Sigal

Qëndrimi amerikan ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar, thotë diplomati Philip Kosnett, i emëruari i Presidentit Trump për postin e ambasadorit amerikan në Kosovë. Dje në një seancë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, zoti Kosnett paraqiti përparësitë qeverisë amerikane në Kosovë, nëse konfirmohet si ambasadori i ardhshëm. Ndër përparësitë kryesore ai përmendi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe kur flasim për ide krijuese, kjo nuk është kod për shkëmbim territoresh, u shpreh ambsadori amerikan në përgjigje të kërkesës së Senatorit Chris Murphy për të sqaruar qëndrimin e Uashingtonit. “Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç është takuar me Jared Kushnerin në fund të korrikut. Pas këtij takimi ai (Daçiç) ka thënë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara tani është më i afërt me qëndrimet tona (të Serbisë). Kjo shkaktoi spekulime të shumta në rajon mbi në se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar. Shqetësimi është se Shtetet e Bashkuar tani janë më të hapura ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve, që në të kaluarën është kundërshtuar. Çfarë instruksione keni marrë në lidhje me këtë çështje?” “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve. Mendojmë se është e rëndësishme që të dyja qeveritë dhe palë të tjera në këto vende të ecin përpara me mendime krijuese rreth mënyrave për të kapërcyer tensionet e vjetra mes Kosovës dhe Serbisë. Ne mendojmë se është kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja, por kjo nuk është fjalë-kod për shkëmbim territoresh ose për një rrugëdalje specifike. Ne duam të shohim çfarë ide do të hedhin palët në kontekstin e dialogut. Qëllimi ynë i përgjithshëm strategjik është të shohim stabilitet në rajon, një zgjidhje të tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të vjetra mes Kosovës dhe Serbisë në një mënyrë që do t’ia lehtësonte të dyja vendeve rrugën drejt lidhjeve më të forta me Perëndimin”, tha Philip Kosnett, i emëruari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. I pyetur në se ai ka informacione për takimin e Ministrit të Jashtëm serb Daçiç me këshilltarin e Presidentit Trump, Jared Kushner, zoti Kosnett tha se nuk kishte dijeni për zhvillimin e këtij takimi. Përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zoti Kosnett radhiti edhe pesë përparësi të tjera të ambasadës amerikane në Prishtinë, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

“Korrupsioni në Kosovë mbetet endemik. Forcimi i sundimit të ligjit është thelbësor për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e besimit të publikut ndaj institucioneve të Kosovës. Nëse konfirmohem, unë do t’i bëjë presion qeverisë që të luftojë ndikimin politik në sektorin e drejtësisë. Drejtësia për viktimat e të gjitha etnive është parakusht për pajtimin. Nëse do të konfirmohem, unë do t’i bëjë thirrje qeverisë që të mbështesë punën e Gjykatës së Posaçme në Hagë për të trajtuar me përgjegjësi të kaluarën e Kosovës”. Mbështetja për të drejtat e njeriut dhe integrimin e pakicave, sipas zotit Kosnett janë përparësi të rëndësishme për Kosovën dhe një rritje e bashkëpunimit ndër-entik është shumë i rëndësishëm për vendin. Zoti Kosnet theksoi se Kosova ka shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. “Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara Kosova është bërë udhëheqëse rajonale në luftën kundër terrorizmit. Që nga viti 2015, Kosova ka arrestuar më shumë se 200 individë të dyshuar për mbështetje të terrorizmit dhe 20 organizata jo-qeveritare me lidhje me estremistët janë mbyllur. Unë do të vazhdojë bashkëpunimin tonë të gjerë me Kosovën në konfrontimin e kësaj sfide”. Në dëshminë e tij në Senat, zoti Kosnett u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë në një ushtri të Kosovës që operon së bashku me NATO-n me një mandat të kufizuar mbrojtës. Ai tha se kjo duhet të bëhet në koordinim me serbët e Kosovës. Zhvillimi i sektori të energjisë, sipas tij, është gjithashtu një përparësi e rëndësishme për Kosovën dhe vendi duhet të punoj më shumë në zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për sigurinë energjetike, që përfshinë diversifikimin e burimeve tradicionale me ato të ripërtëritshme. Kandidatura e zotit Kosnett duhet të miratohet nga senati para se ai të marrë detyrën e ambasadorit amerikan në Kosovë. Në seancën djeshme të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dëshmuan edhe të emëruarit e Presidentit Trump për poste të ambasadorëve në Slloveni, Moldavi dhe Mal të Zi.