KQZ certifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, asnjë votë kundër

555
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Mbledhja e sotme e KQZ-së, u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së, por në përfundim certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve u votua nga të gjithë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj evidentoi faktin se procesi i numërimit të votave u mbyll më parë se në çdo proces zgjedhor të mëparshëm. “Në këto zgjedhje vlen për t’u theksuar se si rrallë herë në historinë e proceseve zgjedhore, procesi i numërimit të votave përfundoi brenda 47 orëve, duke dëshmuar se vullneti i partive politike për të mos inteferuar në veprimtarinë e komisionerëve të niveleve të ndryshme, ndikon në zbatimin në kohë dhe cilësi të ligjit zgjedhor”, tha zëdhënësja. Po ashtu, me interes pritet edhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke qenë i ndërgjegjshëm për sfidat që një proces zgjedhor mbart, në vazhdimësi do të vlerësojë e rivlerësojë me shumë seriozitet çdo moment të punës së Institucionit, bazuar kjo edhe në Raportin e OSBE/ODIHR. Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR do të jetë pjesë thelbësore e analizës së punës së KQZ, e cila do të vlerësojë nevojën për ndryshime dhe përmirësime, si të anës legjislative, kryesisht të Kodit Zgjedhor, ashtu edhe të anës organizative të vetë KQZ-së”, vijoi më tej zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, fituese doli Partia Socialiste, me 74 mandate deputësh, e ndjekur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Sigal