Konfliktet mes kryetarëve të bashkive dhe prefektëve ndër vite

873
Sigal

Shkak i konflikteve mes funksionarëve vendorë dhe të emëruarve të qeverisë rezultojnë të jenë interesat ekonomike emërimet nepotike dhe interesa të tjera

“Në Vlorë, foli prefekti Osmën Haxhi Muhameti…” Me këto vargje i ka kënduar poeti popullor, këtu e 90 vjet më parë, prefektit të parë në historinë e prefektëve të qarkut të Vlorës, Osman Haxhiut. Kohë të tjera, mentalitete të tjera. Që nga ajo kohë, kanë rrjedhur shumë vite dhe poetët popullorë, nuk thurin më vargje për prefektët dhe kjo e ka ndoshta një shpjegim. Sepse edhe prefektët nga ana e tyre, janë sot më pak popullor dhe të lidhur më shumë me politikën, e cila i emëron. Por edhe për faktin se, dikur prefektët e parë flisnin për qëllime patriotike e shkrinin pasurinë e tyre për të bërë Vlorën e Shqipërinë, sot është krejt ndryshe. Pak ditë më parë, ka folur dhe prefekti aktual i Vlorës, Besnik Dervishi, e folur e cila ka trazuar jo pak politikën lokale e aq më tepër politikën brenda llojit, atë të PS-së. E folur, e cila ka shkaktuar dhe reagimin e kryetarit të bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i cili ka dalë kundër deklaratës së prefektit. Të dy përfaqësues të PS, i pari i emëruar nga kryeministri socialist Rama, i dyti i zgjedhur për tre mandat rresht, në postin e kryetarit të bashkisë. Një konflikt, i cili deri pa dal në publik, përflitej në rrethe të ngushta e zyra qeveri e partie. Po ky nuk është konflikti i parë në historinë midis një prefekti dhe një kryetari bashkie dhe as i pari midis përfaqësuesve të së njëjtës forcë politike, siç është partia socialiste. Historia nis me prefektin e parë, pas zgjedhjeve të vitit 1997, zotin Tare Hamo. Në vitin 1997, pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, qeveria socialiste do të emërojë prefekt të qarkut të Vlorës, Tare Hamon. Një kuadro karriere, që do të menaxhojë mirë një Vlorë të shkatërruar e me institucione të rëna, si pasojë e ngjarjeve të vitit 1997. Një prefekt që mbahet mend për mbledhjet e shumta e të gjata, paradite e pasdite që zhvillonte me drejtues të institucioneve të shtetit në Vlorë. Jemi në vitet kur në Vlorë do të kryheshin reforma në të gjithë sektorët, ndërkohë që në Vlorë koncepti i vjeljes së taksave, ishte i panjohur. Por, lufta politike brenda llojit do ta largonte pas tre vjetësh nga ky post prefektin Tare Hamo. Në datën 25 tetor, Tare Hamo, me cilësinë e prefektit të qarkut, do të jap një intervistë publike 35 minuta, në një TV lokalë, ku do të denonconte atë që ai e quajti, skandali i tokave. Një skandal, ku ishin përfshirë zyrtarë të lartë të pushtetit dhe shtetit në Vlorë, përfaqësues të PS, disa prej te cilëve vuajtën edhe dënim me burg, pati edhe të tjerë që rrezikuan arrestin, por u shpëtuan prej politikes lart në Tiranë. Janë ditët dhe muajt kur në PSSH kishte nisur një luftë e ashpër brenda llojit për pushtet, që do të kulmojë me shfaqjen në publik të KPD socialiste. Pikërisht si pasojë e këtyre zhvillimeve, ku edhe prefekti Hamo, nuk do të qëndronte jashtë grupimeve që zbrisnin nga qendra në bazë, do ta pësonte edhe vet ai. Të mërkurën e 21 nëntorit të vitit 2001, Tare Hamo, do të lirohet nga detyra dhe në vend të tij do të emërohet në postin e prefektit, Fatos Hamiti. Por në ditën e prezantimit të prefektit të ri, prefekti në ikje Tare Hamo, do të shkaktojë të papriturën e madhe për kohën, por të pandodhur edhe sot, ku jo vetëm nuk do t’i jap dorën kryetarit të PS Vlorë, Niko Veizi, por do ta nxjerrë edhe jashtë nga zyra. Prefekti i radhës, Fatos Hamiti, i cili nuk do të zëvendësonte zotin Hamo, nuk do të qëndrojë gjatë në këtë detyrë, por njëkohësisht nuk do të mbahet mend për ndonjë veçanti në drejtimin e prefekturës së Vlorës. Në 3 maj të vitit 2002, vetëm 6 muaj pas emërimit të Hamitit, me firmën e një Kryeministri të ri të PSSH, Pandeli Majko, emërohet në postin e prefektit të qarkut, Shpëtim Gjika. Një emërim, i cili do të kishte brenda edhe konfliktet politike që zhvilloheshin në radhët e PSSH, atje lart në qendër. Konflikte dhe përplasje grupimesh, të cilat do të përfshinin edhe PS të Vlorës, e cila në atë kohë do të karakterizohej nga debate të ashpra dhe konflikte deri fizike. Pikërisht në një situatë të tillë, në 3 maj të vitit 2002, prefekti i qarkut Shpëtim Gjika, do të urdhërojë fillimin e një kontrolli nga ana e prefekturës në zyrën e urbanistikës në bashkinë e Vlorës, që drejtohej nga një shok socialist i Gjikës, Niko Veizaj. Edhe ky një veprim që do të ndodhte për herë të parë dhe nuk ka ndodhur të përsëritet edhe në vitet në vazhdim, sidomos kur mendon se është një veprim brenda llojit politik. Ngjarje do të bënte bujë të madhe e do të thellonte edhe më shumë përçarjen brenda radhëve të PS lokale, përçarje që do të reflektoheshin në zgjedhjet lokale të vitit 2003, ku nënkryetari i bashkisë i asaj kohe, socialisti Dule Harrizaj, do të kandidonte si i pavarur përballë kandidatit zyrtar socialist Shpëtim Gjika, duke qenë në deklaratat kundër Gjikës, edhe më i ashpër se vet kandidati i PD-së, për postin e kryetarit të bashkisë. Me afrimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2003, ngjarjet treguan se, Gjika nuk ishte emëruar rastësisht prefekt, por ndoshta për ta patur këtë post, si një mundësi për të kandiduar për postin e Kryetarit të Bashkisë Vlorë. Dhe kështu ndodhi, kur në këto zgjedhje ish prefekti Gjika do të fitojë garën për kryetar të bashkisë dhe do ti bashkohet historisë, ku ashtu si edhe Osman Haxhiu e Qazim Kokoshi, do të jetë edhe prefekt edhe kryetar bashkie, për t’i mbetur që të barazohet plotësisht me dy të lartpërmendurit edhe posti i deputetit. Më pak se një muaj pas zgjedhjes së Gjikës në postin e kryetarit të bashkisë, gjatë një dreke që Kryeministri Fatos Nano, do të hante në një nga restorantet përgjatë bregdetit të Vlorës, do të mësohej për emërimin e prefektit të ri, Bashkim Habilaj. Të paktën kështu u përfol në atë kohë. Kjo do të ndodhte në 8 nëntor të vitit 2003. Edhe ky emërim nuk do të ishte i rastësishëm dhe të lihej me kaq. Bashkim Habilaj do të qëndrojë për gati një vit në postin e prefektit, dhe në tetor të vitit 2004, në këtë post do të emërohet Artan Nelaj, vlonjat me origjinë, por me banim në Tiranë Ardhja e një prefekti nga jashtë grupimeve e klaneve që qeverisin pushtetin dhe shtetin në Vlorë, duhet të ishte një shpresë më shumë për rivendosjen e ligjit në institucionet e shtetit dhe dhënien fund të të drejtuarit të shtetit me nepotizëm e grupime shokësh. Nëse prefekti i ri do të arrinte t’i shpëtonte tundimit për t’u bërë pjesë e njërit apo tjetrit klan, institucioni i prefektit do të bëhej më në fund i besueshëm në kërkesat për zbatimin e ligjit dhe jo prefekt mediatik, si prefektët e mëparshëm. Por shumë shpejt u mësua se edhe Prefekti i ri i ardhur nga Tirana, do të kishte të tjera qëllime dhe jo thjesht postin e Prefektit. Tashmë posti i prefektit të qarkut, kishte nisur të konsiderohej si një mundësi e mirë për të bërë karrierë në politikë, për tu zgjedhur kryetar bashkie apo deputet. Kështu ndodhi që në zgjedhjet e vitit 2005, ish- prefekti i qarkut, Bashkim Habilaj, do të kandidonte për deputet, por nuk do të fitonte. Ndërkohë që kjo mundësi për t’u kandiduar si deputet, nuk do t’i jepej ish- prefektit tjetër, Artan Nelaj, edhe pse ia kishin premtuar një kandidim të tillë. Humbja e Habilaj, do të shoqërohej edhe me humbjen e atyre zgjedhjeve nga PSSH dhe për pasojë, humbjen e pushtetit nga ana e saj. Partia demokratike kishte ardhur në pushtet dhe bashkë me të, do të niste në Vlorë edhe historia e emërimeve nga kjo parti e prefektëve të qarkut të Vlorës. Kreshnik Alimerko, do të ishte prefekti i radhës dhe kjo do të ndodhte në tetor të vitit 2005. Shumë shpejt u përfol dhe më pas u mësua se prefekti Alimerko, ishte përzgjedhur në një përballje të mundshme për postin e kryetarit të bashkisë, në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Deri atëherë, ai duhet të mësonte nga punët e shtetit dhe të përballej me Kryetarin e Bashkisë Gjika, që ashtu si edhe ai, e kishte fituar postin e kryetarit, pasi kishte qenë më parë prefekt. Dhe në zgjedhjet e vitit 2007, ish- prefekti Alimerko do të ishte kandidat i PD përballë Gjikës, që kandidonte për herë të dytë, i mbështetur fuqishëm dhe nga deputeti dhe ministri demokrat Bujar Leskaj, i cili në një deklaratë do të shprehej se, “de juro humbasim një prefekt, por fitojmë një kryera bashkie”.  Por edhe ish- prefekti Alimerko ashtu si edhe ish- prefekti, socialisti Habilaj, do të humbiste në këto zgjedhje. Vendin e tij do ta zë prefekti Xhevahir Rexhepaj, i cili shumë shpejt do të spikas për më shumë pavarësi në veprimet e tij nga strukturat e partisë demokratike në qendër dhe në Vlorë. Në kulmin e veprimtarisë së tij, prefekti Rexhepaj, do të humbas jetën në një aksident tragjik. Ish- prefekti Xhevahir Rexhepaj, d të nderohej pas vdekjes nga Këshilli i Bashkisë Vlorë, me titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës. Hasan Halili do të jetë Prefekti i radhës, në radhën e prefektëve të Vlorës. Ish- ministër në qeverinë e demokratëve para vitit 1997 dhe me njohje të vjetra me liderin demokrat Berisha, prefekti Halili do të pritej mirë në opinionin e qarkut të Vlorës. Por, ndërsa pritej që ai këtë eksperiencë ta vendoste në shërbim të përmasimit të rolit që duhet të ketë një prefekt, prefekti Halili, do të vendoset në mes të një konflikti të hapur që kishte nisur midis kryetarit dhe deputetit të PD Vlorë, Ardian Kollozi dhe kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika. Për këtë arsye puna e prefektit Halili do të përqendrohej vetëm në kthime të vendimeve të këshillit të bashkisë Vlorë, me qëllim bllokimin e punës së bashkisë dhe kryetarit Gjika. Protestat e Dukatit nga njëra anë dhe konflikti i ashpër Gjika – Kollozi, apo edhe natyra e tij jokonfliktuale, do të ishin “gështenjat” e nxehta në duart e prefektit Halili, i cili do të lirohet nga kjo detyrë bashkë me grupin e “tradhtarëve”, brenda partisë demokratike. Aq i ashpër dhe bllokues do të ishte për kryetarin e bashkisë Vlorë, dyshja Halili-Kollozi, saqë Gjikës, do t’i duhej të takohej me Kryeministrin e kohës, Sali Berisha, për t’i kërkuar dhënien fund të bllokimit. Në këtë periudhë, vendimet e këshillit të bashkisë dhe zgjedhja e kryetarit të këshillit, Kujtim Sulçe, do të shkonin deri në gjykatë, për t’u kërkuar atje, zgjidhja e konfliktit, midis prefektit dhe kryetarit të bashkisë. Pas largimit të Halilit, emërohet Prefekt, juristi Eduard Vençani, i cili edhe pse me tone më të zbutura, do të vazhdonte në linjën e bllokimit të vendimeve të kryetarit të bashkisë. Në prezantimin e Vençanit në postin e prefektit, zëvendësministri i pushteti lokal, tha ndër të tjera se, “Vençani vjen si një intelektual i formuar dhe unë besoj se do të arrije të vijojë denjësisht stafetën në këtë rinovim të punëve në prefekture”. Dhe në të vërtet “vijimësia” është dukur shumë shpejt, kur edhe prefekti Vençani, nisi të bllokonte vendimet e këshillit të bashkisë, të cilat ishin punë të bashkisë Vlorë, por që gjithsesi situata do të ishte më e qetë se më parë, në marrëdhëniet midis prefektit dhe kryetarit të bashkisë. Ndryshimi i qeverisjes në 23 qershor 2013, do të sillte dhe ndryshimin e prefektit të qarkut Vlorë, ku do të ikte prefekti demokrat, juristi Eduard Veçani e në vend të tij do të emërohej prefekt, juristi Besnik Dervishi, në emërimin e të cilit, do të merrte pjesë vet Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Emërimi i z.Dervishit në postin e prefektit, do të përshëndetej në rrethet socialiste të Vlorës, si një njeri mbi palët dhe që do të ishte një dorë e fortë e kryeministrit në Vlorë. Që në ditët e para të emërimit, rreth prefektit Dervishi, u mblodhën njerëz që në opinionin socialist të Vlorës, njiheshin si kundërshtarë brenda partisë së kryetarit të bashkisë, fakt ky i cili rezultoi dhe në disa emërime që nisën të kryheshin në institucionet e shtetit, ku shumica do të përzgjidheshin si drejtues, sigurisht me bekimin e prefektit Dervishi. Problemet e dyshuara të kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika me drejtësinë, prishjet spektakolare me tritol në qytetin e Vlorës, përplasjet e inspektoratit ndërtimorë të bashkisë me INUK, në lidhje me kompetencat për prishjet, marrëdhëniet e ftohura të Gjikës me Kryeministrin Rama, do të ishin disa nga shkaqet, të cilat do të ndikonin dita ditës në rritjen e nervozizmit midis kryetarit të bashkisë dhe prefektit të qarkut. Por, ndërsa gjithçka ndodhte dhe përflitej në zyra e ambiente të tjera të mbyllura, shenja e parë në publik do të jepej, për acarimin e marrëdhënieve midis kryetarit të bashkisë dhe prefektit të qarkut, do të shfaqej në emisionin “Opinion” në tv Klan, ku i ftuar në këtë emision prefekti i qarkut, do të fliste sikur të kishte zbritur atë ditë nga ndonjë planet tjetër e fliste i çuditur e sikur të mos e njihte realitetin e Vlorës, ndërkohë që, kishte qenë deputet 2005-2009, në këtë qark, por edhe prezent në veprimtaritë politike e më gjerë, në ditët e vitet në vazhdim. Aq i ashpër e tendencioz do të ishte për kryetarin e bashkisë, deklarimi i prefektit sa do të shkaktonte reagimin nëpërmjet telefonit, në këtë emision të z.Gjika. Ngjarja e rëndë e vendosjes së tritolit në makinën e prefektit të qarkut, duket se i acaroi edhe më shumë marrëdhëniet midis të dyve, aq sa thuhet se është dashur deri ndërhyrja e Kryeministrit, i cili është ulur në një drekë të përbashkët me ta në Vlorë, për t’i shuar inatet e krijuara. Por duket se edhe ndërhyrja e kryeministrit nuk ka dhënë efekt. Zbulimi i asaj që deri më sot quhet si “banda e tritolit” dhe dalja e disa fakteve të reja edhe në lidhje me dyshimet e autorësisë së vendosjes së tritolit në makinën e prefektit, i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit, në marrëdhëniet midis prefektit dhe kryetarit të bashkisë. Deklarata e prefektit ndër të tjera, në lidhje me këtë çështje se “njerëzit e dinë mirë se për cilin klan punon”(duke e patur fjalën për autorin si të dyshuar për vendosjen e tritolit në makinën e tij). ka krijuar idenë e aludimit që kishte bërë prefekti se autori i dyshuar dhe ende i paprovuar për vendosjen e tritolit, të kishte lidhje me kryetarin e bashkisë. Por, ndërsa një ditë mbas kësaj deklarate, prefekti është munduar ta rregullojë deklaratën e një dite më parë, duket se ka bërë një tjetër gafë, kur është deklaruar se nuk e njeh personin e dyshuar si vendosës të tritolit, ndërkohë që, ka njerëz në qytet që dëshmojnë se, prefekti njihet shumë mirë me shtetasin e dyshuar, aq sa edhe ditët e fundit, ky i fundit ishte interesuar për një vend pune tek prefekti i qarkut. Të gjitha këto deklarata të prefektit dhe reagimet e shumta në Vlorë që ka shkaktuar deklarata, kanë sjellë dhe reagimin e kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika, deklaratë tashmë e njohur kjo nga opinioni publik. Çfarë do të ndodh pas kësaj? Askush nuk është në gjendje të parashikojë. A do të vazhdojë ky konflikt, i cili duket se i ka prishur përfundimisht marrëdhëniet midis prefektit dhe kryetarit të bashkisë, duke prishur ndërkohë edhe marrëdhëniet midis grupimeve brenda PS, të cilat tashmë janë shfaqur hapur dhe në përplasje të fortë, ndikuar këto dhe nga emërimet më të fundit në drejtimin e institucioneve, ku në shumicën e tyre dominojnë të preferuar të prefektit të qarkut. Rastet flagrante të nepotizmit familjarë, të konfliktit të interesave, të emërimit të mikut e shokut, të përfoljes së abuzimit me detyrat e mëparshme që kanë kryer, të mungesës së kontributit, meritokracisë, perfomancës, janë disa nga rastet që përfliten në emërimet e kryera, për të cilat ka shumë gjasa që të mos ketë informacion as Kryeministri i vendit, njëkohësisht deputet i parë i Vlorës, Edi Rama.

Shpëtim Gjika, unë i përkas klanit të qytetarëve vlonjatë

Dëshiroj t’i kujtoj z.prefekt, madje, po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në Qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t’i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen. Z.Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë “klan që vepruaka në qytet” (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në “kauzë shtetërore”, duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit. “Klani që unë i përkas është “klani” i qytetarëve vlonjatë që punojnë me zemër e me mendje për Vlorën, i përkas “klanit” socialist. Dhe ti, mesa di, je pjesë e të njëjtit “klan”.