Konservatorët europianë: Mbështesim protestën për zgjedhje të lira dhe të ndershme

524
Sheshit të Lirë dhe protestës së opozitës pasditen e së shtunës i janë bashkuar dhe drejtuesit e partive konservatore Europiane, të cilët u pritën nga kreu i opozitës Lulzim basha.

Basha ndau vlerësimin për mbështetjen e Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve europianë, Partisë Konservatore britanike, forca që kanë bërë historinë e lirisë europiane.

“Ata vijnë nga vende që janë djep i demokracisë si Mbretëria e Bashkuar, dhe vende që vuajtën bashkë me Shqipërinë, shkatërrimin, diktaturën, terrorin komunist, por që ia kanë dalë të ngrihen e të qëndrojnë fuqishëm, vetëm falë lirisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.

Ndërkohë që Presidenti i Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë, Jan Zahradil tha se vend i tij dhe Shqipëria kanë një të përbashkët të madhe, të shkuarën e egër komuniste dhe luftën kundër saj.

“Trashëgiminë komuniste po përpiqemi ta lemë pas, po si mund ta arrijmë këtë?! Vetem me zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Ne e dimë sa e rëndësishme është që qytetarët të kenë mundësi për të zgjedhur lirshëm. Nëse ju mohohet mundësia për të zgjedhur lirshëm, atëhere nuk ka fare demokraci. Prandaj ne jemi këtu për tju mbështetur në luftën dhe kërkesën tuaj që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve, për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, ku askujt të mos i mohohet e drejta për të votuar lirshëm. Kjo është beteja juaj, por ne jemi këtu për t’iu mbështetur plotësisht ndaj mund të mbështeteni tek ne. Ju keni këtu politikanë të besueshëm dhe të përgjegjshëm që janë demokratë të vërtetë. Mbështetini dhe luftoni për ta. Të jeni të sigurtë që me ta demokracia do të jetë më e fortë, më njerëzore dhe më e vërtetë”, tha Zahradil.

Daniel Hannan, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë, si dhe eurodeputet i Parlamentit Europian, vlerën më të madhe të Shqipërisë e sheh tek kurajo e qytetarëve të saj.

“Prindërit tuaj luftuan për pavarësi dhe liri kundër pushtuesve të ardhur nga lindja apo perëndimi. Ata u munduan dhe luftuan për rrëzimin e një prej diktaturave më të rënda që ka ekzistuar në tokën e Europës moderne. Dhe tani është detyrë e brezit tuaj për të larguar edhe mbetjet e fundit të mendësisë komuniste. Nuk ka forcë më të madhe në politikë se sa ëndrra për liri”, u shpreh Hannan.

Daniel Hannan tha se shqiptarët i kanë liderët që do i çojnë me përgjegjësi drejt vlerave dhe parimeve europiane, por më parë duhen siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Une nuk kam dyshim se do ju drejtojnë me sukses drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me mbikqyrjen e një trupi të pavarur, dhe me lidershipin e tyre, fitorja do të jetë e juaja”.

Geoffrey Clifton-Broën, deputet i parlamentit Britanik tha se demokracia nuk vjen rastësisht, por populli i një vendi duhet të luftojë për ta fituar atë.

“Ne qendrojmë, sic dhe Britania ka bërë gjithnjë, në mbështetje të shteteve europiane që luftojnë për të fituar lirinë nga forcat e tiranisë dhe komunizmit dhe këtë do të bëjmë për Shqipërinë sot. Unë ndjej se jemi në një kthesë kyçe të historisë së Shqipërisë. Miqtë e mi, vetëm vazhdoni betejën pa reshtur, dhe do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe liria do të vijë e do transformoheni në një shoqëri moderne europiane si ne. Fat të mbarë!”, tha Broën.

Fatmir Mediu tha se gjatë takimeve të zhvilluara me Partitë Konservatore Europiane prej dy ditësh në Tiranë, ka diskutuar me politikanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Çekisë, Portugalisë, Estonisë dhe sëbashku kanë dalë në një përfundim.

“E drejta dhe dinjiteti i individit nuk mund të zëvendësohen nga asnjë shtet apo kryeministër. Ajo buron nga liria e tij, dhe e drejta e votës është liri themelore. Ndaj ne nuk do të ndalemi në rrugën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme”.
Sigal