Konsensus mes palëve, Pogradec, më 15 gusht do të konstituohet Këshilli Bashkiak

489
Sigal

Këshilli Bashkiak i Pogradecit do të konstituohet më 15 gusht. Ky vendim është marrë nga Prefekti i Korçës, Ardit Konomi. Mbledhja për konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe betimin e kryetarit të ri të bashkisë së Pogradecit është vendosur të mbahet në 15 gusht në orën 10:00. Gjatë ditëve të fundit ka pasur debate të vazhdueshme për Këshillin Bashkiak të Pogradecit, pasi këshilltarët e djathtë akuzojnë të majtët se po bllokojnë konstitumin.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak në Pogradec ka dështuar në mbledhjen e 7 gushtit, pasi kanë munguar disa nga këshilltarët e majtë. Kjo ka bërë që të dështojë edhe betimi i kryetarit të ri të Bashkisë, Eduard Kapri. Këshilltarët e djathtë kanë reaguar për këtë situatë, duke u shprehur se kjo mungesë është e qëllimshme, dhe bëhet për të zvarritur dhe penguar punën e bashkisë së re. Eduard Kapri është kandidati i PD në zgjedhjet lokale të 21 qershorit për Pogradecin, dhe arriti të fitojë me gati 1 mijë vota diferencë ndaj kandidates së LSI, Diana Mile.