Kosovë, ekstradohen 6 shtetas turq të lidhur me klerikun Gulen

568
Autoritetet në Kosovë arrestuan dje pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”, pronë e klerikut turk Fetullah Gylen, të cilin presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë. Gjithashtu u arrestua edhe një mjek turk në Kosovë. Në mesin e të arrestuarve janë dy drejtorë të shkollës “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë, një zëvendësdrejtor dhe dy arsimtarë. Autoritetet nuk thanë se ku ndodhen të arrestuarit, ndërsa mediet turke thanë se ata janë ekstraduar menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve. Mediet turke publikuan edhe fotografitë e të gjashtë të arrestuarve. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës tha se u ka revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq të arrestuar. “Gjatë administrimit të provave kemi konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huajt, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”, thuhet në komunikatë. Por drejtori i Kolegjit “Mehmet Akif” në Lipjan, Nazmi Ulus tha se të gjithë të arrestuarit kishin leje qëndrimi me afat, ndërsa shprehet i shqetësuar për fatin e të arrestuarve. Ulus tha se dyshon që arsyeja për ndalimin e punonjësve të shkollës ka të bëjë me trysninë e Turqisë ndaj vendeve të Ballkanit. Institucionet Edukative “Gylistan” menaxhojnë katër shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, me rreth 1700 nxënës. Deportimi i 6 turqve vjen vetëm pak ditë pasi tensionet u ngritën në Kosovë si pasojë e ndalimit dhe përzënies me forcë të shefit të zyrës serbe, Marko Gjuriç. Ai u ndalua nga forcat speciale dhe u deportua deri në kufirin me Serbinë, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Beogradit. Presidenti Vuçiç bisedoi në telefon edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa Rusia dhe Turqia kanë ndërtuar prej pak vitesh një aleancë dhe bashkëpunim të shtuar.
Sigal