Kontrata kolektive 9 muaj pezull, 23 mijë mësues në ankth me sytë nga Lindita Nikolla

790
Afati i kontratës kolektive mes sindikatave të arsimit dhe ministrisë së Arsimit ka skaduar më datë 31 maj të vitit 2017, por akoma sot, 9 muaj më vonë, kontrata e radhës kolektive nuk është nënshkruar ende, duke lënë në pritje mbi 23 mijë mësues të anëtarësuar në 2 sindikatat, që kanë nënshkruar kontratën kolektive me ministrinë e Arsimit.
Të pyetur nga Top Channel, në ministrinë e Arsimit thonë se kontrata është gati dhe se presin përfaqësuesit e sindikatave të arsimit për të firmosur. Ndërsa në Federatën e sindikatës së arsimit dhe shkencës thonë se janë në pritje të ministrisë së Arsimit.
Jashtë kamerës përfaqësues të kësaj sindikate thonë se i duhen disa ditë kohë për të marrë informacion se ku ka ngecur puna, pra janë të paqartë, por besojnë që kjo çështje të jetë në pragun e zgjidhjes, pasi do të rrezikonte statusin e mësuesve. Ne siguruam një kopje të kontratës kolektive tip, dokument që vlen për mësuesit e të gjitha cikleve, nga ai parashkollor deri te cikli i mesëm të lartë. Juridikisht, kontrata kolektive ruan statusin e të punësuarit me kontratë për një kohë të pacaktuar, ndërsa mbrojtje ligjore në lidhje me marrëdhëniet e punës u sigurohet vetëm mësuesve që janë të anëtarësuar në një nga sindikatat e arsimit, nënshkruese të kontratës kolektive.
Sipas kontratës kolektive, një mësues nuk mund të shkarkohet nga detyra pa shkaqe të arsyeshme, por nëse kjo ndodh punëdhënësi është i detyruar ta dëmshpërblejë. Kontrata kolektive parashikon gjithashtu që rritja vjetore e pagës për mësuesit të mos jetë më e ulët se përqindja zyrtare e inflacionit në vend. Por, në faqen e parafundit të kontratës kolektive thuhet se kjo kontratë mund të zgjidhet nga secila palë nëse koha e vlefshmërisë së saj ka mbaruar. Si rasti në fjalë, mësuesit janë pa kontratë kolektive që nga maji i vitit 2017, për rrjedhojë statusi në punë i mbi 23 mijë mësuesve në të gjithë vendin është i rrezikuar. Sa i takon kontratës individuale, një model që Top channel e zotëron, specialistët e arsimit thonë se mësuesit nuk e kanë një të tillë dhe se është urdhri i emërimit ai që konsiderohet si kontratë formale individuale, në mungesë të një kontrate të detajuar pune.
Por, me decentralizimin e arsimit, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të arsimit parauniversitar, hartimi dhe nënshkrimi i një kontrate individuale është domosdoshmëri. Në këto kushte, mësuesit kanë vetëm kontratë kolektive, por edhe atë e kanë të skaduar që në maj të 1 viti më parë.
Sigal