Kosovë-Shqipëri, së shpejti terminal i përbashkët doganor

435
Sigal

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një terminal të prëbashkët doganor, për të bërë të mundur siç tha ai shembjen e barrierave ekzistente për intensifikimin e shkëmbimeve të mallrave mes dy vendeve. Duke folur nga kryeministria me përfaqëuses të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha prej vitesh ka ekzistuar një barrierë që ka penguar zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Sipas Ramës një terminal i përbashkët doganor është një domosdoshmëri për procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet. “Fatkeqësisht edhe pse kanë kaluar shumë vite, tregjet e Kosoves dhe Shqipërisë qëndrojnë të izoluara, dhe vështirësisht të aksesueshme për prodhuesit dhe tregtarët. Sot mund të themi se mes dy shteteve është ngritur një barrierë që pengon zhvillimin dhe artificialisht i ka larguar dy shtetet. Është e pamundur që të shkojmë tutje pa pasur një terminal të përbashkët doganor dhe krijimi i tyre, është një domosdoshmëri për të hapur procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet. Konkretish terminali i përbashkët i Morinë- Vermicës dhe Morinë-Tropojës janë në rendin e ditës.” tha Rama. Kryeministri Rama duke e cilësuar këtë takim si hapjen e Dhomës Kombëtare të Tregtisë mes dy vendeve, u shpreh se përmes këtij projekti nuk do të ketë më as vonesa në procedurën e kalimit tranzit të mallrave. “Afrimi me Kosovën nuk është vetëm logjistik, por është shkurtim drastik i kontrolleve, i kohës, dhe padyshim mundësi e re për të goditur shfaqjet korruptive dhe trafiqet kriminale. Ribërja e procedurave është një nga problemet më të mëdha që pengon iniciativën e lirë, dhe aspiratën për të fuqizuar shkëmbimin mes dy vendeve. Me tranzitin e përbashkët mallrat nga Durrësi do e mbyllin tranzitin në Kosovë, pa pasur nevojën për të ndaluar në Morinë. Kjo risi e shpejton në mënyrë të jashtëzakonshme lëvizjen e mallrave, shkurton kohën e qëndrimit në doganë, dhe kostot e biznesit, dhe e bën praktikisht kufirin mes dy vendeve inekzistent. “ u shpreh kryeministri

RAMA: ÇERTIFIKIM I PERBASHKET HIDRO-SANITAR

Duke vazhduar më tej Rama tha se deri më tani edhe çërtifikimi hidro-sanitar ka krijuar pengesa dhe vonesa veçanërisht të mallrave ushqimore. Sipas Ramës, mes dy qeverive po punohet për krijimin e një çertifikimi të përbashkët duke shmangur në këtë mënyrë edhe vonesën. “Problem tjetër është vonesa në kufi ndaj produkteve ushqimore, kemi marrë informacion të plotë, ku kemi parë se çfarë prodhon kjo vonesë e tillë. Mallra që nisen nga Kosova dhe mbërrijnë në Serbi për 4 orë, ndërsa në Shqipëri duan të paktën 2 ditë, dhe ky handikap e ul në gjunjë shkëmbimin tonë tregtar dhe të gjithë sipërmarrësit dhe çdo lloj iniciative të përbashkët mes dy vendeve. Për shmangien e ketij handikapi duhet të ulemi të punojmë për njohjen e çertifikatave të përbashkëta hidro-sanitare, pra krijimin e çertifikatave kombëtare unike.” tha Rama. Tjetër pikë e rëndësishme që do të përmirësohet përmes projektit të terminalit të përbashkët doganor Kosovë-Shqipëri sipas kryeministrit Rama do të jetë heqja e pikës së referencës veçanërisht për prodhimet blegtorale. “Heqja e pikës së referncës me Kosovën është një tjetër pikë, dhënia e thjeshtuar e kalimit të produkteve ushqimore e blegtorale që përbëjnë 80% të shkëmbimeve mes dy vendeve, për të cilat mbi të gjitha nuk pret as koha. Nga ana tjetër laboratorët doganorë duhet të bëjnë të njëjtën gjë.” u shpreh Rama

RAMA: TERMINALI, LUFTE KONTRABANDES DHE EVAZIONIT FISKAL

Rama tha se ky proces i përbashkët do të përqëndrohet edhe në luftën ndaj kontrabandës dhe evazionit fiskal në dogana. “Nuk është folur shumë por ne e shohim si të rëndësishme se kemi hapësirë të madhe për të shfrytëzuar luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal . Janë evidentuar pikat me risk të lartë kontrabandimi dhe praktikisht ka një dakordësi për praktika të përbashkëta të kontrollit. Sigurisht duhet të përmirësojmë edhe infrastrukturën doganore. Kemi terminalet më të papranueshme. Jemi në fillimin e punës për një projekt të ri dhe do të bëjmë një projekt të përbashkët.” deklaroi kryeministri

RAMA: KRIJOJME KESHILLIN EKONOMIK KOMBETAR

Në fund Rama foli edhe për krijimin e një Këshilli Ekonomik Kombëtar, për të luftuar siç theksoi kryeministri burokracinë. “Unë ju propozoj që përveç këtyre propozimeve proceduriale, ne të kemi se bashku me Dhomën Kombëtare Tregtare edhe një Këshill Ekonomik Kombëtar që të organizojë takime periodike qoftë në Tiranë apo Prishtinë me prezencën e dy ministrave të financave dhe dy drejtorëve të doganave dhe përfaqësues të dhomës nga të dyja anët. Besoj se ky këshill do të na japë mundësinë që e para të jemi ne kontakt të vazhdueshëm, pasi luftën me burokracinë e kemi të përbashkët, dhe ta shpallim armik të përbashkët.” përfundoi Rama.

CANI: “RRUGA” KOSOVË-SHQIPËRI PËR DY MINUTA

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në fjalën e tij e vuri theksin tek proceduarat e shpejta të doganave. Ai tha se ndërsa sot, nga Kosova në Shqipëri rruga bëhet për dy ditë, ditën e nesërme ajo do të bëhet për “2 minuta”. “Rrugët që ne sot e bëjmë për dy ditë, ditën e nesërme ta bëjmë për 2 minuta”, tha Cani referuar procedurave të gjatë në dogana. “Bashkë me ministrin e Financave të Kosovës, ne e dimë që legjislacioni shqiptarë ka nevojë për përmirësime”, tha Cani.  Një pikë tjetër është zbatimi i ligjeve. “Zbatimi në praktik. Ne ligjet i kemi mire, zbatimi e bëjmë keq. Përafrimi me standardet Europiane është synimi ynë.” “Ne nuk kemi synim mbledhjen e të ardhurave, por lehtësimin e biznesit. Për këtë ndihmojnë edhe rekomandimet e sipërmarrësve”,- tha ministri i Financave.

BESIM BEQAJ: PAS SHUMË VITESH, KËMBIMET TREGTARE GJEJNË RRUGËN E DUHUR

Ministri i Financave të Kosovës, Besim Beqaj, i pranishëm në tryezë, u shpreh se pas shumë vitesh Shqipëria dhe Kosova kanë arritur në një kohë të shkurtër t’i adresojnë problemet në themel. “Këmbimet tona tregtare që për shumë kohë kanë munguar, tashmë kanë gjetur rrugën e duhur, duke filluar nga shkurtimi i procedurave të stërgjata burokratike. Mua më vjen shumë mirë që me një rritëm të përshpejtuar kemi arritur t’i adresojmë gjërat në themel. Për shumë vite kemi thënë se jemi një popull, por që barrierat nga të dy anët nuk kanë shkuar siç duhet”, vijoi ministri i Financave. Ai tha se me homologun e tij shqiptar, Shkëlqim Cani ai ka komunikime të përjavshme, por një rol të rëndësishëm luajnë edhe bizneset. Sipas tij ata duhet të adresojnë problematika.  “Është shumë e rëndësishme që ne të vendosim një kanal komunikimi të hapur, të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me biznesin”, tha ai.  Gjithashtu, Beqaj  shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për t’i dhënë udhë projektit për menaxhimin e integruar të kufijve.  “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në secilën pike për menaxhim të integruar të kufijve. Të luftojmë tregtinë informale, korrupsionin, ”,- u shpreh Beqaj