Kosova: Ligji dhe humanizmi, puna dhe dinjiteti, shpresa për Tiranën

516
Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova pritet me antuziasëm në zonën e Don Boskos. Kosova angazhohet për të krijuar lehtësi, për të marrë përgjegjësi, për të krijuar vende pune e për të kthyer besimin tek e ardhmja
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të Selitës dhe të Don Boskos, me të cilët bisedoi për shqetësimet e tyre dhe për mundësitë që ai do të ofrojë për punësim dhe iniciativa që do të sjellin zhvillim.
“Ajo që unë shoh dhe konstatoj çdo ditë është që kjo qeveri jo vetëm që ka rritur shumë taksa dhe kosto në kurriz të qytetarit, duke i pakësuar të ardhurat që i ngelin në xhep, ka rënduar biznesin duke i pakësuar mundësinë e punësimit, por ajo që mua më tërheq vëmendjen është se nuk ka sensin e humanizmit karshi banorëve të saj. Unë jam për atë që edhe ligji të veprojë por dhe ana humane dhe njerëzore të jetë në pah në mënyrë që duke u kombinuar këto të dyja edhe zgjidhja për banorët e Tiranës edhe zgjidhja për organizimin e biznesit të jetë shumë shumë herë më e pranueshme”, tha Kosova.
“Ne flasim që të vëmë të rinjtë përpara. Por unë them një gjë, më mirë me njeriun që të kupton si doktori, se më të mirë ne s’kemi për të gjetur më këtu”, shprehet një qytetar në zonën e Selitës.
Halim Kosova po pritet me entuziasëm të jashtzakonshëm në Tiranë. Takimi me banorët e zonës së Don Boskos ishte një shprehje e mbështetjes që kandidatura e tij gjen tek qytetarët.
“Mbas pranimit nga ana ime për ta vënë emrin dhe gjithë përvojën time, ndershmërinë time, deri tek thinja e fundit e bardhë në kokën time në dispozicionin tuaj, unë juve ju kërkoj edhe njëherë votën më datën 21 qershor, ilaçin më të mirë për të gjithë. Të tregojmë sëbashku se ky vend nuk është vend i mallkuar, por i ka mundësitë të gjitha të bëhet me një ilaç të vetëm, njeriu i duhur në vendin e duhur dhe me provat e duhura”, tha Kosova.
“Njerëzit tanë ikin me valixhe dhe kanë marrë dhenë. Pra, Tirana dhe çdo njeri që voton në këtë rast, ka sfidën e vet me vetëdije me drejtuar sytë nga elita e vet, nga krijesa e vet më e mirë e këtij kombi, e këtij vendi. Ju uroj suksese dhe ju pafsha kryetar Bashkie”, thotë një qytetar.
“Unë do bëj që pas zgjedhjeve të 21 qershorit, i përkrahur nga Partia Demokratike dhe nga ekspertët më të mirë që kam përreth, që t’i zbrazin valixhet njerëzit, ti varin rrobat aty ku ishin dhe t’i përvishemi punës si e vetmja mënyrë për të ecur përpara”, përgjigjet Kosova.
I pyetur për kundërshtarët, Kosova thotë se: “Ka dalë filani tha dhe të kërkon debat të hapur. Solla në mendje gjithë kandidatët, njëri ka kënduar nëpër dasma, se kam informacion dhe mirë debat, po mos më kërko të këndoj tek tjetri. Debatet i kanë ardhur në majë të hundës njerëzve, dhe të gjithë e kemi të qartë se ky vend nuk ka nevojë për debat për debate, ky vend ka nevojë për punë, punë e dinjitet”.
“Sa garanci dhe sa siguri do të japë Partia Demokratike për ruajtjen e votës? Nga përvoja e këtyre viteve ne e dimë shumë mirë se si është vepruar. Aq më tepër në kushtet e një qeverisje që po e shikojmë në këto dy vite”, pyet një qytetar.
“Lekët nën dorë janë ato që ju janë vjedhur juve , ta keni mirë parasysh këtë edhe unë jam i sigurtë që e keni të qartë. Nëqoftëse nuk ju vjedhin s’kanë çfarë ju japin. Po ju vjedhin një thes dhe ju japin një thërrime. Mbajeni këtë parasysh dhe le të mobilizohemi të gjithë, të mendojmë për katër vjet dhe jo një ditë. Çfarëdo lloj hallesh që t’ju kenë mbytur, zgjidhja është punë dhe dinjitet dhe e sigurtë që do shkojmë aty ku duam”, thotë Kosova.
“Do bëhesh kryetar bashkie se s’bën se ai nuk ka për të fituar se nuk e do as PS-ja se PD-ja jo e jo. Kur të bëhesh kryetar Bashkie , të na mbledhësh prapë dhe të vish të na thuash çfarë halli ke jo kështu se u bëmë që në 90 mblidheni, dhe sa fitoni hopa-hopa me sandale”, shpreh shqetësimin një qytetar.
“Ma ke shpëtuar shpirtin dy herë. Ne do fitojmë, të gjithë do fitojmë sepse je njeri shumë i mirë se shpirtin na ke shpëtuar se kisha kaluar tri katër herë…. Sot jam 77 vjeçe kur ta mbarosh ti aty punën, ishallah vdes unë”, tregon mbështetjen një e moshuar.
“Unë do marr detyrën jo me vdek njerëzit por me i shpëtu jetën”, tha Halim Kosova.
Sigal