Kosova në Tufinë: Lehtësi për biznesin, komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët

453
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të zonës së Tufinës, ku u foli për projektet e tij që do të sjellin përmirësimin e jetës, por dhe për parimet e qeverisjes, si transparenca e mbikqyrja. Kandidati për kryebashkiak, tha se do të jetë rigoroz dhe nuk do të tolerojë shkeljen e kontratave dhe afateve. 

“Kam hasur probleme, kam shtrënguar duar, që të dyja palët do mbikëqyrim çdo lloj pune që bashkia do bëjë, çdo lloj projekti që do jetë për ju. Secili nga ne do bëjmë që të gjitha fondet, të gjitha projektet që do nisen nga Bashkia e Tiranës në drejtimin tuaj, të mos bëhen sebep për të prodhuar ndonjë shtëpi apo vilë rrugës, por të gjitha të vijnë 100% aty ku ju keni nevojë. Dhe kush më pengon mua për ti ndjekur hap pas hapi, bashkë me ju, që ato lekë erdhën tek ju apo jo? Kush nuk zbaton afatet, kokërr leku nuk ka për të marrë nga unë. Ka ardhur koha, më shumë se kurdoherë tjetër, që banorët e Tiranës të vlerësojnë nejriun e sprovuar, njeriun me provë, njeriun e ndershëm dhe jo njeriun partiak të fallsifikuar, të parafabrikuar dhe që i jepet qytetarëve jo për t’u shërbyer atyre”, tha Kosova.
Kosova u ndal tek programi i tij për të krijuar lehtësi për biznesin. “Ju e keni parë se çfarë të mirash mund të prodhojë biznesi në qoftëse fryma karshi tij është miqësore ose e kundërta sa vështirësi mund t’’i krijohet biznesit kur ai penalizohet, i shtohet elektriku, i shtohen taksat, i merret fryma dita ditës, derisa njerëzit pastaj marrin valixhet dhe thonë këtu s’bëhet gjë dhe marrin rrugët e mërgimit pa ndonjë ide të qartë”, tha Kosova. “Harmonizimi i të gjithë mundësive që biznesi ka dhe nevojat e qytetarëve janë në tavolinë, do të bëj që Bashkia e Tiranës apo unë në krye të Bashkisë së Tiranës të kem mundësinë për të gjetur një rrugë të përbashkët midis kontributit për biznesin dhe plotësimit të nevojave të familjarëve”, shtoi Kosova.
Kandidati për kryebashkiak theksoi planin e tij për të siguruar transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Kemi planifikuar tre numra falas në mënyrë që t’i vëmë nën kontroll të gjitha shërbimet që Bashkia do ketë në dispozicionin tuaj dhe duke i vënë në kontroll, kontrolli i përbashkët do bëjë që çdo njeri që do jetë përkrah meje dhe unë personalisht do marr duartrokitje nga ju, ose do marr fishkëllima. Duartrokitjet apo fishkëllimat do të jenë orientuese çfarë po bëj mirë dhe çfarë duhet rregulluar”, tha Halim Kosova.
Sigal