Konsensusi PS-PD që shmangu FBI-në nga Byroja e Hetimit

478
Sigal

Si ishte nga ndërkombëtarët dhe si u ndryshua ligji
për Byronë Kombëtare të Hetimit

Elita politike
shqiptare, drejtuesit dhe ish-drejtuesit e shtetit, duke se i tremben rolit të
amerikanëve dhe konkretisht ekspertëve të FBI-së, në kontrollin dhe asistimin e
Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturës që pritet të marrë në dorë dosjet e
nxehta të krimit dhe korrupsioni në Shqipëri. Pas konsensusit të befasishëm për
votimin e ligjit të SPAK, me 122 vota pro, fshihet përjashtimi i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nga kontrolli i veprimtarisë së
Byrosë Kombëtare të Hetimit, superstrukturës hetimore që duket se ka trazuar
qarqe të caktuara politike. Konkretisht, në variantin e miratuar, në 6 tetor në
Parlament, është hequr neni 46 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e
institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i quajtur
ndryshe SPAK, duke rrëzuar komisionin me ekspertë të SHBA-BE, që do të
kontrollonte Byronë. Pavarësisht paralajmërimit të hapur të amerikanëve për
bllokimin e financimit, nëse Byroja e Hetimit nuk do të ishte nën kontrollin e
tyre, ligji i SPAK i miratuar me konsensus dhe i dekretuar nga Presidenti i
Republikës, mban larg Perëndimin nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky ndryshim
mund të ulë pritshmërinë për forcën goditëse të Byrosë ndaj korrupsionit në
nivele të larta. Gjithashtu, nga ana tjetër, përjashtimi i rolit monitorues të
ndërkombëtarëve mund të ulë edhe besueshmërinë e publikut tek struktura e re.

Propozimet
ndërkombëtare

Neni 46, i
fshirë nga ligji i miratuar i SPAK, parashikonte ngritjen e një Komisioni të
Pavarur për Rishikimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky komision do të
përbëhej nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit
Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo
mision do të caktonte përfaqësuesit, të cilët duhet të jepnin udhëzime dhe
këshilla për një funksionim më të mirë dhe për zhvillimin e Byrosë Kombëtare të
Hetimit. Përfaqësuesit e OPDAT në Shqipëri patën paralajmëruar se pjesë e
ekspertëve të tyre do të ishin edhe ekspertë të FBI. Ky komision ishte
parashikuar gjithashtu për të vëzhguar në mënyrë aktive procesin e rekrutimit
dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendimet për të
shkarkuar punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe sigurinë e
respektimit të ligjeve në fuqi. Po ashtu, ekspertë të drejtësisë penale të SHBA
dhe BE, do të asistonin hetuesit e Byrosë edhe në çështje e rëndësishme
hetimore. Por, tashmë ky rol është zhbërë me ligj.

Paralajmërimi

Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale,
kërkuan kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të kundër
do të anulonin ndihmën financiare për themelimin dhe funksionimin e strukturës.
Paralajmërimi është artikuluar nga John Smibert, përfaqësues i misionit të
OPDAT-it në Shqipëri, gjatë mbledhjes së komisionit të Posaçëm për Reformën në
Drejtësi, në datën 13 korrik 2016. “Kjo
është që ju të keni një EULEX të ri këtu, por nënkuptohet që të jenë ata ofrues
të ndihmës, që ekzistojnë tashmë, dhe të caktojnë personat, të cilët do të jenë
pjesë e këtij komisioni, mbase komision s’është fjala e duhur për t’u përdorur,
por do të tjetër thjesht një komision personash, të cilët do të japin këtë
këshillë e këtë transparencë. Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm
nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh. Nëse ju i
doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishëm dhe FBI-ja të ofrojë
ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e
këtyre marrëveshjeve dypalëshe, janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit
dhe Shqipërisë
”, ka deklaruar Smibert.

Votimi me konsensus me 122 vota

Pas konsensusit
të befasishëm për votimin e ligjit të SPAK, me 122 vota pro, fshihet
përjashtimi i SHBA-BE nga kontrolli i veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të
Hetimit, superstrukturës hetimore që duket se ka trazuar qarqe të caktuara
politike.

 

Kërkesat e amerikanëve dhe evropianëve

Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI-së dhe të drejtësisë penale,
kërkuan kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të kundër
do të anulojnë ndihmën financiare për themelimin dhe funksionin e strukturës.

 

Varianti i SPAK
sipas ndërkombëtarëve

Neni 46: Komisioni
i Pavarur i Rishikimit

1. Komisioni i Pavarur i
Rishikimit i Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë
penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve
të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo mision cakton përfaqësuesit, të cilët
japin udhëzime dhe këshilla ekspertësh për një funksionim më të mirë dhe për
zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

2. Komisioni i Pavarur i
Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të
punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendimet për të shkarkuar punonjës
të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe sigurinë respektimin e ligjeve në fuqi.

 

Neni 47: Mbrojtja sipas shërbimit civil për
punonjësit e gjykatave kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të
Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

1. Punonjësit e
administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të
organizuar u nënshtrohen dispozitave përkatëse të Ligjit për Organizimin e
Gjykatave, përveçse nëse parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Punonjësit e
administratës së prokurorisë pranë Prokurorisë së Posaçme u nënshtrohen
dispozitave përkatëse të Ligjit për Nëpunësin Civil, përveçse nëse parashikohet
ndryshe në këtë ligj.

 

Varianti i miratuar i ligjit të SPAK

Neni 43: Marrëdhëniet
e Byrosë Kombëtare të Hetimit me struktura të tjera policore

1. Drejtori
është i autorizuar të firmosë marrëveshje me struktura të tjera policore për të
përmirësuar efiçencën, kapacitetin operacional dhe shkëmbimin e informacionit.

2. Byroja
Kombëtare e Hetimit bashkëpunon me Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ
Shtetëror, Policinë Kufitare, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë
e Përgjithshme të Tatimeve dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse
shtetërore për të realizuar në mënyrë të plotë dhe efektive ushtrimin e
funksioneve të përcaktuara në këtë ligj.

3. Byroja
Kombëtare e Hetimit ka akses në informacionin që përmbajnë bazat e të dhënave,
përfshirë Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS).

4. Byroja
Kombëtare e Hetimit është institucioni që ekzekuton urdhrat për përgjim të
kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe të autorizuara nga gjykatat kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ushtron detyra të tjera të
parashikuara në pikat 3 dhe 6, të nenit 42, të këtij ligji, si dhe ka
kapacitetet e veta për t’i kryer detyrat si më sipër.

Neni 44: Statusi i punonjësve të shërbimit civil

1. Punonjësit e
administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të
organizuar u nënshtrohen dispozitave përkatëse të ligjit “Për organizimin e
pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përveçse kur parashikohet
ndryshe në këtë ligj.

2. Punonjësit e
administratës së prokurorisë pranë Prokurorisë së Posaçme u nënshtrohen dispozitave
përkatëse të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën
e Shqipërisë”, përveçse nëse parashikohet ndryshe në këtë ligj.