Kosovrasti:Më kërcënuan familjen se denoncova manipulimet

629
Sigal

Njazi Kosovrasti lëshon deklaratën bombë në KQZ: Reagojnë Nard Ndoka dhe Ylli Gjonçaj: Ja ç’mendojmë për procesverbalet e fotokopjuara

Një histori që ngjan me skenarët e filmave me mafie, është treguar dje publikisht, nga përfaqësuesi ligjor i KQZ-së, Njazi Kosovrasti, i cili në akuzën e tij, ka përfshirë emra përfaqësuesish të Majtë e të Djathtë, në KZAZ-në e Qarkut të Lezhës. Sipas tij, në këtë qark janë bërë manipulime të mëdha që kanë arritur të përmbysin edhe rezultatin total, duke dërguar në KQZ, jo procesverbalin origjinal, por fotokopjen e tij. Nga ana tjetër, Kosovrasti ka treguar mesazhet e djeshme të celularit duke thënë se ai ka pasur kërcënime për familjarët e tij. Në këtë mënyrë, pas qetësisë relative me të cilën u karakterizua ky proces zgjedhor, historia e djeshme e Kosovrastit, ka zbuluar një pjesë tjetër të realitetit, e cila padyshim do të zbardhet nga strukturat përkatëse. Nëse vërtetohet qënë Qarkun e Lezhës ka pasur manipulime, atëherë kjo do të jetë një njollë e zezë për procesin e 23 Qershorit, por kjo gjë mund të vërtetohet vetëm nga verifikimi i kutive.

Ngjarja

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti deklaroi dje, se është kërcënuar në telefon, pas deklaratave në Komisionin e Zgjedhjeve lidhur me rezultatin e votimeve në qarkun e Lezhës. Njazi Kosovrasti bëri gjithashtu të ditur se, në telefonin e tij kanë mbërritur dy mesazhe kërcënuese, nga persona ende të paidentifikuar. “Kam marrë mesazhe kërcënuese për familjen. Kërkoj ndërhyrjen e autoriteteve. Pavarësisht kërcënimeve do të them mendimin tim”,- deklaroi Kosovrasti.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së kërkoi dje që Komisioni Zgjedhor të marrë një vendim për hapjen e 10 kutive të votimit të ZAZ-së, nr. 13, Qarku Lezhë, pas konstatimit për ndryshim të shifrave në tabelat e rezultateve për disa subjekte politike. Diskutimi i rezultateve të qarkut Lezhë u shoqërua me debate të forta në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, pas konstatimit se për 10 QV, KZAZ nr. 13, ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. Në këtë situatë KQZ, nuk mund të nxjerrë një rezultat përfundimtar për këtë qark, pasi ai nuk mund të dalë nga tabelat e fotokopjuara.

Akuza

Në këtë kuadër, Kosovrasti e cilësoi këtë situatë një ngjarje shumë të rëndë dhe një manipulim të shëmtuar dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen ligjërisht: “Ky manipulim ka ndodhur nga tre personazhe me detyrë në KZAZ-në nr.13, kryetarja Alketa Hoxha, përfaqësuese e PS-së, që ka qenë dhe dorëzuese e materialit në KQZ, e shoqëruar nga sekretari i komisionit, Aleksandër Gjonmarkaj përfaqësues i PD-së, dhe nënkryetari Gjovalin Gjeloshi i PD-së. Këta të tre janë manipulatorë dhe duhet të jenë pjesë e një gjykimi që duhet të vazhdojë me vendimmarrjen e KQZ-së”, u shpreh Kosovrasti. Më tej ai tha se, “nga ky manipulim, favorizohet subjekti PS dhe bashkë me të koalicioni i majtë”. Përfaqësuesi i PD-së tha se nga informacioni i mbërritur elektronikisht në KQZ rezulton se, shumatorja e votave për koalicionin e majtë në 248 QV të qarkut Lezhë është 38. 270 vota, ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë 38.555, ose 285 vota më shumë se i pari. Pas ngjarjes, gjatë ditës së djeshme, gazeta “Telegraf” intervistoi dy përfaqësues të lartë te koalicioneve të ndryshme për t’i marrë një mendim ndaj kësaj ngjarjeje dhe pikërisht, kreun e demokristianëve, apo zv.ministrin e Brendshëm, Nard Ndoka dhe përfaqësuesin ligjor të PS-në KQZ, Genci Gjonçaj.

  Nard Ndoka: Kutitë të hapen! Kosovrasti do të ketë mbrojtjen e shtetit si çdo qytetar për shkak të detyrës

 Zoti Ndoka, a ju duket i drejtë pretendimi i zotit Kosovrasti, për manipulimin e rezultateve?

Këtë nuk mund ta them menjëherë tani, por mendoj se procesi ka nevojë për transparencë deri në fund. Dhe fjala e zotit Kosovrasti duhet të respektohet. Në kuadër të transparencës, mendoj se nuk ka asnjë problem që kutitë të hapen dhe fletët e votimeve të rinumërohen. Aty pastaj, do të mund të themi nëse ka të drejtë zoti Kosovrasti, apo përfaqësuesit e koalicionit tjetër.

Ju vetë, besoni se në Lezhë mund të ketë pasur manipulime?

Unë jam për një proces të pastër dhe korrekt, deri në fund. Dhe kjo nënkupton që në këto momente nuk ka asgjë të keqe që kutitë të hapen dhe të verifikohen votat, në raport me procesverbalet e dërguara.

Zoti Ndoka, si do të veproni tani që Kosovrasti është kërcënuar? Pra, si zv/ministër i Brendshëm, a do t’i afroni atij mbrojtjen e shtetit?

Zoti Kosovrasti është një njeri si gjithë të tjerët. Pa asnjë status të veçantë, por në bazë të ligjit në fuqi, ai është kërcënuar për shkak të detyrës dhe padyshim, përfiton të drejtën e mbrojtjes. Por me sa di unë, deri tani Kosovarsti nuk ka kërkuar zyrtarisht, mbrojtje. Sidoqoftë, në rast kërkese kjo është diçka normale dhe e domosdoshme.

  ———-

 Genci Gjonçaj: Pretendimi i Kosovrastit, një histori dëshpërimi

 Zoti Gjonçaj, cili është mendimi juaj për pretendimin e zotit Kosovrasti?

Nëse zoti Kosovrasti, hap telefonin dhe lexon një, apo më shumë mesazhe telefonike, unë nuk marr përsipër të bëjë asnjë koment mbi to. Sepse për t’i ndjekur këto probleme rrugët ligjore qëndrojnë të hapura.

Po për pretendimin e Kosovrastit në lidhje me manipulimin e votave?

Për mua deri tani, ato nuk kanë bazë reale. Sepse ne, si përfaqësues të forcave politike kemi lexuar me korrektësi, në zbatim të ligjit rezultatet që na kanë ardhur zyrtarisht, nga KZAZ-të e qarkut. Dhe kjo është bërë në mënyrë transparente e ligjore, sipas rregullave të përcaktuara.

Po a është e drejtë që tek ju të vijnë fotokopjet dhe jo dokumenti origjinal?

Kjo ka ndodhur edhe në disa KZA, të tjera dhe nuk përbën shkelje. Megjithatë çdo njeri ka të drejtë t’i shkojë deri në fund pretendimeve të veta, por kjo duket si një histori nga dëshpërimi.