“Kontroll zvarritjeve”, Naço: Të reduktohen tejzgjatjet e gjyqeve

125

TIRANE – “Për një drejtësi pa vonesa”. Ky projekt i ideuar nga OSBE dhe USAID, i cili po zbatohet në gjykatën e Krujës dhe që shumë shpejt mund të shtrihet edhe në gjykata të tjera, pritet t’i japë fund zvarritjes së proceseve gjyqësore në Shqipëri. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço , ndërsa deklaroi si fakt të pamohueshëm “vuajten” e sistemit të drejtësisë nga zvarritja e proceseve, paralajmëroi se çdo tejzgjatje do të jetë objekt verifikimi dhe kontrolli. Naço solli në vëmendje rekomandimet e Komisionit Europian ku theksohet se procedimet civile duhet të përfundojnë në jo më shumë se dy seanca. Në kushtet kur ka cështje që zgjasin mbi 3 vjet, ministri Naço tha se nuk do të pajtohet me këto tregues. Ai i bëri thirrje gjyqtarëve që në ndryshim nga praktikat e vërejtura deri tani, të marrin tjetër rol duke marrë masa kundër zvarritjes së proceseve gjyqësore. Projekti është ideuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe projekti JuST i USAID-it dhe ka për qëllim uljen e numrit të seancave gjyqësore në çështjet civile dhe penale dhe bërjen e tyre më produktive.

TIRANE– Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka reaguar lidhur me rastet e denoncuara për Gjykatën e Kavajës. Duke inkurajuar ministri Tahiri, kreu i drejtësisë tha se lidhur me rastet e denoncuara ka nisur një inspektim, duke shtuar se pritet raporti përfundimtar për vendimet e gjykatësit Osman Aliu. Ndërsa duke u ndalur në rastin e Gjin Nikës, ministri Naço tha se edhe për këtë rast është nisur një inspektim. “Inkurajoj ministrin Tahiri për rastet e evidentuar dhe për këtë kemi nisur inspektim. Presim raportin përfundimtar për vendimet e gjykatës, por theksoj se jemi të vendosur për të luftuar padrejtësinë. Edhe për rastin e Gjin Nikës ka nisur një inspektim. Më është konfirmuar nga KLD që ka nisur inspektimi. Dua të them se vonesat në seancat gjyqësore janë të patolerueshme. KLD të reagojë, gjyqësori duhet t’i përgjigjet qytetarëve. Pas raportit, do të shikohet ku ka shkelje dhe do procedohet”, tha ministri Naço.

 FJALA E AMBASADORIT RAUNIG NË TAKIMIN E NIVELIT TË LARTË PËR PROJEKTIN E GJYKATËS SË KRUJËS

 Jam i gëzuar që jam me ju sot për të diskutuar mbi një projekt që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka shumë për zemër: projekti me emër “Për një drejtësi pa vonesa”. Ky projekt ka sjellë së bashku partnerë vendas dhe ndërkombëtarë me një qëllim të përbashkët: procedime gjyqësore më efiçente për qytetarët shqiptarë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka pasur privilegjin e madh ta ndihmojë gjyqësorin shqiptar për shumë vite tashmë. Dëshiroj të falënderoj veçanërisht Këshillin e Lartë të Drejtësisë për bashkëpunimin e mirë e të vazhdueshëm në këtë drejtim. Baza e ndihmës sonë është disi unike, pasi ne filluam me një analizë të procedimeve gjyqësore përmes monitorimit të drejtpërdrejtë të gjyqeve. Kjo i ka dhënë mundësi Prezencës që të kuptojë se si operojnë aktualisht gjykatat dhe të identifikojë problemet bazuar në analizën e të dhënave të mbledhura gjatë seancave gjyqësore. Sigurisht që puna jonë nuk mbaron me identifikimin e problemeve. Në bazë të analizës së konstatimeve tona, ne hartuam disa ndërhyrje me synime të qarta në dy fusha: reforma ligjore dhe ndryshimet në praktikë. Sa i përket reformës ligjore, më lejoni të shpreh vlerësimin tim për partnerin tonë kryesor në këtë fushë, Ministrinë e Drejtësisë. Është inkurajuese të shohësh se Ministria i ka  vënë tashmë në jetë disa nga rekomandimet tona më të fundit legjislative për ndryshimin e Kodit të Procedurës Civile. Presim me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin për përmirësime të tjera ligjore me qëllim rritjen e efiçencës së procedimeve gjyqësore. Megjithatë, disa nga çështjet që ne identifikuam gjatë monitorimit të seancave gjyqësore mund të adresohen pa qenë nevoja që të ndryshohet ligji. Në këtë rast, fokusi duhet të jetë tek mënyra se si i trajtojnë çështjet në praktikë gjyqtarët apo stafi i gjykatës. Për shembull, pas monitorimit të çështjeve civile, konstatuam se mbi 47% e seancave gjyqësore ishin tërësisht joproduktive. Me fjalë të tjera, në to nuk ndodhi asgjë thelbësore – as nuk u ngrit ndonjë argument, as nuk u qarkullua ndonjë dokument, as u morën prova dhe as u bë ndonjë kërkesë. Kjo përbën një humbje të konsiderueshme kohe si për gjyqtarët, ashtu edhe për palët. Në vend që të ndryshohet ligji, zgjidhja mund të gjendet tek ndryshimi i praktikës së gjykatës. Ky është pak a shumë konteksti i projektit pilot të zhvilluar nga Prezenca e OSBE-së dhe Projekti JuST i USAID-it. Dëshiroj të theksoj bashkëpunimin midis dy organizatave dhe t’i mëshoj këtij projekti si një shembull i mirë i të punuarit së bashku të aktorëve ndërkombëtarë, duke kombinuar ekspertizën e tyre të specializuar për të ndihmuar më mirë institucionet vendase. Qëllimi ynë është që të punojmë me gjyqtarët e Krujës për të testuar disa teknika për një menaxhim më aktiv të gjyqeve për të reduktuar kështu numrin e seancave joproduktive. Theksoj me kënaqësi se, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, ofruan mbështetjen e tyre për këtë projekt dhe dhanë një kontribut dhe këshilla shumë të rëndësishme. Gjithashtu, u jemi veçanërisht mirënjohës të gjithë gjyqtarëve të Krujës për angazhimin që kanë treguar ndaj kësaj nisme. Ata e morën menjëherë në dorë projektin, hartuan një plan konkret veprimi dhe përqafuan një qasje të re: një drejtësi pa vonesa. Jemi që të gjithë shumë krenarë për Gjykatën e Krujës, e cila është një gjykatë e vogël që po jep një shembull të madh në vend.   Dëshiroj të theksoj se një projekt si ky nuk është një projekt që mund të realizohet nga një njeri i vetëm, burrë apo grua qoftë! Më pëlqen të përsëris një fjalë të urtë: “Nëse do që të ecësh shpejt, ec vetëm. Nëse do që të shkosh larg, shko me shokë”. Ne nuk po përpiqemi që ta ndryshojmë praktikën e gjykatës për një ditë – ne duam një ndryshim që t’i qëndrojë kohës. Prandaj, duhet ta bëjmë bashkë këtë rrugë. Kontributi i çdo gjyqtari, prokurori, avokati, punonjësi policie dhe përfaqësuesi shteti është i nevojshëm për t’u dhënë një drejtësi efikase dhe efiçente gjithë qytetarëve shqiptarë. Prandaj jemi mbledhur këtu sot. Mesazhi kryesor që do të doja të ndaja me ju është që angazhimi juaj ndaj kësaj qasjeje të re të Gjykatës së Krujës është i një rëndësie thelbësore. Për ta bërë çdo seancë kuptimplotë dhe produktive, nevojitet kontributi i çdo pjesëmarrësi në gjyq. Në fund të fundit, që të gjithë do të fitojmë nga seancat më produktive dhe gjyqet më të shpejta dhe që të gjithë duhet të ndërmarrim një rol aktiv për ta bërë këtë realitet.

Unë jam i sigurt, se pasi të jeni prezantuar sot me rezultatet e para të këtij projekti, do ta kuptoni se fillimi ka qenë i shkëlqyer. Shpresoj që të frymëzoheni për të kontribuar në suksesin e këtij projekti dhe t’i jepni mbështetjen tuaj të plotë Gjykatës së Krujës për ta bërë drejtësinë më të shpejtë e më të mundur për të gjithë.

….

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i pranishëm në takimin e nivelit të lartë “ Për një drejtësi pa vonesa ”, ka garantuar se do të jetë në krah të çdo reforme që ndikon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi.

 Kreu i drejtësisë shqiptare theksoi se institucioni që ai drejton, mbetet i vendosur në realizimin e reformave, të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor.

 Më poshtë fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 Projekti “Për një drejtësi pa vonesa”, synon përqasjen me praktikat më të mira të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në drejtim të shpejtësisë së gjykimit dhe të efiçencës.

 Është fakt i pamohueshëm që sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në këtë kuptim ky projekt i përbashkët vjen si një sfidë ndaj këtij fenomeni, duke treguar se është e mundur të arrihet gjykimi i çështjeve në një kohë të shpejtë madje edhe  pa ndryshime ligjore.

 Eksperienca e deritanishme në gjykatën e Krujës tregon se që në fillimet e tij ky projekt ka dhënë rezultate dhe treguesit janë premtues që kjo eksperiencë të shtrihet edhe në gjykata të tjera.

 Për këtë, përveç partnerëve që na mbështesin, do të doja të falenderoja gjithashtu edhe gjyqtarët dhe stafin e kësaj gjykate, të cilët me gadishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre po mundësojnë suksesin e këtij projekti.

 Në këtë kuptim, ky projekt kërkon që, më së pari të pranohet nga vetë gjyqtarët e më pas të zbatohet prej tyre pa hezitim.

 Janë të pa tolerueshme rastet e zvarritjes së gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, apo rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi.

 Dua të sjellë në vëmendjen tuaj shqetësimin e një qytetari, i cili prej vitesh mbahej peng e zvarritjeve të pajustifikuara nga ana e gjykatës.

 I dekurajuar në maksimum nga neglizhenca e treguar në gjykim, përmes një letre adresuar në Ministrinë e Drejtësisë, qytetari shprehej se: “do të kishte qenë më mirë që të kërkoja pushimin e gjykimit dhe hapjen e një padie të re, sesa të përballesha me zvarritjet e pajustifikuara të  çështjes”.

Këto shembuj jo vetëm që ndikojnë drejtpërdrejt në percetimin negativ të publikut, në uljen e besimit të tyre te sistemi i drejtësisë, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor.

 Gjithsesi, në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mos pjesëmarrje të palëve në proces, apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave.

 Kam parasysh këtu përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, palë në gjykim, të cilët bëhen shkak për shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale.

 Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore, jo vetëm të përfaqsohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhërat e vendimet e gjykatës gjatë seancave gjyqësore.

 Për këtë qëllim, janë ftuar sot në këtë takim edhe drejtuesit e institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, së pari për t’u njohur me këtë projekt të rëndësishëm, por edhe për t’u angazhuar drejt një përpjekje të përbashkët në realizimin me sukses të tij.

 E drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm është një nga të drejtat themelore të njeriut në një shoqëri të bazuar në shtetin e të drejtës.

 Kohëzgjatja dhe cilësia e gjykimit janë dy faktorët kryesorë, që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin dhe besimin e njerëzve tek sistemi i drejtësisë.

 Përtej perceptimit dhe besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, gjykimi brenda një afati të arsyeshëm është një detyrim kushtetues dhe ligjor për çdo gjyqtar.

 Sa herë kam patur rastin të shprehem mbi fillimin nga puna të Gjykatave Administrative, i kam cilësuar ato me bindje një revolucion të vërtetë, kjo për faktin se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit ka afate të mirëpërcaktuara kohore, në respektim të të drejtave të palëve për një proces të rregullt ligjor.

 Në këtë kuptim, kërkesa për një gjykim të shpejtë vjen jo vetëm në kuadër të efiçencës në gjykim, por edhe si një detyrim kushtetues, ndaj duhet të përbëjë një angazhim serioz për çdo gjyqtar të sistemit.

 Po kështu do të duhet të kemi në vëmëndje jo pak vendime të Gjykatës së Strazburgut në kuadër të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat elaborojnë shpejtësinë në gjykim dhe materializimin e të drejtës së palëve, si një element mjaft të rëndësishëm të proces të rregullt ligjor.

 Shqipëria është gjithashtu anëtare e Komisionit Evropian për efiçencën në Drejtësi, një iniciativë kjo e Këshillit të Evropës për promovimin e standardeve ndërkombëtare për një drejtësi të drejtë dhe të shpejtë.

 Dokumenti i miratuar në 2006 nga ky Komision “Përmbledhje e praktikave të mira” për menaxhimin e kohës në procedimet gjyqësore” është një udhërrëfyes në punën tonë për reformimin e sistemit të drejtësisë për sa i përket efiçencës.

 Vlen të përmendet gjithashtu se Këshilli i Evropës ka përcaktuar në Rekomandimin Nr. R(84)5 se “normalisht, procedimet civile, duhet të përbëhen nga jo më shumë se dy seanca”.

Gjithashtu kodet e procedurave penale dhe civile ngarkojnë gjykatat dhe gjyqtarët me përgjegjësinë për të garantuar që të gjithë palët në proces gjykimi të shmangin vonesat e panevojshme.

 Lejomëni t’ju drejtohem, por dhe t’ju bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve, që në konsideratë dhe të implementimit të programit pilot “Për një drejtësi pa vonesa”, në ndryshim nga praktika e vërejtur deri më sot, të marrin një rol aktiv në përgatitjen, planifikimin, mbarëvajtjen e proceseve të gjykimit, duke marrë masat e nevojshme për reduktimin, në minimum të zvarritjeve të proceseve gjyqësore.

  Ashtu siç ka shumë problematika, të cilat kërkojnë ndërhyrje ligjore dhe ne jemi të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, ka edhe një seri problematikash që ndikojnë në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, të cilat kërkojnë vetëm vullnetin e duhur për tu zbatuar.

 Planifikimi më i mirë i seancave gjyqësore, nëpërmjet konsultimit paraprak me palët, zbatimi rigoroz i sanksioneve ligjore të parashikuara për mungesat e pajustifikuara në seancat gjyqësore të palëve në gjykim, me qëllim zhvillimin normal të procesit gjyqësor, janë disa hapa konkretë që nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore, por vetëm një qëndrim më aktiv të gjyqtarëve.

 Besoj se është vendi të përmend se sipas studimit të fundit të Prezencës së OSBE-së “Drejt Drejtësisë” të prezantuar në 2013, dy nga tre shkaqet kryesore të numrit të lartë të seancave në proceset civile ishin procedurat joefikase përgatitore nga ana e gjyqtarëve dhe mungesa e pjesëmarrësve në gjykim.

 Kështu në 143 seanca të vëzhguara, 47.7% e tyre ishin seanca joproduktive dhe 109 prej tyre janë shtyrë.

 Sigurisht që me këto tregues nuk pajtohen përdoruesit e gjykatave, por nuk duhet të pajtohen gjithashtu as KLD e as Ministria e Drejtësisë.

 Në këtë kuptim çdo tejzgjatje dhe zvarritje e pajustifikuar e proceseve gjyqësore duhet të jetë objekt verifikimi dhe kontrolli.

 Po kështu, nga ana jonë, do të tregohet përkushtimi maksimal që projektet për reformimin, modernizimin dhe dixhitalizimin e sistemit gjyqësor të shkojnë deri në fund.

 Kam parasysh këtu sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore civile dhe penale, sistemin e regjistrimit të çështjeve me mjete audio e më pas me video.

 Realizimi i seancave gjyqësore më produktive dhe efikase janë rruga e duhur drejt reformimit të sistemit të menaxhimit të seancave gjyqësore dhe garantimit të drejtës kushtetuese për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.

 Së fundi dua të falënderoj edhe një herë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe USAID-in dhe të shpreh mbështetjen pa rezerva për Projektin pilot “Për një drejtësi pa vonesa”.

 Shpresoj dhe besoj që ky model të rezultojë i suksesshëm dhe të shtrihet edhe në gjykata të tjera.

 Domethënëse dhe aktuale mbetet dhe sot deklarimi i aktivistit, liderit të lëvizjes të të drejtave civile amerikane dhe afrikane Martin Luther King në “Letrën e tij nga burgu i Birmingamit”.

 Ndërsa citonte një jurist të shquar Amerikan, ndër të tjera ka përdorur shprehjen “drejtësia shumë e vonuar, është drejtësi e mohuar”.

 Ky do të jetë dhe emëruesi ynë në përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë duke materializuar të drejtën e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme në respektim të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të drejtës Ndërkombëtare në përgjithësi.

***

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, pas përfundimit të takimit “Për një drejtësi pa vonesa”, i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje më disa çështje të cilat janë trajtuar së fundmi në media.

 Z. Naço është pyetur në lidhje me ndryshimet në ligjin për Forcat e Armatosura ku ndër të tjera Ministri sqaroi se:

 “Në këtë rast nuk diskutohet kandidatura e Zotit Nishani. Do të votojmë të gjitha ndryshimet ligjore të cilat nuk prekin Kushtetutën dhe nuk prekin kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës. Përsa i takon pjesës tjetër, të jeni të bindur se jemi të vendosur ta reformojmë të gjithë sistemin. Unë në emër të qeverisë kam kërkuar nga Komisioni i Venecias që të asistojë në të gjitha refomat që ne do të bëjmë, dhe këtë gjë e kam kërkuar jo vetëm nga Komisioni i Venecias por edhe nga Misioni Euralius, OPDATI, pra nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në rrugën e nisur ne nuk jemi vetëm por kemi edhe partnerët, me të cilët do të konsultohemi për të gjitha ndryshimet dhe refomat që do të bëjmë. Kemi një mazhorancë të konsoliduar por nuk e kemi përdorur për të bërë ndryshime, pasi në çdo rast po konsultohemi me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

  Gjithashtu Ministri Naço u shpreh edhe në lidhje me rastet e inspektimeve të gjyqtarëve për të cilat më herët, Ministri i Brendshëm, Z. Tahiri i është drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani.

 “Unë mbështes dhe inkurajoj të gjitha veprimet e Ministrit Tahiri. Qëllimi ynë është i përbashkët, që të luftojmë krimin dhe korrupsionin kudo që ai shfaqet. Në rastin e parë jam njohur me përmbajtjen e letrës dhe kam bërë verifikime bashkë me stafin tim si dhe kam dërguar inspektorët në Gjykatën e Kavajës. Në rastin e dytë kam qenë në një vizitë pune në SHBA por jam venë në dijeni dhe sot ndërkohë jam njohur me përmbajtjen e letrës por edhe me një shkresë të ardhur nga KLD-ja, nga Nënkryetari i saj, i cili e kishte marrë letrën drejtuar Presidentit të Republikës, kishte verifikuar nëpërmjet inperktoriatit të Këshillit, që kishin konkluduar duke dhënë disa verifikime. Unë besoj se KLD-ja duhet ta kishte bërë inspektimin sepse ka qenë në kohë e informuar, pra duhet të kishte dërguar inspektorët. Në bazë të përmbajtjes së shkresës së KLD-së, thuhet se është konkluduar se ka vend për verifikime. Janë dy inspektoriate që kanë një memorandum bashkëpunimi midis tyre dhe në rast se i fillon inspektimet njëri nuk i fillon dot edhe tjetri që të mos ketë mbivendosje, ose mund të ketë një inspektim të përbashkët.

  Referuar dosjeve për procedim disiplinor ndaj disa gjyqtarëve, të cilat janë dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Naço sqaroi se:

 “Unë mund të them nëse për katër vjet paraardhësit e mi kanë çuar rreth 12 procedime disiplinore në KLD, ndërsa në katër muajt e fundit janë dërguar po 12 procedime për shkelje të gjyqtarëve. Katër vjet, me katër muaj kanë ndryshim të madh. Ndryshimi është i madh edhe për faktin se në 12 raste procedimi nga paraardhët e mi, vetëm në dy raste janë bërë shkarkime. Ndërsa në 12 rastet e fundit, 9 prej tyre janë raste me shkarkim ndaj gjyqtarëve. Unë pres dhe inkurajoj KLD-në që të ketë më tepër efiçencë për disa prioritete ndaj dhe kërkoj që këto çështje të futen në rendin e ditës. Sigurisht që pavarësia e gjyqësorit është e garantuar sepse KLD-ja në përbërjen e vetë ka 9 anëtarë,  të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore, pra janë parlamenti i gjyqësorit, por që në çdo rast KLD-ja duhet të dijë që të mbajë qëndrimin e duhur ligjor dhe jo të bëhet palë me ata që shkelin ligjin.

 I pyetur në lidhje me masat që parashikohen për të parandaluar zvarritjen e pajustifikuar të proceseve gjyqësore, Ministri Naço theksoi se:

 “Tashmë Ministria e Drejtësisë e ka marrë nismën e saj dhe po bën një revolucion me Kodin e Procedurës Penale, dhe ndryshimet do të jenë të thella. Në këto ndryshime është parashikuar edhe rasti që vendos sanksione ndaj avokatëve të cilët shmangin ose neglizhojnë procesin duke e zvarritur atë qëllimisht. Është parashikuar për raste të tilla gjobitje deri në 50 mijë lekë (të reja), ku gjoba do të jetë titull ekzekutiv. Besoj se kemi marrë të gjitha masat për të eleminuar çdo lloj zvarritje. Ju mund të bëni edhe verifikime, dhe të kuptoni se asnjë gjykatës nuk e fillon punën në orën 8. Unë besoj se kam treguar vullnet të hekurt dhe në katër muaj kam berë atë që paraardhësit e mi nuk e kanë bërë në katër vjet”.