KPK konfirmon në detyrë prokurorin Sokol Stojani

552
Sigal

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë Sokol Stojanin, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme e kaloi lehtë procesin e rivlerësimit kalimtar para trupës gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari pasi kontrolli i pasurisë, ai i figurës dhe i aftësive profesionale nuk identifikuan asnjë problem.

Seanca dëgjimore për Stojanin u zhvillua më 30 tetor 2018.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILKPDKI) pati raportuar se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë, ka mjaftueshmëri financiare për pasurinë e vet, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.

Sa i përket pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një skedë të pastër për të në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit duke e shpallur “të përshtatshëm” për vijimin e detyrës.

Sa i përket aftësive, KPK raportoi se Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit 2016-2018 dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore.