Konkurs për njerëzit e aksionit “Forca e Ligjit”

531
Pas konkursit për gradën “Drejtues i Parë” një tjetër provim pritet të zhvillohet këtë javë në Akademinë e Sigurisë së policisë. Rreth 200 specialistë hetimi krimesh nga drejtoritë e policive në 12 qarqet e vendit kanë aplikuar për t’iu bashkuar operacionit “Forca e Ligjit ”. Ata do të konkurrojnë për 50 pozicione vakante në task-forcat rajonale dhe atë qendrore që do të ngrihen me synimin e goditjes së grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit. Disa oficerëve u është refuzuar pjesëmarrja në konkurs për shkak të problemeve me masat disiplinore apo mungesë së certifikatës së sigurisë, pasi me atashimin në task-forcat kundër krimit ata do të njihen me informacione të klasifikuara dhe tepër sekret. Ndërkohë zyrat qendrore të “forcës së ligjit” do të ngrihen në ish-godinën e Ministrisë së Shëndetësisë përbri Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë godinë do të atashohen edhe 7 hetuesit e huaj që do të asistojnë operacionin e shumë përfolur, mes tyre dhe një hetues i FBI-së amerikane. Që prej shpalljes në fillim të nëntorit të kaluar policia ka realizuar 2 operacione që sipas saj janë pjesë e forcës së ligjit, ndërsa nga analiza paraprake rezultojnë se në vend operojnë rreth 40 grupe kriminale.
Sigal