Korçarët: Vota jonë do të jetë edhe kundër Niko Peleshit : ”Qesh mirë, kush qesh i fundit”

459
Si në shumë takime të tjera të mëparshme edhe në ardhjen e tij në qytetin e Korçës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u përpoq të shfaqej pompoz, të krijonte idenë e një triumfatori, të përcillte sigurinë e një Pompeu e t’u thoshte të gjithëve se fitorja ishte me të; ajo e ndiqte nga pas kudo që ai shkonte, dhe nuk do të harronte t’i buzëqeshte më 21 qershor, por duke mos u besuar as vetë atyre që thoshte, ra në sy falsiteti i tij i gjithë shfaqur, gjë që nuk e fshehu dot për asnjë çast. Jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij, krejt padashur, ai nxori në pah tronditjen dëshpëruese që e kishte pushtuar, frikën e tij të madhe, parandjenjën e frikshme të tij për humbjen historike që ka për t’i ndodhur në bashkinë e Korçës. Dhe, mesa u kuptua, ai e dinte mirë këtë gjë. Për këtë arsye, gjatë gjithë kohës që ai u përpoq të përcillte optimizëm, pati vështirësi të dukshme artikulimi, sforcarje të panatyrshme, ligjërim gjithë grençka e gropa, të mbushur me keqkuptime dhe ngatërresa, ku për më keq akoma, me dashje ose jo, përcolli mes njerëzve edhe përçmim, duke lënë kështu gjithë kënd të habitur. Kjo ishte një nga gafat më të mëdha gjatë fjalimit të tij, që nuk do t’i harrohet nga shumë njerëz. Duke dashur ta prezantojë veten si një njeri me vizion të qartë, me kulturë të pakufishme dhe me humor të hollë gjithë kuptim dhe përmbajtje, gjithçka që artikuloi shkoi në dëm të tij, në dëm të Partisë Socialiste dhe në dëm të kandidatit të tij për kryetar bashkie në Korçë, Sotiraq Filon.
Kanë sjellë një prej Devolli!?…Nga sa u kuptua, (sepse ai vetë ishte i paqartë në të gjitha ato që tha), tentoi të mbante një fjalim që të ishte asgjësues dhe demoralizues për kandidatin e Partisë Demokratike, rektorin e Unversitetit “Fan S. Noli”, profesorin Gjergji Mero, por përveçse nuk e pati aspak të lehtë dhe nuk mundi t’ia dilte dot mbanë, ra papritur dhe pa kujtuar në lakun e fjalëve të gatuara prej atij vetë. Artikulimi i tij u përcoll gjysmak dhe i përçudnuar, pa lidhje dhe pa kuptim për shkak të inferioritet që ndihej në çdo çast dhe ai nuk e fshihte dot. Kryetari i Partisë Socialiste tha: “Kanë sjellë një prej Devolli!”… E kishte fjalën për rektorin e Universitetit, Gjergji Meron, një nga intelektualët më të mirënjohur të Korçës, por shprehja e tij, ishte tejet ofenduese dhe përbuzëse ndaj një krahine të tërë. “Një nga Devolli”?!… Vallë, çfarë kërkonte të thoshte Rama me këtë togfjalësh? Pse nuk duhej që kandidati të ishte nga Devolli?… Nga e donte z. Rama të ishte kandidati? Mos vallë disa krahina qenkan të fisme dhe disa të tjera jo? Veç këtyre, intonacioni dhe mënyra e të shprehurit e shndërroi këtë frazë në një artikulim bajat. Shumë njerëz ulën kokën për të mos e parë në sy këtë “orator të madh”, krijuesin e shprehjeve të pamendura dhe të lëshura si “lopa b..jgën”. Megjithatë, nëse Partia Socialiste është një parti e madhe, jo domosdoshmërish edhe lideri i saj mund të jetë i madh. Zgjedhjet e 21 qershorit do ta tregojnë këtë gjë, do ta tregojë vetë Korça, e cila mbeti e shokuar nga fjalët e Ramës. Madje nuk është çudi që artikulimet e tij të ndikojnë edhe në zona të tjera. 
Kanë sjellë një agronom!…
Kryetari i Partisë Socialiste nuk u mjaftua vetëm më shprehjen: “Një nga Devolli!”… por e thelloi edhe më tej përçmimin e tij, duke thënë: “Një agronom!”… Kjo ishte një gafë tjetër e tij që ra si rrufë në qiell të hapur mes njerëzve pjesëmarrës në takim. Ai nuk po cenonte kështu vetëm kandidatin Gjergji Mero, i cili ka studiuar për agronomi, por gjithë agronomët kudo që ndodhen në gjithë vendin. “Një agronom!”…. Kjo shprehje mbeti pezull mbi gjithë të pranishmit, paditur si mund t’i shpjegonin ato që po u dëgjonin veshët. Por kur nuk bëka dot asgjë një agronom, (kur me ndarjen e re territoriale, qytetit i bashkohet edhe fshati), atëherë çfarë profesioni duhet të kesh? “Mos vallë duhet të jesh piktor që t’i bësh të gjitha!” Të paktën kështu u shprehën jo pak njerëz që ishin në atë takim. Mos vallë në këto kohë krizash u dashkan vetëm piktorë si Rama, që të pikturojnë bujqësinë e Rilindjes, që po jep shpirt nga dita në ditë. “Një agronom!… ishte përçmimi i Ramës. Falë kësaj shprehjeje, është e vështirë te besosh se mbeti intelektual pa u fyer. Fill pas përfundimit të takimit, gjithçka që ndodhi aty, u përcoll edhe në rrjetet sociale. Askush prej komentuesve nuk kishte dashur të dëgjonte shprehje të tilla, të cilat nuk patën asgjë të mirë, madje pati edhe nga ata që thanë: “Erdhe kot në Korçë, o zoti Rama! Vota jonë do të jetë kundër teje”.
Çfarë do të bëjë një agronom!…
Ashtu si në të gjitha takimet, ku Edi Rama përsërit pareshtur fjalë të tilla kundër kandidatëve të opozitës, si: “ai është kot!” “nuk i duhet askujt!” e të tjetra si këto, edhe në Korçë ndodhi e njëjta gjë. Ashtu si një nxënës i keq që di vetëm disa fjalë përmendësh, u shpreh: “Çfarë do të bëjë një agronom!”, duke u përpjekur kështu t’u mbushte mendjen të gjithëve se në këtë vend vetëm ai vlen dhe askush tjetër. Vetëm ai është i nevojshëm! Vetëm ai është drita e shkëlqimi!, kurse gjithë të tjerët janë kot! Përpjekjet e tij për të përjashtuar çdokënd, që nuk është pjesë e tij, (e Rilindjes), jo vetëm është fyese por në të njëjtën kohë edhe acaruese. Veç sa më sipër, kohët e fundit ai është përfshirë nga dëshira e papërmbajtshme për të bërë humor me gartë, duke e pandehur veten si njeri me humor e të talentuar, por që në të vërtetë, shumëkush qesh me paaftësinë e Ramas e të qenit antipatik në të tilla raste. Fjalimet e tij nuk po sjellin më asgjë të re, vetëm përsëritje të pafundme shakash të rëndomta e pakripë. Sigurisht, ndodh kështu sepse ai vetë beson se zoti i ka dhënë dhuntinë që t’i bëjë njerzit për të qeshur. Dhe kjo ka mundësi të jetë e vërtetë, ai po i bën njerzit për të qeshur. Porosia e Ramës: 
Gratë ta kenë mirë me Sotiraq Filon
Si një lider i madh dhe përparimtar me idetë e tij të Rilindjes, Kryetari i Partisë Socialiste nuk u largua nga Korça pa u dhënë edhe një porosi të çmuar grave të Korçës. “Kijeni mirë me Sotiraq Filon!”, ishte porosia e tij. Ndoshta me këtë donte të thoshte se gratë duhet ta kenë mirë me të gjithë ata që vijnë në pushtet, pasi në të kundërt nuk mund të fitojnë asgjë. Ndoshta, nuk ka rëndësi puna dhe aftësia e grave, sepse rëndësi ka të pasurit apo të mos pasurit “mirë” me kryetarin e bashkisë dhe me gjithë kryetarët e tjerë që dalin nga gjiri i Partisë Socialiste. Madje pati nga ata që u shprehën jo pa ironi: “Kur Rama qenka kaq shumë në merak për gratë e Korçës, pse në vend të Sotiraqit nuk vuri një grua dhe sot të porosiste burrat që ta kishin mirë me kandidaten femër. Të gjitha këto artikulime kanë peshën e tyre, por përçmimi i shprehur përmes frazës “Kanë sjellë një nga agronom!”, nuk do të harrohet lehtë, madje sipas të gjitha gjasave, kjo shprehje ka për t’i kushtuar shumë; humbja në qytetin e Korçës do të jetë e sigurte. Një nga shprehjet më të përdorura të korçarëve është: “Qesh mirë, ai që qesh i fundit!”
Sigal