Kongresmeni Amerikan Hultgren, letër Bashës: “Vazhdoni betejën për zgjedhje të lira”!

523
Mesazhi: Vlerësojmë Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, mbështetje të plotë për opozitën 
Kongresmeni Randy Hultgren përmes një letre drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e opozitës. Letra vjen pas takimit që kongresmeni zhvilloi me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. “Opozita duhet të vazhdojë në rrugën e saj të protestës për të realizuar zgjedhje të lira, çka janë edhe themeli i çdo demokracie”, theksohet në këtë letër. Një letër drejtuar Bashës, ku inkurajohet qëndresa për garantimin e zgjedhjeve të lira, është nisur nga selia e Kongresit Amerikan. Takimi i kongresmenit Hultgren me Mediun, është zhvilluar në serinë e takimeve që kryetari republikan, ka ndërmarrë për të informuar dhe sensibilizuar politikën e jashtme për situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe tentativat e mazhorancës për të deformuar zgjedhjet e 2017, nëpërmjet bandave, parave të drogës dhe refuzimit absolut për të ndërmarrë një reformë zgjedhore. Zoti Mediu e ka informuar kongresmenin amerikan, që synimi i vetëm i qeverisë Rama, është deformimi dhe grabitja e votës së qytetarëve në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që synimi i vetëm i protestës opozitare është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nën kujdesin e një qeverie teknike. Një tjetër takim mjaft i suksesshëm i zotit Mediu, ishte edhe ai me senatorin Ted Cruz, ish-kandidat për president i SHBA, si dhe senatorin Mike Lee, senatorin Mike Rounds, senatorin Roger Wicker, senatorin Tom Cotons dhe Jim Inhofe. Ata edhe një herë vlerësuan Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe mbështetjen e tyre për opozitën dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ata theksuan se situata në Ballkan është bërë shqetësuese, ku rindezja e konflikteve etnike në mënyrë të qëllimshme për shkak të interesave korruptive të qeverive. Edhe një herë ata u angazhuan në diskutim me administratën Trump dhe zhvillime të pritshme në Kongres për të debatuar për këto zhvillime dhe për të përcaktuar qartë qëndrimet në të ardhmen. Ata theksuan se nuk ka prioritet më të madh, se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si e drejta dhe liria kryesore e shtetasve në shoqëri demokratike.
Sigal