Konflikti në Ministrinë e Arsimit, Policia e Shtetit injoron thirrjen e drejtueses

544
Përplasja mes Ministres Teknike të Arsimit, Mirela Karabina dhe Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Plarent Ndreca, ka arritur kulmin. Pas pezullimit të tij nga detyra me vendim të Karabinës, Ndreca ka bërë të gjitha përpjekjet për t’u futur në institucion me forcë. Konflikti mes tyre është duke u shqyrtuar në Gjykatën Administrative. Ndërkohë që mbrëmja e së mërkurës ka sjellë një panoramë krejt të pazakontë. Përreth godinës së Ministrisë së Arsimit janë vërejtur disa makina të policisë private. Njerëz, që sipas ministres Karabina, kanë bërë përpjekje për t’u futur me forcë në institucion. Kjo situatë ka vazhduar për disa orë. Madje nga ana e Karabinës janë bërë akuza edhe më të rënda. Ajo është shprehur se Ndreca përmes njerëzve të tij, ka ndërhyrë edhe në serverin e brendshëm të Ministrisë së Arsimit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Pas konfliktit, Karabina bën me dije se ka njoftuar Policinë e Shtetit, por kjo e fundit ka refuzuar të ndërhyjë. Ajo ka thënë se është lidhur në telefon me Drejtorin e Policisë së Tiranës, por përgjigja që ka marrë ka qenë negative. Ardi Veliu, drejtuesi i Policisë së Tiranës është shprehur: “Nuk ju njohim si autoritet. Njohim vetëm Plarent Ndrecën si autoritet”, është përgjigjur ai. Ndërkohë rojet private edhe pas thirrjes së ministres teknike të Arsimit nuk janë larguar. Nga ana e saj gjatë ditës së djeshme ka reaguar Drejtoria e Policisë Tiranë. Përmes një njoftimi zyrtar ajo ka shpjeguar pozicionin në të cilin është ndodhur duke hequr përgjegjësinë nga vetja. “Në lidhje me konfliktin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit midis drejtuesve të këtij institucioni, Ju bëjmë me dije se: Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është njohur jo zyrtarisht me konfliktin institucional ndërmjet Ministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, por theksojmë se nuk është detyrë e Policisë së Shtetit dhe kompetencë e saj, zgjidhja e kësaj situate. Policia e Shtetit ju ka bërë me dije zgjidhjen e situatës duke ju drejtuar Gjykatës Administrative dhe Prokurorisë. Për sa i përket shërbimit të sigurisë fizike, të dy shoqëritë janë kontraktuar nga i njëjti institucion”.
Sigal