Sigal

Kryeministri  Rama takon  Presidentin Meta për zgjidhjen e ngërçit mbi dekretin për gjeneralin Sandër Lleshi

Presidenti Meta nuk e dekreton Lleshin për ministër të Brendshëm. Kryeministri Rama, pas takimit në Presidencë: Jemi në komunikim

Presidenti Meta, në përfundim të afatit kushtetues, dje nuk dekretoi Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm. Propozimi i Kryeministrit Rama për të emëruar këshilltarin e tij në krye të Ministrisë më të atakuar nga opozita nuk mori pëlqimin e Presidentit. Institucioni i Presidencës nëpërmjet një njoftimi të shkurtër për media u shpreh se kandidatura e propozuar nga Rama nuk arriti të bindë Presidentin.“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së z. Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kryeministri Rama në Presidencë

Vendimi i Presidentit për të mos dekretuar Lleshin ishte lajmëruar nga ai vetë dy ditë më parë në një intervistë, ku u shpreh se për këtë çështje do të tregohej tepër kurajoz. Presidenti Meta kërkoi informacion. Kërkesat e tij iu drejtuan një sërë institucionesh në vend, ndër të cilat Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Mbrojtjes për statusin e gjeneral Lleshit, por dhe jo vetëm. Këto informacione, mesa duket, nuk e kanë bindur Presidentin që të vendosë pro propozimit të Ramës. Burime nga Presidenca bënë me dije, Presidenti i ka kërkuar takim Sandër Lleshit, por ky i fundit nuk ka vajtur, ndërsa ka shkuar një ditë më vonë. Kryeministri Rama, sa u njoh me vendimin e Presidentit Meta, për të mos e dekretuar ministrin e Brendshëm, u dërgoi mesazh të gjithë deputetëve të PS-së, që të mos e komentonin fare këtë vendim, dhe u kujtoi që politika është një lojë shahu, duke lënë të kuptohet, se ai ka lëvizjen e radhës, për të arritur tek shah-mat! Mesazhi i kryeministrit Rama: “Lutem asnjë lloj komenti, askush për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”. Dje, kryeministri Rama shkoi në Presidencë dhe bisedoi me Presidentin Meta. Në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë u tha: “Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm.

Hera e parë që Presidenti nuk dekreton ministër të qeverisë. Ja çfarë thotë Kushtetuta

Kjo lëvizje e bërë nga Presidenti Meta shënon edhe precedentin e parë, ku një President nuk dekreton një propozim të një kryeministri për ministër. Kjo, pasi në të gjitha rastet kur janë bërë emërime apo shkarkime ministrash i janë referuar Nenit 98 të Kushtetutës. Ky nen thekson se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Por në rastin e Sandër Lleshit, Presidenti Meta bëri edhe precedentin e parë për refuzimin e një kandidature për ministër. Vetë Presidenti në intervistën e dhënë dy ditë më parë mori si shembull rastin e Presidentit italian, i cili ka të njëjtat kompetenca si Presidenti në Shqipëri, kur refuzoi një ministër duke mos e dekretuar. Nuk është çështje shpatullash, është çështje bindjesh dhe të jeni të sigurt, jo një, por edhe 10, edhe 20 që nuk do të më bindin, nuk do t’i dekretoj, nuk do t’i firmos. Të jeni të sigurt për këtë gjë. Presidenti nuk është një figurë që merret as më PPP-të dhe as me këto, por kur vjen momenti që merret me çështje të tilla, siç kemi rastin e Italisë, ku Presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të Ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në euro, tha që nuk e firmos”, – ka theksuar Presidenti Meta. Bujar Nishani, në kohën kur gëzonte mandatin e Presidentit nuk e pengoi emërimin e Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme. Presidenti në atë kohë i qëndroi besnik parashikimeve në Kushtetutë, edhe pse, vlerësimi tij për ministrin e propozuar ishte negativ. “Në vlerësimin tim, kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër”, – është shprehur ish-Presidenti Nishani në atë kohë.

Polemikat

Vendimi i Ilir Metës për të mos dekretuar propozimin e Ramës si Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshin, ka hapur disa dilema të një polemike, sa konstitucionale, po aq edhe politike. Pyetje që shtrohen rëndom janë: A ka të drejtë kryeministri të emërojë pa asnjë pengese çdo ministër që do? A mund të komandohet zv. ministri? A mund të shkarkohet presidenti?

Në të gjitha republikat parlamentare si Shqipëria, vullneti është i kryeministrit dhe ky vullnet verifikohet nga Parlamenti, ndërsa presidenti ka vetëm 7 ditë kohë për të kryer veprimin solemn të dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave. Pra, sipas këtij interpretimi afati 7 ditor i nenit 98 të Kushtetutës është detyrues për kreun e shtetit që i kufizon dhe kohën kur ai duhet të firmosë dekretin. Ja ç’thotë neni që është vënë në qendër të polemikave:
Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenga 7 ditësh
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
Secili ka të drejtë në këto interpretime, mund ta vendosë vetëm Gjykata Kushtetuese. Por falë reformës në Drejtësi, ajo dalëngadalë po mbush vitin jashtë funksionit.

Çdo të bëjë kryeministri Rama pas refuzimit?

Vetë kryeministri Rama nuk ka thënë asnjë fjalë pas vendimit të Metës, por mediat pranë tij kanë hedhur idenë e komandimit të Lleshit si një zv/ministër i fortë, që në fakt do të drejtojë ministrinë e Brendshme. Por kjo nuk duket e realizueshme për një arsye të thjeshtë. Kryeministri mund ta emëroje me vendim qeverie Sander Lleshin zv. ministër, por delegimin e kompetencave të ministrit nuk e ka kryeministri por vetëm ministri. Sandër Lleshi mund të ketë kompetenca ministri vetëm, nëse ato ia delegon ministri Xhafa, i cili do të vazhdojë të jetë formalisht ministër, deri sa Presidenti të dekretojë zëvendësin e tij (madje edhe nëse votohet nga parlamenti shkarkimi). Një opsion është që vetë kryeministri Rama të mbajë edhe postin e ministrit të Brendshëm, por vështirë që ta bëjë. Pas refuzimit të dekretimit, po ngrihen zëra se Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe parlamenti duhet të kërkojë shkarkimin e tij. Shkelja e Kushtetutës sipas mbështetësve të PS qëndron në faktin (pika 1) se presidenti është i obliguar të dekretojë një propozim të kryeministrit për ministër.

Kostitucionalistët Gjata dhe Hazizaj pohojnë, se Presidenti nuk është noter i Kryeministrit. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është dëm kushtetues

Reagon për Telegraf konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Derisa mungon Gjykata Kushtetuese, të gjitha mosmarrëveshjet kanë natyrë politike

Ende nuk ka dalë në dritë analiza dhe arsyet për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka emëruar, apo dekretuar propozimin e Kryeministrit për Ministrin e Brendshëm, për të konkluduar mbi mundësinë ose jo të Presidentit për të ndërmarrë një veprim të tillë. Parë në optikën e Presidentit të kaluar, Bujar Nishani, kjo mundësi nuk ekziston. Parë në optikën e këtij të fundit, kjo mundësi ekziston. Ndaj mosveprimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, në optikën e sotme merr rëndësi të madhe. Pra, Gjykata Kushtetuese me vendimin e atij viti, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit të kohës, ka gabuar. Në këtë kuptim çështja sot do të ishte e zgjidhur. Ndaj citoj se, ndonëse dekreti Presidentit ka karakter nominal, ku, ai dhe vetëm ai, emëron dhe shkarkon, procesi është tërësisht politik, dhe si i tillë mendoj se, si Meta ashtu edhe Rama, e dinë shumë më mirë ku u pikon çatia, e cila në të vërtetë është duke rënë. Gjithsesi ri-citoj, se sa kohë mungon shpirti i rojtarit të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese, të gjitha mosmarrëveshjet kanë natyrë politike, pse jo dhe meskine e të vogla. Jo rastësisht ndodhin këto, ndaj përhershmërisht kam nxitur mendimin, se në shumë dimensione Reforma në Drejtësi ka qenë e papjekur mirë. Me duket se në rreshtat e mesazhit të tij e ka pranuar këtë nëpërmjet lojës së shahut. Sa i përket idesë së shkarkimit të Presidentit, citoj se nuk ia vlen të arsyetosh, sepse është qesharake dhe idiote, të më falni për shprehjen. Kjo pasi Neni 90 i Kushtetutës ia ka hequr këtë tagër Kuvendit, si e tillë mjafton ta lexosh këtë dispozitë.

Reagon për Telegraf konstitucionalisti Çlirim Gjata: Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese nuk mund të dekretohet më. Do të ishte antikushtetuese!

Presidenti do të kishte të drejtë t’ia çonte Gjykatës Kushtetuese, bie fjala. A kam të drejtë unë t’ia kthej mbrapa? Në këtë rast Presidenti e interpreton kështu: Po, nuk kam nevojë për Gjykatë Kushtetuese, ia kthej unë. Po nëse kryeministri dërgon për ministër një person si ata deputetët që i ka kapur ligji i dekriminalizimit, duhet ta emërojë?! Presidenti është i bindur, këtë nuk e bëj, e kam këtë kompetencë, kështu e interpreton. Kryeministri, nëse nuk është dakord me këtë duhet t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, qoftë në rastin e parë, nëse do t’i drejtohej Presidenti Gjykatës Kushtetuese me kërkesën, që kam të drejtë ta kthej, qoftë edhe tani kur Kryeministri nuk është dakord me Presidentin, ku ta gjejmë Gjykatën Kushtetuese? Atëherë kryeministri duhet të zgjedhë mes djepit bosh dhe shejtanit. Këto gjëra sjellin kushtetuta që bëhen të pastudiuara. Kryeministri duhet të çojë emër tjetër. Por ka një gjë, presidenti duhet të japë arsyet legjitime, pse po ia kthen. Nga ana tjetër, nuk është se e ka absolut detyrim t’i bëjë publike. Pra, arsye ka, por pse nuk janë bërë publike e di ai. Fakti që nuk i ka bërë publike, nuk do të thotë që s’ka arsye. Nëse do të dekretohej tani, pas kalimit të afatit, pas asaj që Meta tha, nuk krijova bindjen për emërimin e tij dhe, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të dekretohet më. Do të ishte antikushtetuese! Madje, nuk do kishte as personalitet si ministër zoti Lleshaj. Nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë se nuk shkon.

Reagimet politike

Festë e madhe në PS, hapën edhe shampanjë. Kush e synon postin e Xhafajt”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e presidentit të Republikës Ilir Meta, për të mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm. Berisha: “Pse u gëzuan dhe festuan mbrëmë pabesisht narkodeputetët e narkomazhorancës!? Të dashur miq, një festë dhe gëzim i pazakonshëm shpërtheu mbrëmë tek narkoparlamentarët e narkomazhorancës siçiliste për mos dekretimin nga Presidenti i Republikës i kandidaturës së këshilltarit të Ramës, Sandër Lleshi, si ministër i Brendshëm. Telefonatat, SMS, Ëatsapp, BBM, telegramet e urimit për njëri tjetrin, por edhe për vetë Presidentin dhe onturazhin e tij tejkaluan shumë ato që ata dërgojnë për pashkë apo bajram. Në Hilton dhe kafetë e tjera të narkosit u hap edhe shampanjë. Shumica e tyre festuan se i shpëtuan në këtë kohë videosh dhe regjistrimesh spiunimit dhe kontrollit policesk të dyfishtë të Ramës (pas atij që ushtron me sigurimsat e SHISH) ndaj tyre, pasi gjenerali në daljen e tij në Opinion i lemeriti, sepse ai u paraqit aty si spiun kongjenital dhe i tmerroi tek betohej 35 herë për kokë të Ramës, sikur Rama të ishte vetë Krishti dhe jo Antikrishti i dytë i shqiptarëve, pas Enverit. Të tjerë, krahu i pluhurit dhe drogës u ngazëllyen, pasi ëndrra e tyre për të zënë vendin e Xhafës doli nga varri, kurse të tretët nuk u përmbajtën dhe nisën sipas preferencës mesazhet e urimit ndrikullave Xhaçka, Gjoni, madje edhe të dyjave, si ministret e tyre të ardhshme të brendshme. Ndër socialistët, i mërzitur qartas mbeti vetëm Ditziu, sepse druan shumë se ndrikull Mesi do jetë ministrja e Brendshme dhe atij do t’i bien aksionet në banditët siçilistë të Shkodrës. Në këtë festë mori pjese edhe viktima e Gjushit, vet Xhafa, i cili i tha Lal Plehut, se qesh mirë ai që qesh i fundit!”,

Basha: Lëvizja e ashpër është largimi i vetë Edi Ramës

Gjatë takimit në Korçë ku shpalosi tre platformat e programit të PD-së, kreu i opozitës Lulzim Basha komentoi vendimin e presidentit të republikës Ilir Meta, për të mos dekretuar ministrin e ri të Brendshëm të propozuar nga Edi Rama, Sandër Lleshin. Basha tha se presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe se largimi i radhës është ai i kryeministrit Edi Rama. “Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë të gjithë aspektin kushtetues për dekretin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ashpër në atë që nuk është lojë shahu por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës. Vendi është pa kryeministër pa gjykatës pa prokurori. Vendi qeveriset nga një organizatë kriminale dhe përgjegjësia ngelet mbi Ramën.”, – deklaroi Basha.

 Astrit Patozi: Ilir Meta na përfaqëson më shumë se kushdo tjetër

Ish kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, një nga figurat më të spikatura të së Djathtës, analisti Astrit Patozi, në një reagim në rrjetin e vet social, në një analizë të gjatë, evidenton arësyet e  mosdekretimit të ministrit të Brendshëm Lleshi nga Presidenti Meta dhe, duke kritukar edhe opozitën e dobët të së Djathtës, pohon se Presidenti Meta, me veprimet e veta institucionale përfaqëson të gjithë opozitarët e ndershëm, përballë keqqeverisjes së kryeministrit Rama. Astrit Patozi, ndër të tjera shkruan: Ilir Meta i ka kapur të papërgatitur dhe i ka shokuar të gjithë. Madje edhe ata që janë gëzuar aq shumë me mosdekretimin e Sandër Lleshit, sa po e përjetojnë si një fitore të tyren, vetëm se mendojnë që kjo i prish punë Edi Ramës. Por edhe ata vetë duken në vështirësi për ta mbështetur presidentin e tyre, ndaj po vonojnë pak të shprehen. Jo se kanë marrë ndonjë mesazh për vetëpërmbajtje, si deputetët e Partisë Socialiste, por sepse, fjala vjen, duhet të shpjegojnë se si ka mundësi që ai dekretoi pa asnjë problem, për të mos thënë me shumë qejf, “gogolin” e mafias dhe të krimit, Fatmir Xhafa, para një viti, por nuk “u bind” dot edhe pasi u mendua gjatë për Sandër Lleshin. Por mbi të gjitha, duhet të pranojnë se për ta Kushtetuta është si një vëllim me poezi, që çdo president që vjen e lexon si të dojë vetë, sepse ndryshe i bie që Bujar Nishani vjet, kur tha se, me gjithë se dëshirën e tij nuk e rrëzonte dot propozimin e kryeministrit, ka qenë në shërbim të Edi Ramës. Kurse të tjerët në qeveri po e konsiderojnë si një gjëmë që i ka pllakosur papritur kombit dhe po përgatiten për hakmarrjen finale. Përveç Erion Braçes, që foli përpara dhe pa ngritur dorën për të marrë leje, të tjerët po shtrëngojnë dhëmbët me zor që të mos e shajnë me libër shpie Presidentin, për të cilin mendojnë se vetëm i tyre nuk është. A thua se nuk ishin të njëjtët që përpara një viti mblodhën firmat, u vunë në rresht dhe votuan në parlament për ta çuar Ilir Metën në fronin e kreut të shtetit. Sigurisht, që ka edhe një palë të tretë shqiptarësh normalë, që e përjetojnë me dhimbje dhe trishtim këtë degradim të Republikës. Prej të cilës duan të ikin një orë e më parë, por jo kushdo e ka këtë mundësi. Ata nuk e meritojnë aspak këtë Shqipëri, që përveçse e pajetueshme, po bëhet qesharake dhe e paparashikueshme me krizën apo precedentin, që krijon mosdekretimi i ministrit të Brendshëm. Ilir Meta nuk mund të jetë sot as heroi i një pale dhe as delinkuenti i palës tjetër. Por ai është padyshim sot një prej simboleve më të ndritshme të një klase politike të zhytur në amoralitet, në korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Dhe si i tillë duhet trajtuar, si një produkt tipik “made in Albania”, i atyre që po qajnë dhe po gëzohen nga “burrnia” apo “pabesia” e tij e fundit. Sepse Ilir Meta na përfaqëson sot më shumë se kushdo tjetër, jo thjesht se është President i kësaj Republike të mbaruar.