjes të rezultateve. Ajo, që u mundua të bëjë Kryetarja e re e KQZ-së, zonja Lleshi ishte përpjekja e saj në mbledhjen e djeshme. Nga seanca e mëparshme e KQZ-së, ishte vendosur që përfaqësuesit e PD-së, Njazi Kosovrasti dhe ai i PS-së, Genc Gjonçaj, të përgatitnin së bashku një projekt për ndarjen e ZAZ-ve, duke dhënë konsensusin politik. Mirëpo, KQZ-ja nuk u dha mundësinë fare- edhe pse qe vendim i marrë në konsensus- të dy përfaqësuesve ligjorë të PD-PS, që të hartonin një projektvendim të përbashkët, sepse dje Kryetarja e KQZ-së paraqiti një tjetër projektvendim për ndarjen e ZAZ-ve.

4. Kryetarja e KQZ-së sjell  për t’u miratuar projektin e PD-së

Duke u vetëquajtur e plotpushtetshme në KQZ, kryetarja Lleshi sjell në diskutimin e djeshëm një projektvendim tjetër nga ajo që u mor vendim në seancën e kaluar. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, duke e cilësuar p/vendimin e zonjës Lleshi, si projektin e PD-së, kërkoi sqarime. Kryetarja e KQZ-së, u mjaftua të justifikohet se thjesht janë shtuar ZAZ-të dhe nuk ka asgjë të keqe, nga 66 në zgjedhjet e kaluara, në 76 të propozuara ditë më parë, ndërsa tani parashikohen 89 ZAZ. Madje, edhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Kosovrasti, pranoi që KQZ-ja nuk u dha mundësi atij dhe kolegut të PS-së që të hartonin një projekt të përbashkët, siç u vendos në KQZ ditë më parë dhe sillet një projekt krejt i panjohur nga ata. Kryetarja e KQZ-së u mundua të justifikohet se projektin e ka hartuar administrata e KQZ-së, ndaj, duhet ta pranojnë të gjithë. Sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf”, pranë PS-së, kjo përpjekje e PD-së për të rritur numrin e ZAZ-ve vështirëson shumë monitorimin e tyre dhe lë shtigje të hapura për spekulime, manipulime dhe vjedhje të votës. Projekti  i zonjës Lleshi nuk u miratua nga KQZ-ja. Tashmë, mbetet në fuqi projekti ekzistues me 66 ZAZ, ose çështja të shqyrtohet në Kolegjin Zgjedhor.

5. Sjellja e deritanishme e KQZ-së së re nuk premton paanshmëri dhe zbatim të ligjit

Që tani, shumëkush po e humbet atë shpresë se KQZ-ja e re do të ketë një sjellje krejt ndryshe nga KQZ-ja e Ristanit. Rishpërndarja e mandateve të deputetëve, bazuar vetëm në të dhënat  e popullsisë, që ka dërguar ministria e Brendshme në KQZ-në, pa u dhënë  mundësinë opozitës dhe vetë anëtarëve të KQZ-së që të njihen me materialin përkatës të ndryshimit të popullsisë sipas qarqeve, është provë e mjaftueshme, për të kuptuar që KQZ-ja po rivihet në shërbim partiak. Prova e dytë ishte mbledhja e djeshme, ku Kryetarja e KQZ-së, zonja Lleshi u sjell në tavolinë projektin e PD-së, për ndarjen e ZAZ-ve, duke mos u dhënë mundësinë përfaqësuesve ligjorë të PD-PS, të hartonin së bashku një projekt konsensual.

6. KQZ-ja e Lefterie Lleshit hedh në erë përgatitjen e zgjedhjeve të 2013-s

Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja duhet që të kishte përcaktuar me kohë numrin e mandateve të deputetëve në qarqe, të kishte ndarë Zonat e Administrimit Zgjedhor, ZAZ-ët që në 6 dhjetor. Mirëpo, rishpërndarja e mandateve është bllokuar, edhe pse p/ligji përkatës u votua 4 pro dhe 3 kundër dhe Kryetarja e KQZ-së e ka cilësuar të miratuar në parim, por sipas ligjit, ligji quhet i miratuar në parim, kur ligji votohet me 5 pro. Rasti i dytë. KQZ-ja e kryetare Lleshit, akoma nuk bën dot ndarjen e ZAZ-ve, pasi p/vendimi që ajo solli dje nuk u miratua.

Për “Telegraf”

Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i PS-së në KQZ

Nuk është e nevojshme të shtohen ZAZ-të, sepse është hequr materiali zgjedhor dhe koha e numërimit të votave është e shkurtër, e mjaftueshme. P/Vendimin që solli zonja Lleshi ishte projekti i PD-së”.

 Eridion Salianji, juristi i PS-së në KQZ

Procedura që ndoqi Kryetarja e KQZ-së është e paligjshme. Rindarja që ajo kërkon për ZAZ-ët është në kundërshtim me nenin 27 të KQZ-së. Nuk mundet të rindahen edhe minibashkitë në ZAZ-e.

Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi i PD-së në KQZ

– Unë nuk e njoh projektin që keni sjellë, pasi na kishit ngarkuar të hartonim bashkërisht me përfaqësuesin e PS-së, një projekt të përbashkët. Jam dakord me 89 ZAZ, por do të doja që të shtoheshin me 11 ZAZ. Qyteti i Durrësit duhet të ketë jo 3 por 4 ZAZ, ka shumë votues”.