KQZ/ 5 kandidatët prezantojnë platformat

453
Sigal

Gazeta Telegraf/ Në seancën
dëgjimore me 5 kandidatët për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u
mor një vendim për mbështetjen ose jo të ndonjë kandidati.
Por nga qëndrimi gjatë pyetjeve
të deputetëve të opozitës, u la të kuptohej se Partia Demokratike nuk do të
mbështesë asnjërin.
Madje as kryetaren aktuale
Lefterie Luzi, e zgjedhur në këtë post 4 vjet më parë me votat e Partisë
Demokratike.
Pyetjet e opozitës u fokusuan tek
vendimmarrja e zonjës Luzi gjatë ushtrimit të detyrës, por një prej tyre nxori
në pah qëndrime të kundërta me opozitën për mënyrën e zbatimit të ligjit të
dekriminalizimit.
“Është e nevojshme dhe e
menjëhershme që ligji për dekriminalizimin, së bashku me kodin zgjedhor dhe me
ligjet e tjera duhet të ndryshojnë. Për shembull, në nene të caktuara ku thuhet
‘mund’, ‘duhet’. Ndryshe thuhet në një nen, ndryshe thuhet në një ligj, ndryshe
thuhet në vendim”, shprehet Luzi.
Nga mazhoranca, zonja Luzi mori
vetëm dy pyetje të përgjithshme. Po ky qëndrim pasiv i deputetëve socialistë,
përveç disa batutave nga kryetari Xhafaj, ra në sy edhe gjatë pyetjeve të
opozitës për dy kandidatët e tjerë. Për Denar Bibën, përveç vendimmarrjes “pro”
të Partisë Socialiste, demokratët u përqendruan tek mospërmbushja e kritereve
ligjore për kandidim.
“Mendoni ju se unë do të kisha kandiduar këtu dhe të vendosja në një lloj
pozite përpara jush? Nëse unë do të kisha një lexim si i juaji”, tha Denar
Biba.
Edhe për Kolin Belen demokratët
pretenduan përmes disa pyetjeve se nuk përmbushte kriteret ligjore, duke e
lidhur me funksione më të hershme në Partinë Socialiste. Çka ai i mohoi, por
nuk mohoi një pyetje, nëse kishte financuar Partinë Socialiste.
“Para disa vjetësh kam bërë një
donacion për subjektin në fjalë. Nuk më kujtohet shumë ekzakte”, tha Bele.
Komisioni
i Ligjeve nuk ka caktuar një datë për vendimmarrjen rreth kandidatëve. Dhe tani
topi është tek socialistët, vota e të cilëve do të përcaktojë kush do të jetë
në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 4 vitet e ardhshme