Kosova: Dhe Rama e di që puna për Tiranën do shkojë më mirë me mua

21
TIRANË – Betimin e Hipokratit që ka bërë si mjek vite më parë, duket se tashmë kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova po e përdor si argument të fortë për të fituar zemrat e qytetarëve me premtimin se do të shërbejë aty ku kanë nevojë. Në takimet elektorale te radhës, këtë herë me banorët e Shkozës, ai i ka qëndruar parimit se duhet hequr dorë nga lista e pafundme e prioriteteve dhe të premtohen gjëra konkrete dhe të realizueshme që në këtë mënyrë edhe morali politik të rritet. 
“Reduktimin e taksave që ka në dorë Këshilli Bashkiak dhe ka mundësi që edhe 30% t’i ulë taksat që janë, në mënyrë që biznesit t’i ngelen më shumë lekë dhe po të ngelen më shumë lekë në xhep, ke mundësi për të investuar më shumë ose për të punësuar njerëz”, tha Kosova.
Shqetësimit të një qytetari i cili i ka kujtuar Kosovës se “Edi Rama nuk do japë lekë, do ju bllokojë prapë siç bllokoi Bashkinë dhe nuk do keni mundësi të kryeni investime në sektorët publikë”, kandidati i djathtë i është përgjigjur me fjalët “Nuk kam kohë për debate dhe replika sepse në vend të këtyre unë mendoj për zgjidhje”.
Po për këtë problem doktor Kosova ka dhe një hamendësim tjetër: “Rama e ka shprehur publikisht respektin më të madh për punën time. Unë nuk jam konkurrent i Ramës . E thashë edhe njëherë e po e them prapë, konkurrent është Basha , ata të dy luftojnë për qeverinë. Kështu që, ky problem është mëse i ezauruar dhe ai vetë e di që për Tiranën më mirë do shkojë puna me mua se me ndonjë tjetër duke ditur aftësitë e mia, këtë ta keni të sigurt”. 
Halim Kosova i është përgjigjur dhe interesit dhe shqetësimit të një studenti për transportin urban dhe kartën e studentit duke premtuar se do të angazhohet për një zgjidhje konkrete në të ardhmen.
Ai ka kërkuar besimin e qytetarëve për të votuar projektin qe ai përfaqëson pasi sipas Kosovës ai ka lënë punët e tij dhe i është përkushtuar punës me qytetarët. E përderisa deri më tani duket se ka lënë emër të mirë, këtë emër kërkon ta vazhdojë edhe duke shërbyer si Kryetar Bashkie i Tiranës. 
“Që ky emër të japë vërtetë rezultatet që duhen i takon qytetarëve të bëjnë të tyren sipas besimit që puna ime krijon. Unë jam i sigurt që me çfarë takoj nga mëngjesi e deri në darkë, kam një mbështetje dhe inkurajim që kurrë nuk ma kishte marrë mendja dhe ju falenderoj shumë për këtë”, tha Halim Kosova.