Kosova: Program konkret për strehimin, ujë 24 orë në çdo familje

161
Kandidati për kryetar Bashkie i PD në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët e zonës së Kinostudios, ku dëgjoi shqetësimet duke premtuar angazhim e përkushtim për zgjidhjen e tyre. Kosova theksoi projektin e tij për të sjellë ujë të rrjedhshëm 24 orë në ditë në çdo familje në Tiranë. Po ashtu, kandidati për kryebashkiak u foli qytetarëve edhe për planet e tij për strehimin dhe arsimin.
“Po bëjmë të gjithë përllogaritjet që Tirana ka mundësi të ketë furnizim 24 orë me ujë. Dhe të gjithë këto fuçira, depozita që nganjëherë bëhen dhe mollë sherri midis komshijve, të hiqen më në fund nga qyteti ynë. Do ta sjellim ujin pa qënë nevoja ta japim më koncesion se nuk duam të na ndodhë siç ka ndodhur me energjinë elektrike. Menaxhimi është plotësisht i mundshëm nga Bashkia e ardhshme e Tiranës. Në çdo objektiv të jemi të saktë, me fillime, me mbarime afatesh, me objektiva, me standarde dhe çdo gjë do të jetë e mirëkalkuluar në mënyrë që çdo gjë të bëhet realitet”, tha Kosova.
“A keni ndonjë plan ose ndonjë politikë për të dhënë banesa për të pastrehët ose për kryefamiljarët e rinj apo familjarët që shtohen duke ardhur nga rrethet?”, pyet një banor. “Janë rreth 7000-8000 apartamente që kanë mbetur. Do të thotë që nuk shiten më në Tiranë. Idea ime është që në se një firmë ndërtuese ka 60 hyrje dhe i ka shitur 45 ose 50 dhe i kanë ngelur 10 dhe nuk po ecin më, do të kërkoj një çmim në kosto, në mënyrë që Bashkia të bëhet ndërmjetëse për ti marrë dhe për t’ia dhënë atyre që kanë nevojë. Kur një qytetar merr një apartament me qera, ne duam të bëjmë një kontrate me ndërtuesin, që personi që ka ndenjur me qera për disa vite ti zbritet nga çmimi i shtëpisë”, tha Kosova.