Korrupsioni, Donald Lu: Shqiptarët e guximshëm tani janë duke thënë mjaft më

445
Në një takim në Elbasan, organizuar nga gjimnazistët për korrupsionin, ambasadori amerikan Donald Lu kërkoi angazhimin masiv për zhdukjen e fenomenit.
Sipas Lu, shqiptarët e guximshëm tashmë po i thonë “mjaft më” kulturës së korrupsionit. Sfida që nxënësit e tre gjimnazeve në Elbasan i kanë bërë korrupsionit, tërhoqi vëmendjen e ambasadorit amerikan Donald Lu. Sipas tij shoqëria civile është mjeti më i fuqishëm për ta luftuar korrupsionin. 
“Korrupsioni na mundon të gjithëve dhe ai duhet të marrë fund. Një nga mjetet më të fuqishme për të luftuar korrupsionin është një shoqëri civile aktive, nxënësit, OJQ-të, mediat dhe qytetarët e zakonshëm duhet të kërkojnë ti jepet fund korrupsionit. Shqiptarët e guximshëm tani janë duke thënë mjaft më, kjo kulturë e korrupsionit duhet të marrë fund sot, dhe kjo fillon qe nga unë. Për këtë arsye jemi në partneritet me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe zyrën e korrdinatorit kundër korrupisonit për të shtrirë më tepër projektin qytetar. Ky është një program i konceptuar për edukimin e brezave të rinj me mënyrën se si funksionon demokracia”, u shpreh Donald Lu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla u zotua për të refuzuar korrupsionin. 
Nikolla u tha nxënësve se “ju e keni filluar luftën dhe betejën ndaj korrupsionit, ndaj dhe kam ardhur në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” për të parë nga afër rezultatet dhe te nisim më pas në tërë qytetin e Elbasanit një anketim per rastet që nuk ishin të pakta, që mësues në kundërshtim me kodin e etikës zhvillonin mësimin edhe në klasat ku ishin nxënësit e tyre”. “Jam e vetëdijshme që lufta dhe beteja sapo ka nisur, por jam e angazhuar për ta fituar këtë betejë, ndaj t’i japim fuqi ndryshimit për t’i thënë stop korrupsionit”, tha Nikolla.
Blendi Cuci, ministri i Cështjeve Vendore dhe koordinator për luften ndaj korrupsionit, në fjalën e tij ka pohuar se “korrupsioni nuk luftohet vetëm nga qeveria, por nga e gjithë Shqipëria. Strategjia jonë për luftën ndaj korrupsionit është edukimi. Jam entuziast që brezi i ri po e konsideron korrupsionin çështjen themelore për t’u luftuar”, tha Cuci
Sigal