Kosovë, ratifikohet marrëveshja për kufirin me Malin e Zi

625
Me 80 vota pro dhe 11 kundër, Parlamenti i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja u votua nga partitë në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, ndërsa kundër saj votuan Grupi i Pavarur i Deputetëve, grup ky i dalë nga lëvizja “Vetëvendosje”. Ratifikimi i marrëveshjes pasoi ndërprerjen e seancës për katër herë me radhë, pasi deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e marrëveshjes. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka ndaluar pesë deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” të dyshuar për hedhjen e gazit lotsjellës. Seanca për votimin e marrëveshjes pasoi debatin prej rreth nëntë orësh të një dite më parë, në përpjekje për t’i dhënë fund një periudhe më shumë se dyvjeçare të përplasjeve e mospajtimeve të thella ndërmjet subjekteve politike të ndara rreth rrjedhojave të kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
Sigal