Korça ndihet e lënduar, kësaj radhe shpirti i saj s’ka për t’u shitur

494
Mitingu i së shtunës, organizuar nga Partia Demokratike në qytetin e Korçës do të mbetet në kujtesën e banorëve të saj si një nga mitingjet më të veçanta të këtij qyteti. Pse do të mbetet i tillë do ta themi pak më poshtë. Kishte vite që Korçës i mungonte një miting i tillë. Ajo dukej sikur kishte kohë që kishte vdekur, sikur kishte filluar të parapëlqente qëndrimin brenda mureve të shtëpisë. Nuk kishte asnjë lloj dëshire për të dalë në shesh e të thërriste: rroftë ky, apo rroftë ai. Zhgënjimi për të kishte qenë i madh. Në këtë qytet nuk kishte mbetur më njeri, që të mos e dinte që votat shiteshin dhe bliheshin. Fenomeni i blerjes së votës ishte shndërruar në një lëngatë për gjithsecilin.Vetëm shitësit e votës ndiheshin të fituar, së paku kishin siguruar lekët për blerjen e druve të zjarrit, sepse dimri në Korçë, siç dihet, është i padurueshëm. E çfarë mund të fitonin tjetër më shumë se kaq?! Pavarësisht se kush fitonte, gjithkush e dinte kë do të vinin në punë dhe kë do të hiqnin, kush do të merrte shtëpi nga strehimi e kush jo. Ai që gjendej në mjerim, në mjerim do të mbetej. Asgjë nuk kishte për të ndryshuar. Buka e fëmijve duhej siguruar edhe duke mbledhur kapaçka në kazanët e plehrave, por mitingu i së shtunës do të mbetet si mitingu më i sinqertë i qytetit të Korçës dhe kjo është një e vërtetë e madhe e pamohueshme gjithashtu.
Mitingu
Edhe pse u tha që do të bëheshin përgtitje të shumta për organizimin e një mitingu të madh, asgjë e tillë nuk u bë, por kjo është një çështje tjetër, pse kësaj radhe mungoi organizimi. Ata që erdhën në miting nuk i ftoi askush. E kishin marrë vesh njëri pas tjetrit dhe kishin vendosur që pas kaq vitesh të ishin të sinqertë, qoftë edhe një herë të vetme në pjesëmarrjen e tyre. Erdhën të gjithë ata që ishin të lënduar. E gjithkush e pa se ata ishin shumë. Të varfër kishin qenë edhe më parë, të varfër janë edhe sot e kësaj dite. Sigurimi i bukës së përditshme ende është një mundim i madh për ta, por kësaj radhe ata erdhën, sepse ndiheshin të fyer në dinjitet. Ishin detyruar të paguanin faturat e pashlyera të dritave, o sot o kurrë, pa u pyetur nëse ishin të punësuar, nëse kishin bukë, ose jo. Sigurisht, edhe këtë gjë do ta kishin gëlltitur si gjithnjë, po të mos ishte marrë vesh e vërteta e hidhur që biznesmenëve borxhlinj të Korçës nuk u ndërpritej energjia, ndërsa mjeranëve po. Vetëm kaq duhej për të kuptuar sa të nëpërkëmbur, të shpërfillur dhe të pavlerë ishin në sytë e njerëzve, që sapo kishin marrë pushtetin. U hapën burgjet kat më kat vetëm që të fusnin brenda fukarenjtë, sepse paskëshin bërë lidhje të paligjshme, kurse ata që kishin harxhuar miliona e miliona lekë energji elektrike dhe nuk e kishin paguar, mbetën të paprekshëm nga ligji. Punonjësit e OSHEE-së trokisnin portë më portë në qytetin e Korçës, të shoqëruar edhe nga një person me uniformë (polic) dhe kjo ishte një fyerje tjetër për njerëzit e thjeshtë. Me ta po silleshin sikur të kishin qenë banditë. A mund të fyhet vallë njeriu në këtë mënyrë?
Erdhën të gjithë
Ndaj në mitingun e së shtunës erdhën të gjithë ata që ndiheshin të lënduar. Erdhën të afërmit e gruas që u vetëvra pse e larguan padrejtësisht nga puna. Erdhën miqtë, të njohurit dhe kolegët e saj. Erdhën sepse ndiheshin të fyer. Edhën për të treguar se edhe varfëria mund të durohet, por kurrsesi jo fyerja dhe nëpërkëmbja. Erdhën dhe banorët e rrugës “Don Gjon Buzuku”, shtëpitë e të cilëve një mëngjes u shembën nga ruspat, edhe pse një pjesë e tyre, (sipas një projekti tjetër) mund të mos shembeshin. Edhën edhe të afërmit e biznesmentit shqiptaro-amerikan Petrit Xhelollari, për të cilin, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo ngriti të padi të rreme, vetëm e vetëm që ta arrestonte, sepse pas marrjes së pushtetit, ndoshta mendonte se mund të bënte gjithçka që donte. Sigurisht, erdhën dhe ata që kanë përfundur studimet shkëlqyer, por që për ta nuk ka më asnjë vend pune, sepse drejtuesit e Partisë Socialiste në Korçë i kanë zaptuar si familje, (burrë e grua) në punë, shpesh edhe fëmijët të punësuar. Gjithë fisi i tyre shihet si i priviligjuar. Sigurisht që edhe këta të rinj ndiheshin të fyer. Nuk munguan as banorët e Kasabasë, për të treguar se kulla e Filo-Peleshit nuk është gjë tjetër veçse një fyerje për ta, sepse kulla shikon vetëm andej nga e ka shtëpinë Peleshi dhe Filoja dhe jo nga Korça e vjetër, andej nga duhej të vështronte realisht. Pedonalja e Korçës u mbush nga njerëzit e lënduar. Dhe të gjithë e panë se ata ishin shumë. 
Kryetari i Partisë Demokratike
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sikur të kishte kuptuar shpirtin e lënduar të njerëzve që ishin mbledhur aty, tha: “Kjo është gjendja, prandaj jemi mbledhur sot këtu. Ata sot kanë pushtetin dhe paratë, por harrojnë se nuk kanë bërë asgjë e nuk mund të bëjnë asgjë sepse nuk kanë me vete korçarët e shqiptarët. Janë të mjerë se nuk e kuptojnë se ky shesh këtu është pasuria më e madhe, që kërkon ligj dhe siguri” “Sot nuk jemi të barabartë përpara ligjit, vijoi Basha, të pamundurit dhunohen e miqtë e Ramës favorizohen. Krimi është më keq se kudo”. “ Nuk ka punë në Korçë, tha Basha, nuk ka mirëqenie në Korçë dhe besimi ka humbur në fytyrat e të rinjve të Korçës, burrave dhe grave të Korçës. Nuk shohim më melankolinë e serenatave të dikurshme, por skamjen. Varfëria është sëmundja më e keqe dhe ka hedhur rrënjë këtu në Korçë. Dhimbja është një burim i mirë diturie, mësimi për të gjetur, për të vënë gishtin pse erdhëm këtu? Vuajtja e korçarëve na bën syçelët për të parë brumin e papunësisë, autorët e të cilëve janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë autorët dhe askush tjetër, sepse kanë 2 vjet që sundojnë qytetarët, ndërsa vetë janë kredhur në kënaqësitë perverse”. “Mendojnë se mund të blejnë gjithçka me paratë e krimit dhe të korrupsionit, theksoi Basha. E kanë mirë apo e kanë keq? Gabim e kanë, apo jo?! Nuk e blejnë dot shpirtin e korçarëve, nuk e blejnë dot të kaluarën e trafikantëve, që kanë në krahë, nuk i blejnë dot gjynahet që kanë bërë me këtë popull. Nuk kemi ndërmend t’i lejojmë, Korça do t’i thotë jo! Shqipëria do t’i thotë jo”. 
Rektori i Universitetit, profesor, Gjergji Mero
Po, mitingu i së shtunës ishte lumi i shpirtrave të fyer dhe të indinjuar. Kjo u kuptua nga të gjithë. E kuptuan edhe militantët e Partisë Socialiste, edhe Filoja, edhe Peleshi, ndaj fill pas përfundimmit të mitingut, njerëz pranë Filo-Peleshit mësynë nëpër rrjetet sociale me shpifje dhe fyerje, duke drejtuar gjithë arsenalin e përbaltjes ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, rektorit të universitetit “Fan s. Noli”, profesor Gjergji Meros. Megjithatë të gjitha këto duket se po bëjnë efeket të kundërt te njerëzit e lënduar, pasi te kandidatura e Meros shpresohet shumë. Gjatë prezantimit të kësaj kandidature, Basha tha: “Korça ka dy mundësi: të votojë çirakun, që vazhdon të ndajë paratë e t’ia çojë shefit, që t’ia çojë shefit të madh, apo t’i thonë me votë, ndal! Nuk pranojmë më! Jo më kështu, ndal! Kjo ofertë bashkë me votën tuaj kundër rrënimit të jetës suaj të përditshme, do ta ndalë të keqen, do ta vendosë Korçën e Shqipërinë në punë, do të ndalë eksodin dramatik, do të kthejë besimin e të rinjve, do ta bëjë për Brunilda Mekën, që la dy jetimë prej pashpirtësisë së xhelatëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt këtu në Korçë! Do ta bëjë për çdo korçare e çdo korçar dhe për të ardhmen tuaj”.
Sigal