Kosova në Njësinë 2: Punë, jo fjalë, për qytetin që duam shumë

55
Kandidati i djathtë për Tiranën, Halim Kosova është takuar me banorët në Njësinë 2
Eshtë privilegj, që jam sot këtu me ju, dhe që flas me kaq shumë njerëz, që së bashku e duam kaq shumë këtë qytet dhe besojmë për një Tiranë më të mire.
Gjithashtu, është privilegj për mua, që jam i rrethuar me kaq shumë shpresë për të ardhmen dhe që besoni tek mua.
Tirana sot ndodhet në një udhëkryq. Ne kemi një zgjedhje përballë nesh, një zgjedhje se kush do të jetë Kryetari i Bashkisë për 4 vitet e ardhshme ne qytetin tone:
• Do zgjedhim pune jo fjalë, apo fjalë jo punë?
• Do zgjedhim një menaxher të vendosur, apo dikë që do të ketë vetem karrierë politike?
• Do të gjejmë zgjidhje për problemet që kemi para nesh, apo vetëm do flasim për to?
• Do të marrim përgjegjësi për të zgjidhur problemet tona, apo do t’ia hedhim fajin të tjerëve?
• Do të zgjedhim një Kryetar që beson se Bashkia duhet t’i përkasë qytetareve të Tiranes dhe ai duhet të jetë në shërbim të tyre, apo dikë që beson se bashkia duhet të kontrollohet nga një parti, duke e vënë atë në shërbim të partisë.
Tirana ka ecur përpara gjatë këtyre 4 viteve:

• Sot kemi një plan urban të miratuar, për qytetin tone
• 50,000 familje më shumë kanë sot ujë
• Ka më shumë ndriçim e gjelbërim
• Ka më shumë kopshte e çerdhe me ngrohje për to, por mendoj se duhet bërë më shumë…
Për këtë arsye, jam duke kandiduar për kryetar Bashkie, qe të bëjmë më shumë për qytetin tonë. Dua të krijoj më shumë vende pune, të shtroj rrugë dhe trotuare, të ndërtoj shkolla të reja.
Dua ta bëj Tiranën një qytet më të mirë për të jetuar dhe punuar, sepse unë e dua këtë qytet. Tirana më ka dhënë mua shumë mundësi: shumë miq të mirë, familje të mrekullueshme, punë të respektuar dhe një profesion me shumë kënaqësi dhe mirënjohje përreth, të cilën dua t’ia shpërblej qytetit tim.
Unë nuk jam një politikan tipik, por ndoshta kjo është ajo që na duhet!
Tirana është një qytet i veçantë, me kurorën e Dajtit, produktet BIO të Shëngjergjit, me Liqenin e Farkës dhe bukuritë e Pezës e Ndroqit, me zona të zhvilluara, si dhe me zona që kanë akoma nevojë për vëmendje, që meritojne një kryetar bashkie që si qëllim kryesor ka vetëm qytetin dhe qytetarët.
Besoj e keni dëgjuar, që kundërshtarët e mi më kanë sulmuar se kam ide të mëdha. Sot po ju them që; unë vertet kam vizion, por vetëm për qytetin dhe jo për karrierë politike. Unë tashmë kam pesë prioritete kryesore për Tiranën:
– Higjena e qytetit, Tirana e pastër dhe e gjelbër
– Ulja e taksave me 30% për të krijuar më shumë vende pune
– Shtrimi i rrugëve dhe trotuareve
– Shkollat dhe cilësia e tyre
– Kujdesi për shtresat në nevojë.
Unë ju kam prezantuar një program specifik për Njësinë 2, si dhe për Farkën. Gjithashtu, kam zgjidhje reale për çdo rrugë, çdo bllok, çdo lagje, çdo cep të Tiranës së madhe.
Këto nuk janë vetëm fjalë, por visioni im për të ardhmen e qytetit, me objektiva, standarte, afate të përcaktuara, si dhe buxhet të garantuar. Këto nuk janë thjesht numra, këto janë ndryshime reale dhe specifike në çdo lagje.
Unë kam treguar se jam një menaxher i vendosur, duke ofruar kushte shërbimi gjithnjë e më të mira për qindra e mijëra qytetarë, kudo ku kam punuar.
Gjithmonë, kam marrë përgjegjësi për ndryshim, në vend që të ankohesha për të tjerët.
Si kryetar bashkie, do të realizoj të gjitha projektet e prezantuara me nikoqirllëk dhe buxhet të mirëllogaritur me 0 tolerancë për abuzime.
Unë do të jem në shërbim të çdo qytetari, duke ju siguruar që do të ofroj në mënyrën më të mirë të mundshme, atë që ju meritoni.
Si kryetar bashkie do të jem pranë jush, duke ju shërbyer me përkushtim si dhe duke plotësuar nevojat tuaja per çdo projekt të rëndesishëm, i cili paraprakisht do të konsultohet me ju.
Kudo ku kam punuar, kam menaxhuar buxhete me përgjegjshmëri, me transparencë dhe zero tolerancë për korrupsion. Kam negociuar kontrata për 30% më pak për të njëjtat shërbime duke kursyer paratë tuaja.
Gjithmonë gjatë karrierës time menaxheriale, kam bashkepunuar me donatorë të rëndësishëm në vendin tone, si: USAID, Bashkimin Europian, Banka Botërore, UNICEF, etj, duke bërë të mundur rritjen e buxhetit aty ku kam drejtuar, në të mirë të shërbimit karshi jush.
Besimi reciprok, i krijuar me këta donatorë të fuqishëm, edhe si Kryetar Bashkie, besoj do të më shërbeje si burim i rëndësishëm financimi për shumë projekte në të mirë të qytetarëve të Tiranës.
Çdo qindarkë e vetme që do të shpenzohet nga Bashkia do të publikohet online, që qytetarët të ndjekin, se ku shkojnë paratë e tyre.
Si kryetar bashkie, do të vazhdoj te punësoj staf profesional, të përgjegjshëm, gjithmonë në shërbim të qytetarëve, i cili vazhdimisht duhet të ndjekë ritmin tim të punës duke marrë përgjegjësi, si dhe duke i realizuar ato në kohë.
Angazhohem para jush për të realizuar vizionin tim për Tiranën duke i shërbyer gjithë banorëve të saj. Parimi i demokracisë, është që sistemi është i drejtë dhe dyert janë të hapura për këdo që punon shumë dhe zbaton ligjet dhe rregullat.
Jam krenar që çdo ditë të jetës sime, kam punuar dhe do të punoj për këto vlera. Edhe si Kryetar i Bashkisë, do ti zbatoj këto vlera për çdo qytetar të Tiranës: pavarësisht nese janë me PD-ne apo PS-në, apo pa parti, të pasur ose të varfër, në komuna apo bashki, burra apo gra, të rinj apo të moshuar, të gjithë do marrin shërbimet që meritojnë dhe do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.
Disa thonë që jam shumë i ndershëm për tu përfshirë në politikë, se jam shumë i qetë dhe se jam më shumë menaxher se debatues.
Ne i kemi provuar politikanët tipikë, flasin shumë, e punë pak. Ata ja vënë fajin të tjerëve duke mos zgjidhur problemet tuaja. Politikanët tipikë gjejnë mënyra për të qënë jo transparent me ju dhe për vite me rradhë janë marrë me njëri tjetrin. Unë do të merrem me Tiranën.
Do të punoj për të rritur pritshmëritë tuaja duke përmirësuar jetën tuaj të përditshme. Nuk ju premtoj që do zgjidhet çdo problem menjëherë, por ju premtoj që do të punojme së bashku çdo ditë, për të zgjidhur hallet dhe shqetësimet tuaja.
Ky vërtet nuk është një miting përmbyllës për fushatën, por sigurisht një festë që paralajmëron fillimin e punës për qytetin tonë. Këto takime gjithmonë më japin shumë energji për të realizuar vizionin tim për Tiranën tonë.
Sot shoh edhe shumë të rinj mes jush, si dhe qytetare dhe qytetarë të të gjitha moshave. Edhe gjatë ditës së sotme, takova shumë të rinj që do të votojne për herë të parë dhe votën e tyre ma garantonin mua për Pune dhe Dinjitet.
Kur fitojmë ne, fitojnë qytetarët, fiton e gjithë Tirana, kështu që bashkohuni me ne në këtë fitore të përbashkët.
• Bashkohuni me ne, për një qytet më të mirë.
• Bashkohuni me ne, për punë, jo fjalë.
• Bashkohuni me ne, për të treguar se Bashkia mund të punojë për të gjithë qytetarët, për Njësinë 2, Farkën dhe Saukun, për Dajtin dhe Ndroqin, për njësi 9 dhe Zallbastarin, me ne krye një manaxher të vendosur, per një qytet më të mirë.
Unë po e kërkoj votën tuaj, sepse së bashku do ta bëjmë punën. Së bashku me ju për familjet tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave, si dhe për të gjithë Tiranën.
Faleminderit shume dhe mire u takofshim në festën e fitores!