Kontrata e lotimit të PD-së, prokuroria verifikon akuzën

517
Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet pas denoncimeve publike për kontratën e lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara, në vlerë 1 mln dollarë. Pas deklarimit të Taulant Ballës në seancën e djeshme se kërkon nga akuza ndërhyrjen e menjëhershme dhe në rast të kundërt do të bëjë kallëzim të hënën, jo zyrtarisht u mësua se organi i akuzës së kryeqytetit i ka kërkuar KQZ-së dhe PD dokumentacionin dhe pasqyrat financiare, të deklaruara si shpenzime të fushatës. Prokurorët thonë se ende nuk është regjistruar një procedim penal dhe nuk ka asnjë vepër dhe person nën hetim. Megjithatë PS lajmëroi nga foltorja e kuvendit se do të kallëzojë në prokurori kreun e PD, Lulzim Basha për pastrim parash, të hënën e ardhshme. “Për herë të parë një parti është përfshirë në një aferë të pistë transaksioni parash. Ke ngritur një furtunë, kazanin e akuzave për përgjimin e dy kriminelëve dhe arrestimin e një biznesmeni me 863 mijë euro në makinë, duke bërë prokurorin sa herë do. Sot është dita të dalësh e të sqarosh ku i ke gjetur 1 mln dollarë për të paguar artikuj që nxijnë Shqipërinë? Burimet bëjnë me dije se këto para administrohen nga një person i lidhur me Bashën. Fondi është krijuar në një ishull offshore për të fshehur gjurmët që të çojnë tek Basha. Jemi në kushtet e disa veprave të rënda penale që bien drejtpërdrejt mbi Bashën. Kjo është skema më e pastër e pastrimit të parave. Të hënën do të paraqesim kallëzim penal për Lulzim Bashën për këtë skemë mashtrimi”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS.
Sigal