Kosova në Shëngjergj: Halli juaj është halli im

56
Kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua sot me banorët e Shëngjergjit në turin e dëgjimit të kërkesave që do të përfshihen në programin e tij, dhe u angazhua që ata do të kenë vëmendjen e tij pavarësisht distancës. Banorët e Shëngjergjit kanë traditë në blegtori, dhe kërkojnë mbështetje në këtë drejtim.
“Kjo Malësi e Tiranës e ka si traditë që merret me blegtorinë. A do të mund të kemi mbështetjen e Bashkisë për grante”, shprehet një banor.
“Në konceptin im, është që cikli të mbyllet këtu, prodhimi dhe shitja, nëpërmjet pikave që mund të krijojmë. Nuk ka pse të robtoheni në Tiranë e në rrugët e saj për të shitur prodhimin tuaj. Ne kemi ndërmend të zgjerojmë nismën e Bashkisë, që u mundëson ju marrjen e kredive me interes zero. Kjo do të bëjë të mundur që të rrisni punën e prodhimin, e të krijoni edhe vende pune”, tha Kosova.
Një prej të pranishmëve në takim është i shqetësuar pasi ndarja e re administrative krijon distancë të madhe mes zonës së tyre dhe Bashkisë qendrore.
“Me këto zhvillimet me këtë ndarjen, ne tani jemi shumë larg. Si do shkojë puna jonë, kush do kujdeset për ne”, pyet një banor.
“Ne do të zgjidhim punët sëbashku. Po të bashkohemi, distance bëhet zero. Ju do të tregoni kërkesat dhe shqetësimet, unë do të angazhohem për zgjidhjen e tyre, si për çdo banor tjetër të Tiranës”, tha Kosova.
Banorët e Shëngjergjit kanë shumë mangësi e probleme në jetën e tyre të përditshme.
“Unë kam një pyetje për shëndetësinë. Ne kemi një laburante këtu e paisje të vjetra. Si i bëhet a mund të kemi mjekë këtu”, ankohet një banor.
“Edhe për gjërat që nuk janë kompetencë e Bashkisë, unë angazhohem se po të punojmë sëbashku do ti zgjidhim. Halli juaj është halli im. Për çdo shqetësim që kemi, do të ulemi bashkë e do të gjejmë një zgjidhje”, shprehet Halim Kosova.
Kandidati për kryebashkiak vizitoi edhe fshatin e largët Shën Mëri, ku kërkoi të takonte Lefterie Deliun, një grua që z.Kosova iu gjend afër në dimrin e vështirë të vitit 85, pasi ajo ishte në rrezik për jetën. Zonja Deliu i shprehu Halim Kosovës edhe një herë mirënjohjen e saj, për shërbimin e marrë natën më të vështirë të jetës së saj, 30 vite më parë.